Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari

 

MUHAMED SYTARI
 
U lind në Shkodër, më 21 maj 1978. Në vitin 1993 udhëton drejt Damaskut të Sirisë, ku kryen shkollën e mesme dhe të lartë, duke u diplomuar nga Fakulteti i Thirrjes Islame në vitin 2001.
 
Pas mbarimit të studimeve, emërohet mësues i besimit dhe i gjuhës arabe në Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”, sikurse shërben edhe si vaiz/hatib në xhaminë e Tophanës.
 
Ka një aktivitet të gjerë botues e shkencor në revista e gazeta, pjesëmarrje aktive në konferenca, simpoziume dhe aktivitete të tjera fetare e shkencore, brenda vendit dhe jashtë tij, si në: Damask (Siri), Arizona (ShBA), St. Gallen (Zvicër), Venezia (Itali), Prishtinë (Kosovë), Iskenderun (Turqi), Medine (Arabia Saudite), Gostivar (Maqedoni), Hamburg (Gjermani) etj.
 
Është autor i shumë librave, si: “Opinione bashkëkohore islame” (2002), “Përpjekje të dështuara” (2003), [Hap pas hapi me "Udhën Islame"] (2004), “Përhapni për mua, qoftë dhe një fjalë…” (2006), “Kujtime dhe refleksione të një Ramazani” (2007), “Ve alejkes-selam...” (2008), “Rrugëtime të një hatibi” (2009), "Dhe kthehet kjo hëna e re e Ramazanit..." (2009) etj.
 
Ka botuar monografitë: “Vehbi Sulejman Gavoçi- Dijetar nga dijetarët e ymmetit” (2005), “Hafiz Qamil Tresi- Në gjurmët e një biblioteke, që sfidon heshtjen e kohës...” (2006), “Hafiz Musa Hoxha- Vaizi besnik i qitabeve të vjetra” (2009), “Faik Hoxha para pasqyrës së një jete…” (2011), si dhe është autori i bibliografisë: “Bibliografi “Udha Islame” 50 numrat e parë” (2007).
 
Në prill të vitit 2013, me rastin e tre vjetorit të drejtimit të Myftinisë Shkodër, ka botuar librin me titull: “Nún – Pasha Lapsin…”, ndërkohë, në dhjetor 2013, ka botuar librin e tij më të ri të titulluar: “Dëshmitar në sahar”.
 
Është redaktor i librave: "Njohuri rreth Kur'anit- Syneti e bidati", të dijetarit të njohur islam Vehbi Sulejman Gavoçi, botuar në Shkodër (1999), “Themelet e një medreseje", të autorëve Eljaz Kraja dhe Ahmet O. Osja, botuar në Shkodër (2008) dhe përkthimit të teologut Lavdrim Hamja “Përse e gjithë kjo frikë nga Islami?”  (2013).
 
Ka një aktivitet të gjerë si përkthyes nga gjuha arabe, ku ka botuar shumë materiale, studime dhe punime të autorëve të ndryshëm. Ka përkthyer nga arabishtja librin e autores Emili Bramlet: “Besova Zotin tuaj” (1998).
 
Është antar i këshillit botues të veprës enciklopedike: “100 personalitete shqiptare të kulturës islame” (2012), botim i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me rastin e 100 vjetorit të Shqipërisë.

Është antar i Këshillit të Teologëve të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
 
U emërua Myfti i Shkodrës, më 22 prill 2010.

 


Administron websitin e tij personal: www.muhamedsytari.com  dhe (.net)