“Nëntë gjëra
që të ndihmojnë në jetën tënde të përditshme”
11 mars 2016
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut të
Madhëruar, Krijuesit të gjithësisë, që
krijoi dhe përsosi, udhëzoi dhe
plotësoi, i dhuroi njeriut bekimet
pafund të përmendjes së Emrave të Tij,
pa ndërmjetës, pa ndërlidhës, pa
ndërhyrës… Thotë në Kur’anin Famëlartë:
“Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte”[1]
Salavatet dhe selamet më të përzemërta
ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo
ditë të jetës tonë, zotërsisë së bijve
të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), të
dërguarit mëshirë për mbarë botët;
këshillues dhe qortues, udhërrëfyes
drejt rrugës së drejtë, pas së cilës nuk
ka devijim e dëshpërim!
Të dashur vëllezër
besimtarë,
Po lexoja para pak ditësh në shënimet e
njërit prej thirrësve të shquar islamë
të kohës tonë, ku gjeta edhe këtë
këshillë interesante, që dëshiroj të
jetë mesazhi i kësaj jave. Shkruan:
“Nëntë gjëra të ndihmojnë në jetën tënde
të përditshme:
1. Dëshiron lumturinë? Fale namazin në
kohën e vet.
2. Dëshiron dritën e fytyrës? Fal namaz
nate.
3. Dëshiron rehatinë? Lexo Kur’an.
4. Dëshiron shëndetin? Agjëro.
5. Dëshiron rrugëzgjidhje? Shtoje
istigfarin. (Estagfirull-llah)
6. Dëshiron largimin e brengës? Lutu.
7. Dëshiron sosjen e vështirësisë?
Thuaj: La haule ve la kuvvete il-la
bil-lah.
8. Dëshiron begatinë? Bjer salavatë për
të dërguarin.
9. Dëshiron të shpërblehesh pa u lodhur?
Mos i mbaj për vete këto mirësi,
shpërndaji për hir të All-llahut, duke i
konsideruar si një sadeka rrjedhëse, që
do të shkruhet në peshoren e veprave
tuaja.”[2]
U ndala pak. Zakonisht, ne jemi të ftuar
që fjalët e kujtdo prej njerëzve të
shquar të fesë, prej të parëve e deri
tek më të afërmit në kohë, t’i peshojmë
me Kur’an dhe me fjalët e të dërguarit;
nëse kanë një bazë, i vlerësojmë dhe i
marrim në konsideratë, përndryshe, i
kalojmë si urtësi, të cilat nuk jemi të
obliguar t’i zbatojmë as t’i
“shenjtërojmë”, siç bëjmë shpesh me
fetva të ndryshme, thënie dijetarësh
etj.!
Ajo që dua nëpërmjet hytbes së kësaj
jave, është tërheqja e vëmendjes drejt
mirësive pa fund, që na janë dhuruar për
ta jetuar jetën mbi bazën e rregullit,
jo në mënyrë anarkike. Nuk dua të bëj
analizën e 9 pikave të lartshënuara, do
shkonte gjatë, por dua të ftoj secilin
prej jush ta shohim e ta lexojmë jetën
ndryshe, para duarve të thirrjeve të
fesë tonë islame.
Realitetet e jetës së njeriut të kësaj
kohe, janë realitete të mbushura me
stres, me lodhje, me prekje frike, me
mungesë sigurie, me mosbesim, me
paragjykim, me ankth, me shqetësim e
brenga pa fund. Në Shqipëri, ka mbi 100
vite, që shoqëria noton në këto ujëra të
turbullta, me siguri të lëkundur, pa
ekonomi të qëndrueshme, me persekutimtim
ndaj fesë, me padrejtësi e shthurje të
pushteteve, por jo vetëm kaq.
Për këtë, Islami ka dhënë zgjidhjet e
tij, për t’i dhuruar besimtarit kurajo,
qetësi, durim, urtësi, rehati
shpirtërore, si dhe për ta pajisur me
sekretet e përballjes me vështirësitë e
ditës; namazi i natës, dhikri,
salavatet, lutjet, namazet ditore,
leximi i vazhdueshëm i Kur’anit etj.
Vëllezër besimtarë,
Falja e namazit në kohën e vet, nuk
është thjeshtë një angazhim disiplinor
për kryerjen e disa lëvizjeve
gjimnastikore të shoqëruara me leximin e
disa teksteve të shenjta kur’anore, siç
e perceptojnë shumë praktikues të
namazit, namazin.
Ai është shtylla kryesore e fesë.
Kuptimi i duhur i namazit dhe i veprimit
të tij dhuron ndjesi të shumta, ku
spikat ajo e mbikqyrjes së marrëdhënies
me Zotin e gjithësisë, i Cili urdhëron:
“… vërtetë namazi të ruan nga shthurja
dhe nga çdo vepër e shëmtuar”[3]
Mendo për pak, kur ti zgjohesh herët në
mëngjes, me nijet për ta nisur ditën me
katër rekatet e sabahut (2 e 2), me
lutjet e një dite të re plot mbarësi e
mirësi, a nuk e ke për detyrë t’i
kërkosh llogari vetes që të ruhet për të
mos shkelur në ndalesat e Atij Zoti, të
Cilit iu nënshtrua që në sabah, besën e
të Cilit do të ripërtërijë pas disa
orësh në ndalesën e dytë të namazit
ditor, atë të mesditës? Poashtu deri në
kohën e iqindisë, akshamit e jacisë, me
të cilën e mbyll ditën? Pra, a nuk është
namazi i drejtë në vetëvete një hapësirë
lumturimi, që të fal garanci dhe të jep
kurajo të vazhdueshme në jetë?
Ky lloj njeriu, që ditën e nis me lutje
e nështrim para duarve të Krijuesit të
vetëm të universit, a mund të jetë
mashtrues dhe i padrejtë me tjetrin,
kushdo qoftë ai? A mund të jetë zemërkeq
e nihilist? A mund të jetë hileqar e
gojëprishur? Absolutisht, jo!
Nga ana tjetër, shpesh shohim e dëgjojmë
muslimanë pa namaz, pa haxh, pa agjërim,
pa zekat… Dhe ka të drejtë kush pyet i
habitur: “Çfarë feje, pa namaz?! Dhe
çfarë kuptimi ka përkatësia islame pa
namaz? Themi muslimanë, por nuk falemi,
ose neglizhojmë namazin, ose e lëmë fare
namazin. Po ku është Islami këtu? Ku
është sinqeriteti me All-llahun?”[4]
Kujtoj një djalë të ri, mjek musliman.
Shkova të bëj një vizitë dhe kur e pyeta
për takimin e radhës, ma ktheu: “Këtu
jam zakonisht, përveç kohëve të namazve,
kur dal për t’u falur te xhamia më afër
klinikës! Bëj një pushim 15 minutësh…”
Ky është modeli, ky është lumturimi i
natyrshëm që të jep Islami!
Sepse namazi, perveç se është themeli i
marrëdhënies me Zotin dhe shtylla
kryesore që e mban zemrën e besimit në
jetë, është edhe dëshmi komunitare; e
kundërta e hipokrizisë. Për këtë,
Resulull-llahu thoshte: “Diferenca në
mes nesh dhe tyre është namazi, ai që e
lë atë ka mohuar Zotin!”[5]
Jo për të bërtitur disa djelmosha të
paformuar: “E kam babën qafir, se nuk
falet!”, jo, kjo është mungesë edukate
në hak të kujtdo dhe banalizim i fesë
dhe i hadithit në fjalë!
Hadithi i lartshënuar është thirrja më e
fortë drejtuar muslimanëve për të
ruajtur hakun e bashkësisë së tyre,
nëpërmjet namazeve me xhemat në xhami!
Është thirrja e shpirtit drejtuar mbarë
muslimanëve, për t’u takuar pesë herë në
ditë në xhami, sup më sup e dorë për
dore. (Jo, inate primitive medhhebesh e
kokëfortësi fetvashë, që nxjerrin vetë
fenë nga feja!?)
Shih pastaj jetën ekonomike, pozicionin
në shoqëri, edukimin e brezit të ri,
lidhjet shoqërore, gjuhën e komunikimit
komunitar në mesin e muslimanëve dhe
jashtë tyre, kur të jetë rregulluar
namazi! Sepse është amaneti i Zotit,
pragu, besa, shpirti!
“Namazi e bart të zotin drejt largimit
nga shthurja dhe lënia e veprave të
shëmtuara, sipas përkushtimit dhe
prezencës së zemrës së tij në namaz”[6],
thotë dijetari i shquar Shejkh
Abdull-llah Siraxhuddin.
E pikërisht, tek vlera e namazit dhe
tërheqja e besimtarëve të përkushtuar
ndaj lutjes para duarve të Tij, edhe kur
të tjerët flenë, thotë në Kur’an: “Ata
qenë të cilët pak flinin natën. Dhe në
syfyr (nga mbarimi i natës) ata kërkonin
falje për mëkatet”[7]
Ndërsa Resulull-llahu (a.s) thoshte:
“Faleni namazin e natës, sepse ai është
traditë e njerëzve të mirë para jush,
është afrim me Zotin tuaj, fshin
gabimet, ndalon gjynahin!”[8]
I lumi ai që udhëzohet drejt namazit të
natës, sexhdes së gjatë e lutjes në
qetësi, para duarve të Zotit të
gjithësisë! I lumi ai, që i përgjigjet
Resulull-llahut (a.s) teksa udhëzon: “Më
afër, ku mund të jetë njerriu me Zotin e
vet, është në momentin, kur është në
sexhde, prandaj shtojeni lutjen!”[9]
Të dashur vëllezër,
Feja është fakte konkrete, argumente të
qarta, moral dhe sjellje, dëshmim i
mirësive me të cilat All-llahu i
Madhëruar na ka udhëzuar sesi ta jetojmë
jetën larg stresit, brengave,
shqetësimeve e tronditjeve emocionale
kalimtare e epsharake.
Në fakt, feja është stacioni i parë dhe
i fundit, i lumturimit në këtë botë dhe
në të përtejmen!
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Plumbit)
Shkodër, më 11 mars 2016.
[1] Kur’ani,
El-Alak: 5.
[2] Në
publikimet online në faqen zyrtare të
Dr. Omer Abdulkafi, në gjuhën arabe.
[3] Kur’ani,
El-Ankebut: 45. (version i përkthimit të
kuptimeve të Kur’anit nga H. Hasan
Nahi).
[4] Aid
El-Karni, “El-misku vel-anber fi
khutabil-minber”, botimi i parë, Egjipt,
2005, f. 222.
[5] Transmetuar
nga Nesaiu dhe Tirmidhiu etj.
[6] Abdull-llah
Siraxhuddin, “Et-tekarrubu ilall-llah”,
botimi i parë, Haleb, 1991, f. 27.
[7] Kur’ani,
Edh-Dharijat: 17. (version i përkthimit
të kuptimeve të Kur’anit nga H. Sherif
Ahmeti).
[8] Transmetuar
nga Tirmidhiu, nga Ebu Umame (r.a).
[9] Transmetuar
nga Muslimi, nga Ebu Hurejra (r.a).