Dr. Hasan Turabi dhe, (tri pika)...

Mbrëmjen që kaloi u lajmërua ndarja nga jeta e mendimtarit të shquar islam, sudanezit Dr. Hasan Turabi, në moshën 84 vjeçare, pas një ataku kardiak.

Mendimtari i shquar sudanez, ishte një personazh, që jetoi në një kohë përgjumjeje dhe injorance të thellë të botës islame. Në një kohë, kur çdo gjë kishte dhe akoma ka nevojë për rishikim dhe, kur disa "perandori të rreme" të mendimit të ngurtësuar fetar duheshin dhe duhen shkallmuar pa mëshirë...

Personalitet poliedrik, që thirri për rinovimin e mendimit, usulit dhe fikhut islam, në një kohë hutimi të thellë të botës islame. Falë kallepeve të shenjtëruara nga njeriu i mangët, hoxhallarë e prijës urdhërash sufiste e selefiste, u kthyen në idhuj, si të ishin ahbarët e beni israilëve, për të cilët flet edhe Kur'ani Famëlartë, që ne nuk e lexojmë e s'dijmë ta lexojmë, xhanëm!?

Dr. Turabi thirri për mosndarjen e fesë nga politika, nga jeta, për mos transformimin e fesë, si tek të krishterët e hebrenjtë. Ai thoshte se politika ka nevojë për pendim, ekonomia dhe kultura poashtu. Por, kam përshtypjen se u keqkuptua dhe nuk u vlerësua si duhet mendimi i tij në këtë drejtim, u kryqëzua si Jehudha Askarjoti, ndonëse ai nuk ishte Judë!?

Thoshte: "Unë nuk mendoj për të ardhur në pushtet, por që pushteti të pendohet nga feja, poashtu ekonomia, papunësia, injoranca..."

Burri i urtë sudanez, ftoi muslimanët të mos përsërisin gabimet e beni israilëve në raport me fenë e me Zotin, ndonëse realitetet e botës së sotme islame dëshmojnë, se ne ia kemi kaluar modelit të beni israilëve të Kur'anit, në shumë drejtime...

Dr. Hasan Turabi, i cili u nda nga jeta në moshën 84 vjeçare, u diplomua nga Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin e Hartumit (Sudan), në vitin 1955. Magjistroi në Oksford (Angli), në vitin 1957 dhe doktoroi në Sorbon (Francë), në vitin 1964. Ai fliste katër gjuhë: arabishten, anglishten, frëngjishten dhe gjermanishten.

Në vite të ndryshme ai ka shërbyer edhe si rektor universiteti, ministër i jashtëm, kryetar parlamenti, ministër drejtësie, sikurse themeloi edhe partinë e Kongresit Popullor.

Ishte autor i një tefsiri të Kur'anit, i botimeve në usul, në fushën e rinovimit të politikës etj.
Natyrshëm, në rrugëtimin e tij, ai është kritikuar për mendime dhe konkluzione të ndryshme, (të cilat, pa dyshim që janë objekt studimi i dijetarëve dhe intelektualëve të thelluar), për të cilat vlen mendimi i Imam Malikut: "Të gjithëve u merret mendimi dhe u kthehet mbrapsht, përveç të zotit të këtij varri (duke bërë me dorë nga varri i Resulull-llahut a.s.)"

Dr. Hasan Turabi ishte një personalitet i huaj për realitetet e sotme të botës së prapambetur, të përgjumur e primitivisht të përçarë islame..!?
Rahmet pastë!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 6 mars 2016.

 


Dr. Hasan Turabi dhe, (tri pika)...