Ditën e xhuma, më 17
maj 2013, ka mbërritur në Shkodër për
një vizitë njëditore, Kryetari i
Dijanetit të Republikës së Turqisë, prof.
dr. Mehmet Gormez, i shoqëruar edhe nga
një grup myftilerësh dhe hafizësh të
shquar nga Turqia, Qiproja, Greqia etj.
Në pritje të Hirësisë së Tij, ka
qenë Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed
Sytari, i cili i ka uruar mirëseardhjen
në Shkodër.
Fillimisht, Kryetari i Dijanetit të
Turqisë ka mbajtur një fjalë
përshëndetëse dhe një këshillë
vëllazërore para xhematit të xhamisë së
Parrucës, pak para kohës së namazit të
xhumasë.
Në fjalën e tij, ai ka
shprehur kënaqësinë e tij për praninë në
Shkodër, qytetin me tradita të lashta
islame dhe me një shpirt të madh të
bujarisë dhe vlerave islame. Ai ka
vlerësuar se Shkodra ka një shpirt të
veçantë besimi, që ndjehet nga kontakti
i parë me të. Ai është lutur që Shkodra
të ketë përherë begati dhe mirësi nga
Zoti.
Më pas, takimi ka vijuar në zyrën e
Myftiut të Shkodrës. Me këtë rast, Imam
Muhamed Sytari ka shprehur gëzimin e tij
për këtë vizitë historike të
personalitetit më të shquar dhe
drejtuesit më të lartë të Dijanetit të
Turqisë. Myftiu e ka falënderuar prof.
dr. Mehmet Gormez dhe ka vlerësuar
interesimin e tij për Shkodrën dhe jetën
islame në të. Myftiu e ka njohur
Kryetarin e Dijanetit me disa nga
problematikat dhe shqetësimet e
Myftinisë Shkodër dhe nevojat e saj për
zhvillimin e mëtejshëm të Thirrjes
Islame.
Nga ana e tij, Kryetari i Dijanetit
të Turqisë, ka garantuar Myftiun e
Shkodrës se do të marrë përsipër
ndërtimin e selisë së re të Myftinisë
Shkodër, sikurse ka shprehur
gatishmërinë për bashkëpunim të
mëtejshëm për projekte të tjera në
shërbim të kërkesave dhe nevojave që ka
Myftinia Shkodër.
Në vazhdën e kësaj vizite, Kryetari
i Dijanetit të Turqisë ka vizituar edhe
Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”, me dy
degët e saj, kolegjin “Hasan Riza
Pasha”, memorialin në nder të “mbrojtësit
të Shkodrës”, Qendrën Kulturore “Junus
Emre”, xhaminë “Ebu Bekër”, si dhe ka
zhvilluar një takim në zyrën e Kryetarit
të Bashkisë Shkodër, z. Lorenc Luka.
Kjo vizitë vjen në kuadër të
zhvillimit të Konferencës së 6-të të
Kryetarëve të Bashkësive Islame të
Ballkanit.
|
|
|
|
|
|
|
|