Konkursi i 6-të i kurseve të xhamive të Shkodrës
26 mars 2016
Paraditën e së
shtunës, më 26 mars 2016, sektori i
arsimit pranë Myftinisë Shkodër,
organizoi në Xhaminë e Madhe, në Fushë
Çelë, konkursin e 6-të të përvitshëm me
fëmijët e kurseve të xhamive të
Shkodrës.
Sipas të dhënave të sektorit të arsimit,
në këtë konkurs morën pjesë përfaqësues
të 40 xhamive, ku konkuruan dy nxënësit
më të mirë të tyre, duke nxjerrë në pah
përgatitjen dhe punën e mësuesve të
tyre, imamëve të nderuar të xhamive
tona.
Aktiviteti u përshëndet nga teologu
Arben Halluni, i cili theksoi se ky
konkurs i përvitshëm ka një vlerë të
madhe, për të nxjerrë në pah përgatitjen
e nxënësve dhe vlerën e kurseve tona
fetare për edukimin e brezit të ri me
edukatën fetare dhe mësimet elementare
të fesë; suret e Kur'anit, rregullat e
namazit, kushtet e besimit dhe Islamit,
normat edukative islame etj.
Aktiviteti u përshëndet edhe nga Myftiu
i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i
cili ndoqi me kënaqësi zhvillimin e
konkursit dhe ndau me imamët e pranishëm
dhe nxënësit e tyre, emocionet e kësaj
dite të begatë.
Për rreth tre orë, pjesëmarrësit
përfituan nga ky aktivitet i larmishëm,
që u pasurua edhe nga programi i bukur
artistik me ilahi e recitime, organizuar
nga nxënësit e kurseve tona, All-llahu i
ruajtë dhe i dhashtë suksese e mbarësi.
Në përfundim të këtij aktiviteti u
shpallën edhe fituesit e këtij konkursi:
Xhamia e fshatit Shtoj i Vjetër, Xhamia
e fshatit Golem dhe Xhamia e fshatit
Milan-Rrasek, sikurse spikatën xhamitë:
Bardhaj, Boks, Luarëz, Bahçallek etj.
Myftinia Shkodër falëndron të gjithë
imamët pjesëmarrës, si dhe komisionin
vlerësues të përbërë nga teologët: Idmir
Plaku, Lavdrim Hamja dhe Adil Cukali.