Ditën e xhuma, më 20 
										shtator 2013, Myftinia Shkodër ka 
										organizuar një aktivitet përkujtimor, në 
										nostalgji të muajit Ramazan 1434/2013.
										 
Në përshëndetjen e rastit, Myftiu i 
										Shkodrës Imam Muhamed Sytari ka bërë 
										disa falënderime në drejtim të 
										Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, 
										bashkëpunëtorëve të tij të afërt, stafit 
										të Myftinisë, Bashkisë Shkodër, mediave 
										lokale, të rinjve të shumtë që iu 
										bashkuan karvanit të teravisë 2013, 
										imamëve, xhemateve dhe krejt atyre që 
										kontribuuan që muaji i Ramazanit 
										1434/2013, të ishte një dëshmi i madhe 
										besimi në Shkodër.
 
Aktiviteti 
										është përshëndetur edhe nga Myftiu i 
										Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, që 
										ka vlerësuar aktivitetin e Myftinisë së 
										Zonës Shkodër gjatë muajit Ramazan, 
										sikurse është lutur që atmosfera e 
										mrekullueshme e besimit, e dëshmuar në 
										ditët e muajit Ramazan, të vazhdojë edhe 
										përtej tij, në Shkodër e në mbarë 
										Shqipërinë.
 
Të pranishmit, kanë 
										ndjekur një insert, ku është prezantuar 
										aktiviteti i gjerë dhe i shumëllojshëm i 
										Myftinië Shkodër gjatë Ramazanit që sapo 
										kaloi.
 
Më pas, teologu Arben 
										Halluni ka bërë një prezantim të 
										detajuar të zhvillimeve kryesore që kanë 
										mbushur ditët e Ramazanit me bukurinë e 
										aktiviteteve, tubimeve fetare, 
										emisioneve televizive, ndihmave të 
										shpërndara për qindra familje shkodrane 
										në nevojë etj. Ai ka theksuar se 
										Myftinia Shkodër vazhdon të rrugëtojë në 
										gjurmët e muajit Ramazan, duke 
										kontribuar në rritjen e cilësisë së 
										aktivitetit fetar në Shkodër dhe përtej 
										tij.
 
Vëllai i nderuar Ervin 
										Metani, ka përcjellë me shumë elokuencë, 
										emocionet e përjetuara gjatë aktivitetit 
										të përvitshëm të Hatmes Sherife, që 
										Myftinia Shkodër organizoi këtë vit në 
										xhaminë e Parrucës. Ai ka dëshmuar 
										atmosferën e bukur që krijohet në 
										Shkodër gjatë Ramazanit, si një dëshmi 
										besimi dhe gjallërie islame.
 
Në 
										fund të aktivitetit, për të pranishmit 
										është shpërndarë edhe numri i ri i 
										gazetës “Udha Islame”, përmbledhëse e 
										aktivitetit të muajit Ramazan. Ndërkohë, 
										të pranishmit kanë vijuar të 
										bashkëbisedojnë dhe të ndajnë emocionet 
										e muajit Ramazan, në një ftesë për kafe 
										dhe çaj, organizuar me këtë rast.
          
										
