Në gjurmët dritësuese të "Kulturës Islame"...

Këto ditë kam në dorë revistën "Kultura Islame", organ i Komunitetit Musliman Shqiptar, që doli në qarkullim dhe u botua në Tiranë në periudhën shtator 1939 - janar-shkurt 1946.
Më tërhoqi vëmendjen një lajmërim i bërë në nr. 8-9, prill-maj 1942-XX, f. 125, në artikullin me titull: "Një dorëshkrim 110 vjeç i vjetër".

Thotë kështu: "Z. Jashar Erebara, gjurmues i shkrimeve të vjetra ka mundur të shtierë nën zotrim një dorëshkrim me datë 1250-51 hixhri. (Sot jemi në vitin 1437 hixhri. -M.S.-)

Kjo vepër e shkrueme shqip me 41 gerna arapçe prej Shemimi Babajt, ka një vlerë të posaçme për gërmuesat e gjuhës amtare t'onë. Ajo përmban shumë fjalë dhe shprehje thjesht shqip. Asht në një kohë edhe si diksioner e bisedime shqip-turqisht e anasjelltas, me fraza të përdoruna prej gojës së popullit...

Auktori me rastin e një fjalimi shqip që ishte mbajtun në Shkodër, shprehet kështu: "Ky fjalim në Ishkodra (Shkodër) u ba në gjuhën shqipe. Ushtarët e ardhun s'muerrën vesht gja fare. Më sa kuptojnë shumica e jonë turqishten."

Nëpër faqet e këtij dorëshkrimi e shpesh nëpër skanjet e tij radhiten vjersha që kallzojnë ngjarje të ndryshme e sidomos këshilla të bukura për lexuesin. Dorëshkrimit duhet me i kushtue një kohë të gjatë për me mund me zbulue thesaret e vlefshme që mshifen mbrenda. Vlerën e kësaj vepre e ka çëmue edhe orientalisti i famshëm, profesor Rossi, i cili ka fotokopjue disa pjesë prej saj."

Në përfundim të këtij lajmërimi, redaksia e revistës tërheq vëmendjen e studiuesve realistë e të sinqertë, (jo konjukturalëve në mesin e tyre), kur thotë: "Veprat e shkrimtarëve musliman shqiptar, që janë përpjekun për gjuhën e vendit t'onë, kanë ngelun në pluhnin e harresës... Ata janë përpjekun me sa kanë mundun e na s'jemi të zot me i gjet e çmue."

Kjo është një e vërtetë e hidhur, që duhet të trokasë në ndërgjegjen e teologëve dhe studiuesve të rinj, që e kanë për detyrë të hulumtojnë, të shkruajnë e të nxjerrin në pah thesare kulturore e shpirtërore nga botimet e hoxhallarëve dhe shkrimtarëve tanë muslimanë, nga dorëshkrimet dhe botimet e tyre të vjetra në gjuhën tonë amtare, me shkronja arabe.

Dhe, për një moment, duke sjellur ndër mend angazhimin e madh të misionarëve të përçarjes kombëtare, analizat e tyre tinzare të historisë, (edhe me ndihmën e sistemit komunist), m'u kujtuan ca vargje të Hafiz Jusuf Këlmendit (1876-1943), kur thotë:

Gajn- Gajret ka shum shejtani
imanin ne me na mârr
Rahmet mi ne bâft Rrahmani
e na rujt atij zevâl...

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 14 mars 2016

 


Në gjurmët dritësuese të "Kulturës Islame"...