“Lavdi të Madhit Zot”, kryefjala e thirrjeve
të shpirtit, më 16 nëntor 1990

(konferencë për shtyp e Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed Sytari)

Të nderuar bashkëqytetarë të mi shkodranë, vëllezër dhe motra,
 
Është në nderin dhe kënaqësinë time t’ju bëj me dije sot se pas kërkimeve disa vjeçare, me mbarësinë e Zotit, ditën e djeshme, kemi arritur të sigurojmë dhe të marrim në posedim inçizimin e plotë audio/viziv të ceremonisë së zhvilluar më 16 nëntor 1990 në xhaminë e Plumbit, me rastin e faljes së xhumasë së parë zyrtare masive në qytetin e Shkodrës, në ditët e para të ndryshimit të sistemit ateist në vendin tonë.

Gjetja e këtij inçizimi të pastër dhe autentik, është në të vërtetë një gjurmë drite më shumë për Shkodrën, që në vetvete konfirmon edhe një herë për të gjithë ne, vullnetin e madh të qytetarëve të saj për të dëshmuar besimin dhe prekjen e gjallë të fesë në qënien e tyre, si një rrugëtim paqësor me Zotin, veten dhe tjetrin në këtë jetë, drejt së përtejmes së dritshme. 

Ai është një dëshmi e gjallë e forcës së besimit në zemrat e qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi, të cilët nuk e humbën asnjëherë shpresën në Zotin, për rikthimin e kësaj dite të bekuar, në të cilën do të riktheheshin sërish para dyerve të lirisë, për të dëshmuar secili përkatësinë dhe thirrjen e tij shpirtërore, në prehje, pa frikë, pa komplekse, pa ndrojtje.

“Lavdi të Madhit Zot”, fjalia që përsëritet herë pas here në atë tubim madhështor e të pashembullt, është në vetvete thirrja shekullore e kësaj toke dhe bijve të saj, që thellë-thellë dëshmon pandashmërinë e njeriut nga Zoti, përtej shtypjes, presionit, paragjykimit, frikës, kërcënimit a tendencave për ta ndarë atë nga Krijuesi i tij. 

Nanat e moshuara shkodrane me mbulesën e tyre të bardhë karakteristike mbi koka, përkrah bijave të tyre e bijve të entuziazmuar e të angazhuar për të kthyer të pamundurën në të mundur, me lejen e Zotit, atë ditë, të moshuarit me lotë gëzimi e lutje të pandalshme, me sy nga qielli, janë një arsye më shumë për t’u ndjerë krenarë sot me fenë tonë, me thirrjen tonë, me Islamin tonë të Paqes, që lulëzon dita-ditës në zemrat e besimtarëve të rinj, si një dëshmi e ruajtjes dhe ripërtëritjes së besëlidhjes së asaj dite, me Zotin, me historinë dhe me shpirtin e madh të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë.

Numri i madh i pjesëmarrësve, që tejmbushën krejt zonën e Qafës në atë ditë të bekuar, duke e gjallëruar atë, si asnjëherë më parë në historinë e vet, dëshmoi më së miri se nuk ka forcë ateiste a femohuese në botë, që mund të ndërhyjë për të shkëputur njeriun, krijesën më të përsosur të Zotit, nga Krijuesi i tij.

Sot, ndjehemi krenarë për atë të ditë shënuar dhe krejt personazhet, që i dhanë ngjyresë jete e shprese asaj dite dhe atij viti, asaj kohe dhe ditëve që do ta pasonin, ndonëse ishin sprovuar më parë me errësirën e injorancës, ateizmit, materializmit imoral dhe degradimit human drejt dekadencave shpirtërore, morale dhe intelektuale, gjurmët e të cilave vazhdojmë t’i vuajmë edhe sot si shoqëri shqiptare në lëngatat e ndryshme të saj.

Unë ju ftoj, që nëpërmjet përkujtimit të këtij 24 vjetor të rihapjes së Xhamisë së Plumbit, të rikujtojmë madhështinë e këtij Islam, thirrjeve të tij paqësore për ndërtimin e jetës dhe respektimin e të drejtave të njeriut, I cili ka të drejtën e tij legjitime të rrugëtojë i lirë në marrëdhënien e tij me Zotin, veten, tjetrin, jetën.

Është një ftesë për të rikujtuar thirrjen e shekujve shqiptarë, që me krejt madhështinë e tyre, u bënë kryefjala e fjalimit historik të Hafiz Sabri Koçit, atë të ditë të shënuar për jetën e tij dhe të ardhmen tonë të përbashkët: “Vllazën dhe motra, myslimanë, katolikë dhe ortodoksë; mbi të gjitha vllazën shqiptarë!”

Zoti e bekoftë Islamin në trojet shqiptare, e bekoftë harmoninë e shqiptarëve me njëri-tjetrin dhe e bëftë ditën e 16 nëntorit 1990 një datë reflektimi të përhershëm, që na fton në madhështinë e dëshmisë së saj drejt Zotit dhe Dashnisë së Tij, për një jetë të mbushur me Frymën e besimit dhe mbështetjen e përhershme në Krijuesin e gjithësisë!

Falënderoj me zemër të gjithë ata që u përkujdesën me shumë dashuri dhe ndjenjë besimi e qytetarie që ta kemi këtë thesar të çmuar në duart tona, si një dëshmi historie e një gjurmë indentiteti e drite.

Shkodër, më 12 nëntor 2014
 
Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

 

 


“Lavdi të Madhit Zot”, kryefjala e thirrjeve të shpirtit, më 16 nëntor 1990
“Lavdi të Madhit Zot”, kryefjala e thirrjeve të shpirtit, më 16 nëntor 1990
“Lavdi të Madhit Zot”, kryefjala e thirrjeve të shpirtit, më 16 nëntor 1990
“Lavdi të Madhit Zot”, kryefjala e thirrjeve të shpirtit, më 16 nëntor 1990