"Pastërtia është prej besimit"...

Po ndiqja me vëmendje një video të shkurtër të një peshkatari në det, teksa shpëton një breshkë uji nga një lloj plastike, që ishte ngatërruar për gjymtyrët e saj, duke ia vështirësuar notimin.

Veprimi i peshkatarit, që me një përkujdesje të theksuar e liron krijesën e ujit nga vështirësia ku ndodhej, më kujtoi hadithin e gruas së shthurur, që i dha për të pirë një qeni të etur, diku në një sahra të thatë. "All-llahu e falënderoi veprimin e saj dhe i dhuroi xhennetin", thuhet në atë transmetim të saktë.

M'u kujtua edhe gruaja, që meritoi ndëshkimin e Zotit në jetën e përtejme, për shkak të një maceje të gjorë. "E izoloi. Nuk i jepte për të ngrënë, as e lejonte të hante nga mbeturinat e rrugës", thuhet në transmetimin e atij hadithi.

Nganjëherë, na mundësohet të bëjmë mirë në jetë, neglizhojmë. Nganjëherë duam të bëjmë mirë, nuk na mundësohet. Shpesh, na krijohen rrethanat për të bërë mirë, hezitojmë. Ndërkohë, në hadithin e saktë, transmetohet se i dërguari i All-llahut ka thënë: "Besimi është shtatëdhjetë e ca degë... më e afërta e tyre është largimi i të keqes nga rruga"...

Para ca ditësh, po kalonim bri liqenit të Shkodrës. Frynte një erë e lehtë, puhizë që lajmëron se pranvera ka nisur rrugëtimin drejt nesh, ndonëse është akoma dimër. Ishte ditë, prej atyre që të ftojnë të meditosh në bukurinë e krijesave të Zotit...

Me gjithë pastërtinë e qiellit dhe begatinë e rrezeve të ngrohta të diellit, liqeni ishte mbushur me shishe të ndryshme, me tapa dhe pa tapa, qese plastike, plastifikime ushqimesh të shpejta etj, që notonin të pavëmendshme në shoqërinë e rrjedhave, që me siguri i përcillnin në drejtim të derdhjes së Bunës...

Si për ta plotësuar tabllonë e mbetjeve notare të asaj dite, një vajzë e re, diku aty afër, i dha lamtumirën e saj drejt shisheve e paketave të lloj-llojshme, një kutie cigaresh... (Tashmë edhe vazjat e reja pijnë duhan, është modë, është dëshmi pjekurie, pa të cilën, nuk mund të konsiderohet bashkëkohore e kompletuar..?!)

Më erdhi ndër mend hadithi: "Pastërtia është prej besimit"... U binda edhe më shumë se mungesa e kulturës dhe edukatës së besimit, sidomos në familje e shkollë, që natyrshëm do t'i mëkonte fëmijëve përkujdesjen edhe për gjërat më elementare në jetë; pastërtinë si prag, e bën njeriun të jetojë si një qenie normale, në pamje të parë, krejtësisht primitive dhe e prapambetur, në realitet!

Iu riktheva videos, ku më tërhoqën vëmendjen shenjat e kënaqësisë dhe qetësisë në fytyrën e peshkatarit. Janë pa dyshim shenjat e bekimeve të Zotit, që na dhuron paqe e qetësi, sa herë dëshmojmë vullnetin për të qenë të dobishëm për krijesat e Tij...

Imam Muhamede B. Sytari
Shkodër, më 10 mars 2016.

 


"Pastërtia është prej besimit"...