"Populli musliman don me ndigju bilbilat
e jo kukuvajkat..."
09 mars 2016
Po lexoj veprën me
titull: "Në fenë e të parëve", të
autorit Hajrudin S. Muja, botim i
LOGOS-A.
Iu riktheva fabulës së pikënisjes së
kësaj vepre, të shkruar me kurajo, dije
e argumente historike, që duhen thënë e
duhen dëshmuar ashtu siç janë!
Autori thotë kështu: "Kishte qenë
njëherë një grua, e cila, në kohën e
vet, e kishte braktisur fenë me të cilën
ishte rritur dhe edukuar. Pastaj, kishte
braktisur edhe radhët e ateistëve dhe i
ishte bashkangjitur një feje tjetër.
Mandej, sërish kishte filluar të bindej
se e vërteta është në një tjetër fe.
Kështu, saherë që ndryshonte, mendonte
se kishte gjetur Zotin që kishte
kërkuar; por, jo, prapë mbetej e
pakënaqur! ... Në fakt, gjendja e saj e
brendshme ishte në kaos të vërtetë, e
pavendosur dhe e dyshimtë. Ashtu e
shqetësuar, pati dëgjuar për famën e një
mësuesi, tek i cili vendosi të shkonte e
të merrte ndonjë këshillë të vyeshme.
Pasi mësuesi dëgjoi historinë e saj të
konvertimeve nga një fe në tjetrën, i
tha: "Kthehu në shtëpinë tënde dhe unë
do ta dërgoj më pas vendimin tim."
Pas tri ditësh i erdhi një pako të cilën
e dërgonte mësuesi. Brenda saj kishte
një shishe qelqi, me tri shtresa rëre:
të bardhë, të zezë e të kuqe, të cilat
kishin qenë të shtypura me një shtresë
ndarëse, për të mos u përzier. Nga
jashtë, në shishe kishte shkruar:
"Largoje shtresën ndarëse dhe shiko si
dukesh."
Ajo e largoi dhe përzjeu rërën në
shishe. E gjithë ajo që i mbeti në duar
ishte vetëm një grumbull rëre ngjyrë
hiri, një mishmash i llojit të vet."
Në fakt, kjo fabul personifikon shumë
mirë gjendjen e brendshme të shumë të
rinjve në realitetet shqiptare. Aq më
shumë ata të rinj të pafajshëm,
baballarët e të cilëve kanë pësuar një
lavazh truri dhe një tjetërsim të
dhunshëm të identitetit fetar në
periudhën komuniste!?
Nuk kanë faj as sot, kur dhuna e
kahershme e kohës së baballarëve, u
modifikua gjenetikisht në propagandë të
paskrupullt kundër Islamit dhe
muslimanëve në trojet shqiptare; herë me
të butë e herë dhunshëm, herë me hile e
herë me lot krokodili...
Nuk kanë faj, jo, në këtë aspekt! Nuk
kanë faj as se institucionet e Thirrjes
Islame dhe personazhet e saj, vegjetojnë
në një përgjumje dehëse dhe në një
gjendje egoizmi xhahil, që nuk i lejon
të shohin përtej majës së hundës!?
Nuk kanë faj, as për shumësinë e
misionarëve, që sillen vërdallë me çanta
lëkure, revista e broshura, që i mbajnë
në gjoks, teksa hedhin hapat, herë si
rrogëtarë, që mezi presin t'u mbarojë
dita e punës, herë si manjakë, që të
ngjiten nga pas, si rrodhja...
Por, të rinjtë e kohës tonë, e kanë një
përgjegjësi, para Zotit e para vetes së
tyre; atë të gjurmimit në thellësitë e
shpirtit, për të gjetur cakun e
udhëzimit, besimin, fenë, thirrjen e
shpirtit, genin e familjes, pragun!
Të rinjtë e sotëm, nuk duhet të jetojnë
në kriza mishmashesh, as të bien pre e
këngës së kukuvajkave. Sepse, siç
shkruhet edhe në "Zanin e Naltë", të
vitit 1925: "Populli musliman don me
ndigju bilbilat e jo kukuvajkat. Se
kukuvajkat n'até shtëpi qi këndojnë
lajmërojnë gjëmën edhe rrënimin e saj."
Imam
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 9 mars 2016.