"Do të konsiderohem tradhëtar nëse hesht..."

Mëngjesin e sotëm po lexoja dëshminë e dijetarit dhe mendimtarit të shquar egjiptian, Shejkh Muhammed El-Gazali përpara gjykatës, me rastin e ndalimit dhe sekuestrimit të librit të tij me titull: "Lufta e fesë", (Kajro, 1957).

Thotë: "Dola para gjyqtarit, që ishte një burrë i sinqertë, guximtar. Më tha: Ti je autori i këtij libri, "Lufta e fesë"? Pohova. Tha: A nuk të duket se në të ka ca kapituj dhe studime provokuese?

Ia ktheva: Rëndësi ka të bindet gjykata për vërtetësinë e asaj që është thënë. E nëse ajo që kam shkruar është e vërtetë, s'ka pse të qortohem për të.

Tha: Mund të jetë e vërtetë, por jo çdo gjë që dihet, thuhet! Ndoshta, ajo që ke përmendur mund të trazojë shpirtra, ndërkohë ne kemi nevojë për qetësi.

Thashë: Kam rreshtuar emrat e xhamive të shembura vetëm në Kajro, me qëllim ndalimin e këtij shkatërrimi të qëllimshëm të shtëpive të All-llahut. Njëkohësisht, kam përmendur se vetëm në Egjiptin e ri ka 34 kisha dhe 7 xhami, vetëm kaq, edhe pse përqindja e muslimanëve është e madhe, ndërsa koptët janë më pak se 10%. Këto të dhëna i kam marrë nga Bashkia e Kajros, për vitin 1957.

Gjyqtari tha: Nuk kam çfarë të kundërshtoj për numrat, por mënyra e prezantimit nxit kundërshtime...

I thashë: Zotëria im, mund të ndodhë që një qytetar duke ecur rrugës, të shohë një hajdut që po mësyn derën e një dyqani, për ta thyer e vjedhur më pas. Mund të thojë me vete: Nëse e pengoj, ai mund të më godasë... Dhe kështu e neglizhon dhe vazhdon rrugën e tij.

Ky frikacak, edhe mund të justifikohet. Por, çfarë mendimi keni nëse ai që largohet nga vendngjarja është një polic?! Ai konsiderohet tradhëtar, sepse detyra e tij është të ruajë rendin!

Gjyqtari tha: Shumë e vërtetë!
Ia ktheva: Edhe unë, në postin zyrtar që kam, jam mbrojtës i besimit; do të konsiderohem tradhëtar nëse hesht para shkatërrimit të xhamive, a dominimit mbi to!"

Ky rrëfim plot urtësi, më kujtoi dosjet e shumta të vakëfeve, që padrejtësisht na janë mohuar deri më sot, falë njerëzve të pandershëm, deputetëve mashtrues, drejtuesve të korruptuar të Bashkisë e institucioneve të tjera, që kanë luajtur me hakun e muslimanëve në Shkodër!

Më doli para sysh dosja e vakëfit në Zdralej, ku ne si institucion përflitemi si johumanistë, si taraf politik, si kështu e ashtu; ndërkohë që të gjithë ata që flasin pa ndalesë rreth kësaj teme, janë një mori injorantësh fodullë, ca të djathtë e ca të majtë, ca deputetë e ca fakirë të keqpërdorur për axhenda partishë politike, që ia kanë nxirë jetën Shkodrës tash 26 vite!?
M'u kujtua rasti i dosjes së vakëfit në Zogaj, vjedhja e të cilit, dikur mbrohej nga flamuri blu i partisë... Më pas, me rastin e zgjedhjeve që kaluan, nga ai rozë, i atyre që duan të ecin më shpejt..!?

Unë përherë u them të gjithëve, se kush vrapon drejt haramit, duke shkelur mbi vakëfin e shenjtë a duke bërë kompromis me të, padrejtësisht, nuk do t'i ketë vlerë shpejtësia e ecjes; mallkimi i vakëfit të shenjtë do ia prishë qetësinë, në këtë botë para asaj që vjen!

Më erdhën në hatër edhe shumë e shumë dosje vakëfesh të vjedhura, të uzurpuara, të tjetërsuara, me padrejtësitë e të cilave përballemi çdo ditë, në këtë vend-botë e tretë!?
Mbylla sytë dhe u luta: O Zot dëshmo..!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 21 mars 2016

 


"Do të konsiderohem tradhëtar nëse hesht..."