Ata qëndrojnë në piedestalet më të larta
të kujtesës popullore...
15 mars 2016
Sot pata një
përhitje, teksa bashkëbisedoja me një
mikun tim. Si një vegim i papritur, m'u
shfaq imazhi i të nderuarit z. Ahmet
Bushati. Kam shumë respekt për këtë
burrë, që shumë ka hequr mbi kurrizin e
tij gjatë diktaturës... Me shumë
vëmendje e kam lexuar librin e
tij-Dëshmi, të titulluar: "Në gjurmët e
nji ditari”...
Përfytyrimi i zotnisë së tij, më solli
ndër mend përshkrimin që ai i bën
vuajtjes së Hafiz Musa Dërgutit
(1888-1961), me të cilin kishin kaluar
ditë të tëra në burgjet e errësirës...
[Po ashtu i mbështjellë nofullash me
shami për mungesë mjekre edhe plaku
tjetër hafiz Musa Dërguti, që do kohë ma
parë ia kishte la në gjak fytyrën nji
polici, kur ai i kishte pasë derdhë ujtë
e “abdesit” aty te truma, e që kur
kishte kenë në Sigurim, i kishte pasë
thanë nji shoku të dhomës: “Më kërkojnë
me folë për priftën, dojnë me na përça,
e nesër me thanë se u pushkatuen
priftënt me dëshmitë e hoxhallarëve. U
kam thanë bani çka të doni, se atë punë
s’e baj kurr”] - (Ahmet Bushati, “Në
gjurmët e nji ditari”, Shkodër, 2007, f.
428.)
Edhe tani që e rilexoj këtë fragment,
ndjej një dhimbje të madhe për Hoxhën,
të cilit ia kishin deformuar pamjen me
heqjen e mjekrës së tij të dendur...
Ndjej neveri për baballarët shpirtëror
të atyre që sot kanë kurajon të na
mbajnë edhe fjalime e të japin leksione
për besimin dhe vlerat shpirtërore të
kombit shqiptar, ndonëse ata janë të
fundit që duhet ta bëjnë këtë... Ndoshta
kanë harruar se baballarët e tyre, dikur
donin të mbillnin farën e keqe të
përçarjes kombëtare me element fetar...
(Fatkeqësisht, akoma ka sot, prej atyre
që i mëshojnë me të madhe kësaj teze
ogurzezë!?)
Më erdhën ndër mend edhe persekutimet e
hoxhallarëve të shumtë, për të cilët,
sot nuk flet më njeri. Persekutimet
fetare dhe shkatërrimin e faltoreve e
kanë kthyer sot në një çështje
selektive, njësoj si laicizmin e
politikës dhe politikave të këtij vendi,
mjerisht..!?
Më erdh ndër mend edhe Hafiz Sabri
Bushati (1889-1971) dhe kujtimet e
shumta të shkruara për të... I
vetëizoluar në shtëpi, ditëve të xhuma,
Myftiu i dikurshëm i Shkodrës bëhej gati
për të falur namazin më të rëndësishëm
të javës, por nuk e kalonte dot pragun e
derës së oborrit, që e lante me lotët e
dhimbjes... Xhamitë ishin shkatërruar e
aktiviteti fetar ishte ndaluar me
ligj... Kështu, Hoxha i moshuar kthehej
mbrapsht, i mbështetur në bastunin e
tij, që në heshtje i bëhej shok...
Rilexova edhe një herë shënimet plot
elokuencë të shkrimtarit Xhahid Bushati
për Hafiz Ali Krujën (1884-1976), që
gjithashtu ishte vetëizoluar dhe nuk
dilte më nga shtëpia... Burrë i urtë "i
veshur hijshëm, me bastunin që trokiste
tak-tak, ai trembte natën..."
Në fakt, kjo është e vërteta! Ata edhe
sot e trembin natën e imponuar të
realiteteve servile, ku imazhi dhe
përshpirtja që dhuron kujtimi i tyre,
qëndrojnë në piedestalet më të larta të
kujtesës popullore... Madhështia e tyre,
edhe në heshtje tremb natën...
Imam
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 15 mars 2016