“Kjo të ka bërë të mbërrish në atë gradë!”…
25 mars 2016
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut të
Madhëruar, Zotit të vetëm të botëve, i
Cili nuk ka lindur prej kujt, as ka
lindur dikush prej Tij. Ai nuk ka nevojë
për asgjë dhe për askë dhe të gjithë ne
jemi nevojtarë për mëshirën, bujarinë,
begatinë, butësinë, rizkun, mbarësinë,
frymën, ajrin, bukën, kripën, ujin,
dritën, shëndetin, sigurinë, paqen,
harmoninë, dijen, urtësinë, lehtësimin,
vëllazërinë, bekimet dhe mbrojtjen e
Tij!
Krijuesi i vetëm i gjithësisë urdhëron
në hadithin kudsi: “O robët e Mi, Unë ia
kam ndaluar Vetes Sime padrejtësinë, e
kam bërë haram edhe në mes jush;
prandaj, mos i bëni padrejtësi
njëri-tjetrit! O robët e Mi, të gjithë
ju jeni të devijuar, përveç atij që e
kam udhëzuar; kërkojeni udhëzimin prej
Meje, t’ju udhëzoj! O robët e Mi, të
gjithë ju jeni të uritur, përveç atij që
e kam ushqyer; kërkoni ushqim prej Meje,
t’ju ushqej! O robët e Mi…”[1]
Salavatet dhe selamet më të përzemërta,
ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo
ditë të jetës sonë, zotërisë së bijve të
Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), që u
dërgua mëshirë për mbarë botët.
Nga këshillat e të dërguarit të
All-llahut për ne ishte edhe kjo fjali
plot urtësi dhe udhëzim, ku thotë:
“Njerëzit do të vazhdojnë të jetojnë në
mirësi, përderisa nuk do ia kenë zili
njëri-tjetrit!”[2]
Të dashur e të respektuar
vëllezër muslimanë,
Në hytben e kësaj jave, dua të ndalem
tek një ngjarje e vetme e ndodhur në të
gjallë të Resulull-llahut (a.s). Dua, që
kjo ndodhi të jetë mesazhi i kësaj jave,
besa e kësaj xhumaje, amaneti i saj!
Ngjarjen në fjalë e transmeton sahabiu i
nderuar, Enes ibni Malik (r.a), që
tregon sa vijon: “Po rrinim me të
dërguarin e All-llahut (a.s), kur tha:
“Tani do të shfaqet para jush një burrë
prej banorëve të xhennetit!” Kur, u
shfaq një burrë prej ensarëve
(medineli), mjekra e të cilit pikonte
nga abdesti, me të majtën mbante shapkat
e tij.
Ditën e nesërme, Resulull-llahu (a.s)
tha të njëjtat fjalë, pra: “Tani do të
shfaqet para jush një burrë prej
banorëve të xhennetit!” dhe, u shfaq i
njëjti person.
Ditën e tretë, Resulull-llahu (a.s) tha
të njëjtat fjalë, pra: “Tani do të
shfaqet para jush një burrë prej
banorëve të xhennetit!” dhe, u shfaq
sërish i njëjti person. (Në një prej
transmetimeve, thuhet se ai person quhej
Sad ibn Malik[3])
Kur Resulull-llahu (a.s) u largua,
Abdullah ibni Amr (r.a) iu vu nga pas
atij personi, për të cilin Pejgamberi
kishte thënë se është prej banorëve të
xhennetit.
Pasi u takua me të, i tha: “Kam bërë
fjalë me babain tim dhe jam betuar të
mos hyj në shtëpi për tre ditë. Nëse ke
mundësi të më strehosh, sa të kalojnë
këto tre ditë.” Dhe, zotëria e tij
pranoi duke e mirëpritur në shtëpinë e
tij të riun që i kërkoi strehim.
Enesi (r.a) tregon se Abdullahu (r.a) i
kishte treguar shokëve të tij më pas, se
kishte fjetur tre netë në shtëpinë e
zotërisë së përmendur. Nuk e kishte parë
të ngrihej e të falej natën, vetëm se
kur i dilte gjumi, bënte dhikër dhe
tekbir, deri në momentin e namazit të
sabahut.
Thotë: “Dhe nuk e kam dëgjuar të flasë,
vetëm se fjalë të mira”
Pastaj vazhdon e tregon: “Dhe, kur
kaluan tre netët dhe u habita nga e
pakëta e veprave të tij, i thashë: O rob
i All-llahut, nuk ka pasur në mes meje
dhe babait tim asnjë mosmarrëveshje a
grindje, por e kam dëgjuar
Resulull-llahun (a.s) të thojë tre herë:
“Tani do të shfaqet para jush një burrë
prej banorëve të xhennetit!” dhe, në të
treja herët na shfaqeshe ti. Prandaj,
pata dëshirë të flej në shtëpinë tënde
dhe të vështroj veprat që bën, që të
ndjek rrugën tënde, por nuk të pashë që
bëje ndonjë punë të madhe! Më thuaj,
çfarë të bëri të mbërrije në atë gradë
për të cilën na foli i dërguari i
All-llahut (a.s)?”
Sahabiu i nderuar iu përgjigj: “Asgjë
përtej asaj që pe!”
Thotë: [Dhe, kur mora të largohem prej
tij, më thirri dhe tha: “Asgjë përtej
asaj që pe, vetëm se nuk kam në zemrën
time asnjë ndjenjë mashtrimi për
ndonjërin prej muslimanëve dhe, nuk ia
kam zili askujt për ndonjë të mirë që ia
ka dhënë All-llahu!”]
Abdullah ibni Amri tha: “Kjo të ka bërë
të mbërrish në atë gradë!”[4]
Të dashurit e mi,
Kjo është historia e kësaj jave. Ky
është mesazhi, që ju ftoj ju dhe veten
time, ta përvetësojmë, ta bëjmë natyrë,
ta mundim egon dhe kapriçot personale,
që shpesh bëhen shkak që njeriu të
urrejë vëllanë e tij, t’ia ketë zili një
të mirë që ia ka dhënë All-llahu
(xh.sh), ta ketë inat e ta përçmojë!
Kemi nevojë që familja e sotme shqiptare
të jetojë me zemër të paqtur; individët
e saj ta pastrojnë zemrën nga zilia dhe
urrejtja, sepse ato e djegin zemrën,
harmoninë, dashamirësinë, mirëkuptimin
dhe mirëqenien.
Kemi nevojë, që ne si muslimanë të
lartësohemi në marrëdhëniet tona me
njëri-tjetrin, duke reflektuar këtë
hadith në jetën e përditshme. Mos të
kemi zili për gjëra të kësaj bote të
përkohëshme. Mos t’i prishim zemrat e
harmoninë për një mirësi me të cilën
All-llahu i Madhëruar ka veçuar
ndonjërin në mesin tonë, përkundrazi, të
gëzohemi për tjetrin, njësoj si për
veten tonë! Përndryshe, nuk na kanë dobi
adhurimet, kur zemrën e kemi të mbushur
me energji negative, akumulimi i të
cilave shkakton prapësi në shoqëri.
Asgjë që nuk të është caktuar nga
All-llahu i Madhëruar që ta kesh, nuk
mund të bëhet e jotja nëpërmjet zilisë!
Të dashur të pranishëm,
Në përfundim të këtij mesazhi, më lejoni
të sjell në vëmendjen tuaj fjalët e
Resulull-llahut (a.s), kur thotë:
“Ruajuni nga zilia (hasedi), sepse ajo i
ha veprat e mira, si zjarri që ha
drunjtë…”[5]
Vel-hamdu lil-lahi rabbil-alemine!
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Plumbit)
Shkodër, më 25 mars 2016.
[1]
Transmetuar nga Muslimi, nga Ebu Dherr
Gifariu (r.a), nga Resulull-llahu (a.s),
nga Zoti i gjithësisë.
[2] Transmetuar
nga Tabaraniu, nga Damurete ibni Thalebe
(r.a).
[3] Sikurse
transmetohet nga Bejhekiu, nga Salim
ibni Abdil-lah, nga i ati Abdull-llah
ibni Omer (r.a).
[4] Transmetuar
nga Imam Ahmedi, Nesaiu, si dhe Ebu
Ja’la dhe Bezzari me afërsi.
[5] Transmetuar
nga Ebu Davudi, nga Ebu Hurejra (r.a).