Duke lexuar anekdotat e Sami Frashërit...

Në librin e tij "Anekdota", burri i urtë dhe i ditur shqiptar, Sami Frashëri, rrëfen se një italian nguli këmbë se, nga poetët më të njohur italianë, Dantja ishte më i aftë se Ariostoja. Më në fund, pas disa dyluftimeve me kundërshtarët për këtë çështje, ishte duke vdekur nga plagët e marra. Duke dhënë shpirt tha: "Më vjen keq, se po vdes pa lexuar asnjë vepër të tyre: as të Dantes, e as të Ariostos".

Fabula tragjike, në fakt më sjell ndër mend realitete të përditshmërisë së shoqërisë tonë. Gjithandej ka njerëz që flasin e flasin pa fund, pa pasur lidhje me atë që pretendojnë.

Ka njerëz që bëjnë si mësues, ka që bëjnë si filozofë, ca të tjerë shembëllejnë si politologë, ca si ekonomistë, disa të tjerë si drejtues, ka që bëjnë si deputetë, disa si intelektualë, ca si hoxhallarë, disa bëjnë teologun historian, ca si hadithologë, dikush ka dëgjuar ca terma në lëmitë më të ndërlikuara të fesë; me to kalon kohën, sa një vend në tjetrin, duke mbledhur "ithtarë" e "pasues"...

Por, ka edhe modele provinciale, që të lodhin me mungesën e dijes dhe profesionalizmit, ndërkohë që bëjnë të plotdijshmin, ekspertin... Të tillë bëhen edhe drejtues institucionesh, firmosin e nënshkruajnë, në kurriz të hutimit masiv të shoqërive dekadente... Subhanallah!
Shkruhet se Imam Maverdi, në librin e tij të famshëm: "Edebud-dunja ved-din", ka thënë: "Njerëzit janë katër llojesh: Një njeri që di, i cili e di se di; ky është i ditur, pyeteni! Dhe, një njeri që di, por që nuk e di se di; ky është i hutuar, kujtojani! Dhe, një njeri që nuk di, i cili e di se nuk di; ky kërkon udhëzim, udhëzojeni! Dhe, një njeri që nuk di, i cili nuk e di se nuk di; ky është injorant, refuzojeni!"

E vërteta është se, në shumë raste injoranca prezantohet si dije, vlerë e arritje, ndërsa të paditurit, si ekspertë të fushave të ndryshme, intelektualë, të pjekur..!? Problem është, kur njeriu nuk njeh cakun e tij dhe lajthitjet e karakterit dhe ndërgjegjes së sëmurë i bën publike, pa ndrojtje, pa sedër..!?

Ibnul-Mubarek thoshte: "Nevoja jonë për pak edukatë është më e madhe se nevoja jonë për shumë dije!"...

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 12 mars 2016.

 


Duke lexuar anekdotat e Sami Frashërit...