"Prindi të rrit, shkolla të ndrit!"

Në një letër të hapur, me të cilën, Hafiz Ali Korça i drejtohet imamëve dhe hoxhallarëve të vendit tonë në vitin 1925, ndër të tjera i drejtohet edhe me këto fjalë:

"Në qoftë se dëshirojmë të jetojmë në fê të H. Muhammed Mustafajt, duhet bijt e bijat t’i bëjmë terbije pas rrugës së H. Pejgamberit edhe t’i armatosim me armët e ditunive që lyp koha.

Na shqipëtarët po nuk përgatitëm për çdo katund nga nji alim, i cili fare pak të ketë vazhdu në medrese (5) vjet, q’ajy të bëjë imamet e hitabet, edhe të mësojë dhe çunat si pas nevojës së kohës, edhe po nuk qitëm për çdo qytet fare pak nga dhjetë Fahrudina, nuk mundim me mbajtë as fê as Shtet!

Zotënij ulema e meshajiha!

Në doni të shifni prej popullit atë nderim qi shifnin të parët, armatosni bijt t’uaj po me ato armët e të parëve, se ajo dituni ashtë mirathi i jonë, dhe duhet t’a trashëgojmë, po na ta dini bukur se populli mâ s’digjon përrallat e Shemunit edhe prrallat e Batall Gaziut!?
...
Fort të nderçmit ulema e meshajiha!

Në qoftë se kini ashk në H. Muhammed Mustafanë, duhet të mos ju kapi gjumi, po të bëheni merak e të përkujdesi për brezin qi vjen, duke vërejtun këto pika:

1) Çunat e gocat mos t’ia u dorëzojmë misionarëve;
2) Si çdo biri e bije t’i mësojmë H. Kuranin;
3) Si çdo çun qi mbush trembëdhjetë vjeçin, t’a çojmë në medrese;
4) Si çdo alim e shejh me doemos nga nji çun t’a dërgojë në medrese;
5) Për me e naltësu medresenë në shkallët e meritushme, si çdo mysliman, të mos kursehet;
6) Për me e shty popullin në ndihmë, ulemat e meshajihat, duhet të mos kursehen po të shetitin katund në katund;
7) Si të shtohen t’ardhunat e medresesë, për çdo mësim të sillen specialistat mâ të zotët!

Për ndryshe, mundim të themi se nemitja (mos përkujdesja) e ulemave dhe meshajihave qi sot, myslimanizmin po e rrenon me dëshirin e vet!"... (H. Ali Korça, “Letr’ e hapët për gjith ulemat e meshajihat qi ndodhen në Shqipni”, në revistën “Zani i Naltë”, nr. 8, maj, 1924, viti I, f. 244-246.)

Këto fjalë të urta, më erdhën ndër mend sot, teksa po lexoja lajmin e gëzueshëm të inaugurimit të ndërtesës së re të Medresesë "Haxhi Sheh Shamia", cikli i ulët, djem e vajza.

Ndonëse nuk isha në Shkodër, gëzimi i këtij inaugurimi më shoqëroi gjatë. Është një ndjesi legjitime, në një kohë kur ekuilibrat e proceseve të arsimimit tek ne janë lëkundur çuditshëm..!?

Për këtë, hapja e kësaj godine të re dhe edukimi i brezit të ri me frymën e besimit, me disiplinën personale, me vlerat e qytetarisë, me harmoninë dhe dijet e pakufijshme, me pastërtinë dhe formimin e një personaliteti të brumosur së mbari, është pa dyshim një lajm begatues për Shkodrën dhe përtej saj.

Për këtë, të gjithë duhet të bëjmë e të kontribuojmë me sa të kemi mundësi, në të gjitha mënyrat e mundshme, për medresenë tonë, për fëmijët tanë, për të sotmen dhe të ardhmen e tyre! Për këtë, nuk duhet të kursehemi assesi!

Duke falënderuar TIKA-n, qeverinë e Turqisë, Shoqatën "Istanbul" dhe të gjithë ata që u bënë shkak që sot ta kemi këtë pasuri kombëtare e shpirtërore në Shkodër, (edhe si një aset më shumë në rrugën e Vlerave të Besimit dhe Dijes), nuk ka se si të mos e lexoj këtë shfaqje, si një bekim hyjnor dhe një argument material, që na fton edhe më shumë drejt rrënjëve shekullore të identitetit tonë shpirtëror dhe dituror!

Dhe, u ndala tek një fjali e gdhenur në ball të njërës prej klasave fillore, ku shënohej: "Prindi të rrit, shkolla të ndrit!"...

U luta me zemër që Medreseja e jonë të vazhdojë plot dinjitet rrugëtimin e saj të pandalshëm drejt lartësive, arritjeve dhe rezultateve të denja për emrin dhe misionin e saj fisnik e hyjnor...

Qoftë e bekuar kjo ditë!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 16 mars 2016

 


"Prindi të rrit, shkolla të ndrit!"