"Unë e di Shkodër se nuk jam gja,
veçse mburrem që jam shkodran..!"
13 mars 2016
Këtë që do ju them
tani, mos ma merrni për fanatizëm!
"Shkodra është kryeqyteti i Islamit në
Shqipëri!", ma tha sot një mik i
shtrenjtë nga vendet e shenjta, me të
cilin po vizitonim qytetin e bukur të
diversitetit shpirtëror e kulturor;
Shkodërlocen zemërmadhe...
"Kjo pjesë e qytetit tuaj ngjan shumë me
lagjen e Sidi Ebu Ejjubit në Stamboll",
tha, teksa po bënim një shëtitje në
pedonalen që të çon te Xhamia e Madhe...
"Kishat përreth xhamisë së Hz. Ebu
Bekrit, i ngjajnë Kudsit Sherifë në
Palestinë", tha, teksa po hynim për të
falur mesditën... (Në rresht me ne, sot
u fal edhe një mjek, që për herë të parë
shkelte në një xhami. Ishte namazi i tij
i parë. E uruam, duke u përqafuar me
shumë emocion)...
"Interesant atmosfera tek ju, ngjan me
atmosferën e Damaskut", tha, teksa
vërente selamet e shpeshta dhe
përshëndetjet, me të cilat qytetarë të
ndryshëm na nderonin e na ndalnin në
rrugë...
"Në kryeqytet të merr malli të dëgjosh
ezanin!", tha, duke i ndriçuar sytë nga
pamja e minareve të bukura të qytetit
tonë, prej ku, ezani pesë herë në ditë
mbulon me pelerinë bekimesh atmosferën e
jetës shpirtërore të njerëzve...
"Gjurmët osmane tek ju, rrezatojnë akoma
shpirt shekujsh, a nuk e ndjeni?", më
pyeti, teksa po kalonim bri Urës së
Mesit, ku shkrepëm edhe ca foto, si
kujtim...
"Nuk ka si Xhamia e Plumbit, që vizituam
herën e shkuar!", më bëri me shenjë, si
për të më kërkuar ta vizitonim sërish e
sërish...
"Kush pi ujë nga kjo çezme, do rikthehet
sërish në Shkodër", i tha njëri prej
vëllezërve, në shoqërinë e të cilit
kaluam çaste të paçmuara, teksa kalonim
pranë xhamisë së Parrucës. Ai u ndal, na
pa me të shpejtë, hapi rubinetin dhe
pasi piu ujë tha: "Në Damask, në çdo
lagje ka çezme hajratesh të ngjashme me
këtë! Unë dua të jem përherë në
Shkodër!"...
"Po bëj një shëtitje të paharrueshme në
kryeqytetin e Islamit në Shqipëri, në
Shkodër...", lajmëroi familjen e tij në
telefon, teksa po ktheheshim nga Ura e
Shtrenjtë, minarja e së cilës i tërhoqi
vëmendjen për bardhësinë e saj...
Miku im i shtrenjtë kaloi një ditë të
paharruar sot në Shkodër... U gëzova pa
masë. Ndërkohë m'u kujtuan vargjet e
Vexhi Buharasë, kur thotë:
Dashurin' që kam për tynë
Ma di rrezja drit' e diellit;
Ti dhe unë të pandarë
Jemi brenda rrotës' qiellit...
Më erdh para sysh edhe fytyra e nurshme
e Hoxhës, H. Vehbi Gavoçi, i cili, nga
Damasku i largët, në moshë të thyer, i
shkruante një letër malli Vendlindjes së
tij Shkodrës. E mbyllte me këtë fjali:
"Unë e di Shkodër se nuk jam gja, veçse
mburrem që jam shkodran..!"
Imam
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 13 mars 2016.