"Unë jam dërguar Mësues!"
07 mars 2016
Paraditën e sotme,
teksa po dilja për në punë, pata një
ndjesi të veçantë, teksa shihja turma
fëmijësh, të veshur si për bajram, me
lule në dorë, të qeshur e plot
optimizëm, teksa rendnin andej e këndej,
drejt shkollës, drejt Mësuesve...
Më solli ndër mend një moment shumë
interesant, në zemër të shekujve të
largët, teksa Hz. Muhammedi (a.s) hynte
në xhaminë e tij dhe, teksa shihte në
një cep të saj një grup të rinjsh që po
mësonin e po diskutonin rreth diturisë,
u drejtua nga ata dhe tha: "Unë jam
dërguar Mësues!" dhe u ul pranë tyre...
E, duke ecur në mendimet e botës së
mësuesve dhe diturisë, u ndala të
rilexoj mësimet e shkuara të korifeut të
abetareve shqipe, Daut ef. Boriçit,
Hoxhës së ditur dhe njeriut vizionar.
Diku nga viti 1861, kur shkroi abetaren
e tij të parë shqipe, në mesin e
këshillave të urta shkroi edhe këto
relikte diturore: "Xen me shkrue shqip",
"Mos rri pa punë", "Mos rrej", "Shko
n'shkollë" etj...
Pastaj, m'u bë se dëgjova dy fëmijë,
kalimtarë bri meje, që përmendën emrin e
shkollës së tyre... "Ismail Qemali"...
Buzëqesha, se m'u kujtua fëmijëria ime,
klasa e parë në atë shkollë, vitet më të
bukura të mësimit të alfabetit të gjuhës
time, lënda e bukurshkrimit në veçanti,
mësueset e para, shokët e klasës, bota e
jonë...
M'u kujtua edhe emri i drejtorit të parë
të asaj shkolle, në zanafillën e saj, i
nderuari, mendjendrituri Hafiz Abaz
Golemi... Natyrshëm i është harruar
emri, misioni, shpirti e sakrificat e 12
viteve të para të asaj shkolle plot
vlera, që, thuhet se e drejtoi me
kompetencë të madhe... (Diku në një
rrugicë qorre, afër Tophanës, kujtoj se
e kam lexuar emrin e tij, mbi një
pllakatë të ftohtë e të heshtur
metalike)...
Ia pata zili fëmijëve me lule e
buzëqeshje, në rrugëtimet e tyre të
kësaj dite... Dëshirova të kthehem pas
në moshën e tyre, ndonëse kjo gjë nuk
mund të ndodhë... Dëshirova të rikthehem
sërish në bankat e klasës së parë e, me
zemër të falënderoj Mësueset e mia të
para. Ndonjë që nuk jeton më, do
dëshiroja t'ia ridëgjoja zërin, ndonëse
ai zë është përzier në qenien time, diku
struket në themel të dëshirës e
vullnetit për të lexuar e për të
shkruar... Si të thuash, zëri i tyre
përzihet çdo ditë me zërin tim, me
fjalët e mia, (ato më të mirat e më të
urtat, natyrshëm)...
E, sërish u riktheva në momentin e
hyrjes së Resulull-llahut (a.s) në xhami
dhe dëshminë e tij historike: "Unë jam
dërguar Mësues!"...
Nuk gjeta bekim e madhërim më të madh
për shembullin dhe sakrificën e tyre!
Nuk gjeta urim më të bukur, më fisnik,
më hyjnor...
Imam
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 7 mars 2016.