“Ja Resulall-llah,
e kam gjuhën e mprehtë me familjen time…”
18 mars 2016
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut,
Zotit të vetëm të botëve, i Cili
urdhëron në Kur’anin Famëlartë: “Kush
bën ndonjë të keqe ose e ngarkon veten,
pastaj kërkon falje tek All-llahu, ai e
gjen All-llahun falës dhe mëshirues.”[1]
Salavatet dhe selamet më të përzemërta
ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo
ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të
Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), që u
dërgua mëshirë për të gjitha krijesat.
Transmetohet se Ibni Omeri (r.a) ka
thënë: “Ia kemi numëruar Resulull-llahut
(a.s) në një ndenje të vetme njëqind
herë shprehjen: Rabbigfir li ve tub
alejje inneke entet-Tevvaburr-Rrahim[2]”[3]
Të nderuar vëllezër
besimtarë,
Javën që shkoi folëm mbi kuptimet e
namazit dhe rëndësinë që ka thellimi në
kuptimin e udhëzimeve të fesë islame, në
mënyrë që të mos keqpërdorim argumentet
e saj dhe mos ta jetojmë mrekullinë e
besimit vetëm si shfaqje e jashtme dhe
lëvizje mekanike pa shpirt, pa arsyetim,
pa largpamësi e butësi, për të cilën
jemi urdhëruar ta përdorim në çdo gjë.
Sot, dua të ndalem në një tjetër
argument, në rrugën e lartësimit të
njeriut në gradën e kërkimit falje nga
Zoti i gjithësisë, për gabimet dhe
gjynahet e ndryshme, që bën në jetën e
përditshme.
Po, të dashurit e mi, sepse të kërkosh
falje nga Zoti i gjithësisë, në vetminë
tënde, në veçimin tënd me All-llahun e
Madhëruar, është gradë e lartë besimi,
që nuk e arrin kushdo, sidomos ai që e
nënvleftëson si veprim!
T’i kërkosh falje Zotit tënd, është një
prej gradëve më të larta të besimit.
Është një ndjenjë e lartë përulësie dhe
bindjeje ndaj All-llahut, që të tërheq
vëmendjen sa herë gabon a devijon në
jetë, për t’u kthyer në origjinë, në
udhëzim, në “siratul-mustekim”! (Dikush
gabon e bën gjynahe në vazhdimësi dhe
ndjehet i lumtur në batakun e së keqes,
teksa zemra e tij njolloset pafundësisht
nga e zeza e gjynahut, deri në një
moment, kur zezohet dhe gjynahu i bëhet
natyrë, traditë, kulturë!? Atë nuk ka
kush ta shpëtojë nga kthetrat e
gjynaheve, përveç mëshirës së All-llahut
e butësisë së Tij ndaj krijesave të
Tij!)
Dëgjoni me vëmendje këtë ngjarje, ju
dëgjoftë zemra dhe mendja!
Tregon Ali ibn Rebia: Më mori me vete
Ali ibn Ebi Talibi (r.a) dhe ecëm deri
në një vend të caktuar, ku ngriti kokën
e tij nga qielli dhe tha:
“All-llahummegfir li dhunubi, innehu la
jagfirudh-dhunube ehadun gajruke.”[4]
Pastaj u kthye nga unë dhe qeshi. I
thashë: O prijës i besimtarëve, i
kërkove falje Zotit tënd dhe u solle nga
unë duke qeshur? Tha: Një herë, më mori
Resulull-llahu me vete dhe ecëm deri në
këtë vend, ku ngriti kokën nga qielli
dhe tha: All-llahummegfir li dhunubi,
innehu la jagfirudh-dhunube ehadun
gajruke.” Pastaj u kthye nga unë dhe
qeshi. I thashë: O i dërguar i
All-llahut, i kërkove falje Zotit tënd
dhe u solle nga unë duke qeshur? Tha:
“Qesha nga e qeshura e Zotit tim, nga
habia e Tij për robin e Tij, i cili e di
se askush nuk i fal gjynahet përveç
Tij!”[5]
Pra, ka shumë rëndësi të dijmë dhe të
kuptojmë se gabimet a rrëshqitjet e
ndryshme që bëjmë në jetë, nuk ka njeri,
melek a xhin në botë që të na i falë,
përveç Krijuesit të gjithësisë! Njeriu
nuk ia fal njeriut gabimet e gjynahet!
Njeriu ia bën hallall tjetrit dhe ia fal
gabimin në hak të tij, por nuk ka aftësi
dhe mundësi të falë gjynahun, të fshijë
gjurmën dhe të keqen e tij, për të cilën
njeriu mund të pendohet, për të mos e
përsëritur më! Sepse njeriu është i
kufizuar, është i vogël, është i dobët!
As profetët nuk kanë aftësinë dhe
mundësinë e faljes së gabimeve a
gjynaheve të krijesave të Zotit!
Absolutisht, jo! As sahabët, as
tabiinët, as dijetarët e mëdhenj, as
myftilerët, as Shejkhul-Islamët, askush
në botë! Kurrësesi! Nuk ka logjikë, nuk
ka kuptim!
Prandaj, të kuptosh se vetëm Zoti, mund
të ta falë gabimin dhe të ta ndreqë
zemrën, ta udhëzojë mendjen dhe ta
drejtojë moralin tënd, është një gradë e
lartë besimi, që jo kushdo e ka rizk!
Të dashur të pranishëm,
Ka njerëz sot, që e neglizhojnë
istigfarin (kërkimin e faljes nga Zoti),
e bëjnë një gjë kalimtare e pa rëndësi.
Për çdo gjë të gabuar që bëjnë, po iu
kërkua llogari, menjëherë thonë: “Na fal
Zoti, na fal, nuk ka problem!”
Është e vërtetë që Zoti na fal, për çdo
gabim e gjynah, përveç shirkut, por
njeriu nuk duhet të abuzojë me gjynahet
dhe gabimet e tij nën justifikimin se
Zoti fal!
“Pije një gotë, se të fal Zoti!”,
“Zbuloji hiret se është moda dhe flasin
njerëzit, se fal Zoti!”, “Mos agjëro se
kemi një takim me rëndësi, se fal Zoti,
e zëvendëson një ditë tjetër!”, “Mos jep
zekat, se është krizë ekonomike e duhet
të ruash, se të fal Zoti!”, “Fole ndonjë
fjalë të ndytë, bëhu burrë, se të fal
Zoti!”, “Eja në party, je akoma i ri, se
të fal Zoti!”, “Mbete tërë ditën në
xhami! Rri ndonjë ditë pa u falë, se të
fal Zoti!”, “Mos e lër pa shtru verë e
birrë në dasëm, se i mbet hatri
njerëzve, se të fal Zoti. Mos u korit!”,
“Bëje këtë e bëje atë, se të fal Zoti!”,
e sa e sa justifikime e arsyetime të
tilla të sëmura dëgjojmë ditë pas dite
në realitetet tona!?
Natyrshëm që Zoti fal! Natyrshëm që nuk
e humbim shpresën në mëshirën dhe faljen
e Tij! Por, mbi të gjitha, duhet të
kontrollojmë ritmin e zemrës dhe ecurinë
e nefsit në rrugën e udhëzimit, jo të
jetojmë pa bosht, pa identitet, pa një
drejtim!
Muslimani nuk konsumon alkool! Muslimani
nuk shoqërohet me femra të huaja!
Muslimani nuk e ha mishin e derrit!
Muslimani nuk vjedh! Muslimani nuk është
imoral! Muslimani nuk i bën shirk
All-llahut; dmth, nuk beson te
mrekullibërja e gurit a e drurit, as te
shenjtëria e njeriut a mrekullibërja e
tij, kushdo qoftë ai (edhe vetë profetët
e Zotit), VETËM tek All-llahu i
Madhëruar dhe vetëm me lejen dhe
përcaktimin e Tij!
Vetëm Zoti fal, Ai i bën mrekullitë në
Duart e të dërguarve të Tij, misioni dhe
shfaqja e të cilëve është mbyllur me Hz.
Muhammedin (a.s)! Muslimani nuk gënjen!
Njëmijë Hz. Isa, Hz. Musa e Hz.
Pejgamber, të mblidhen e të përpiqen të
ngjallin një të vdekur, që nuk e ka
lejuar a paracaktuar All-llahu, nuk e
bëjnë, nuk e ngjallin! Kështu na kanë
mësuar vetë ata. Çdo gjë e kanë bërë me
lejen e Zotit, duke ia treguar e
dëshmuar njerëzve, duke i udhëzuar drejt
Tij!
Mos u gënjeni nga të tjerët! Mos
toleroni t’jua prishin marrëdhënien me
Zotin dhe fenë, sepse ai që të tërheq
për dore drejt harameve me justifikimin
se “Zoti fal”, në fakt nuk e bën se
dëshiron faljen tënde; ai po të tërheq
drejt devijimit dhe prishjes së besës!
Kujdes të madh me fëmijët dhe rininë,
All-llahu ju bëftë mburojë nga shejtani
dhe partizanët e tij besnikë, që sa të
shumtë janë sot!
Të dashurit e mi,
Sahabiu Ebu Hurejra (r.a) tregon se
Resulull-llahu (a.s) transmeton nga Zoti
i tij[6], që ka
thënë: “Një person bëri një gjynah dhe
tha: O Zot ma fal mua gjynahun tim! I
Madhëruari tha: “Robi im bëri një gjynah
dhe e diti se ka një Zot që e fal
gjynahun dhe që ndëshkon për të!”
Pastaj, ai person sërish bëri gjynah dhe
tha: O Zot ma fal mua gjynahun tim!” I
Madhëruari tha: “Robi im bëri një gjynah
dhe e diti se ka një Zot që e fal
gjynahun dhe që ndëshkon për të!”
Pastaj, ai person sërish bëri gjynah dhe
tha: O Zot ma fal mua gjynahun tim!” I
Madhëruari tha: “Robi im bëri një gjynah
dhe e diti se ka një Zot që e fal
gjynahun dhe që ndëshkon për të! Vepro
ç’të duash[7] se të
kam falur!”[8]
Kjo është madhështia e faljes së
All-llahut! Njeriu gabon, rrëshqet,
harron, bën gjynah, por, në momentin e
parë që ndërgjegja nis dhe e vret, ai
kërkon falje dhe pendohet! Këtë njeri,
Zoti e do, e pranon, e fal, e mëshiron!
Besimtari i vendosur, nuk kthehet më në
gabimin, për të cilin ka kërkuar falje!
Por, ndodh që kthehet dhe sërish kërkon
falje! Ai jeton në një luhatje të madhe.
Gabon, pendohet, sërish gabon e gabon e
sërish kërkon falje dhe pendohet;
All-llahu me mëshirën e Tij, e fal!
Mirëpo, tërë ky proces, nga gabimi tek
falja dhe ndjenja e çlirimit nga faji,
dëshmon lartësimin e besimtarit në
gradën e meritimit të faljes dhe
mëshirës së All-llahut të Madhëruar!
Të dashur të pranishëm,
Nëpërmjet këtij mesazhi të përjavshëm,
dua të ftoj veten dhe ju, që ta shtojmë
istigfarin në jetën tonë; të kërkojmë sa
më shumë falje. Edhe kur mendojmë se nuk
kemi gabuar, sepse shtimi i istigfarit
është një lloj përmendjeje e All-llahut,
ndër më të lavdëruarat dhe tërheqëse e
mbarësisë dhe mirësisë në jetën tonë!
Tregon sahabiu Hudhejfe (r.a): Iu ankova
Resulull-llahut (a.s) për gjuhën time të
mprehtë. Më tha: “Ku je me istigfarin?
Unë i kërkoj falje All-llahut 100 herë
në ditë!”[9] (Në
një transmetim tjetër: Erdha tek profeti
(a.s) dhe i thashë: Ja Resulall-llah, e
kam gjuhën e mprehtë me familjen time
dhe kam frikë se do më shpjerë në
xhehnem…)
Shtimi i istigrafit në përditshmërinë
tonë do të thotë se jemi një brez, që e
duam All-llahun dhe druhemi të na
mashtrojë nefsi drejt asaj që Atij nuk i
pëlqen prej nesh! Kjo do të thotë se,
shtimi i istigfarit, dëshmon për një
shoqëri besimtare, të cilës i vijnë të
mirat nga Zoti prej nga nuk pritet… Dhe,
për këtë dëshmon më së miri Kur’ani
Famëlartë, teksa na tregon insistimin e
Hz. Nuhut (a.s) me popullin e tij: [Unë
u thashë: “Kërkoni falje Zotit tuaj, se
Ai vërtetë falë shumë; Ai ju lëshon nga
qielli shi me bollëk, ju shumon pasurinë
dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte dhe
ju jep lumenj.”][10]
Të është ngushtuar rizku? Shtoje
istigfarin!
Ankon sjelljen tënde jonormale? Shtoje
istigfarin!
Ka thatësirë? Ejani të shtojmë
istigfarin!
Ankon arrogancën e gruas, kokëfortësinë
e fëmijëve, ç’ekuilibrimin e nervave
tuaja? Shtoni istigfarin!
“Ku je me istigfarin? Unë i kërkoj falje
All-llahut 100 herë në ditë!”[11]
E, natyrshëm, unë nuk do ju them: Po ne,
sa herë duhet t’i kërkojmë falje
All-llahut në ditë?...
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Plumbit)
Shkodër, më 18 mars 2016.
[1] Kur’ani,
En-Nisa: 110.
[2] Në shqip: “O
Zot më fal mua dhe pranoje pendimin tim,
vërtetë Ti je pranues i pendimit dhe
Mëshirëbërës.”
[3] Transmetuar
nga Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, nga Ibni
Omer (r.a).
[4] Në shqip: “O
Zot m’i fal gjynahet e mia, përveç Teje
askush nuk i fal gjynahet.”
[5] Transmetuar
nga Ibn Ebi Shejbe dhe Ibn Menia, nga
Ali ibn Rebia (r.a).
[6] Në hadithin
kudsi. (Shënim imi. M.S.)
[7] Para
kërkimit falje.
[8] Transmetuar
nga Muslimi, nga Ebu Hurejra (r.a).
[9] Transmetuar
nga Ebu Nuajm në “El-Hilje” dhe Ibn Ebi
Shejbe, nga Hudhejfe (r.a).
[10] Kur’ani,
Nuh: 10-12.
[11]
Transmetuar nga Ebu Nuajm në “El-Hilje”
dhe Ibn Ebi Shejbe, nga Hudhejfe (r.a).