"Shko, o Qabe! Unë dua Zotin tënd, jo ty!"

E shtuna e kësaj jave, u kthye në një stacion malli, kujtimesh e nostalgjie, që lidhin tokën me qiellin, zemrën e shpirtin me thellësitë e besimit, dashninë e djegien e zemrës me simbolikën e vendeve të shenjta...

Paraditën e sotme prita një grup besimtarësh nga zona e Postribës, që me mbarësinë e All-llahut, nisen pasnesër për kryerjen e Umres.

U gëzova pa masë për secilin prej tyre. I përhajrova me zemër dhe bashkarisht ndamë kujtime e momente emocionale nga e shkuara e secilit prej nesh, në raport me vendet e shenjta dhe frymëzimet e atjeshme.

Po dëgjoja me vëmendje secilin prej tyre. Vështroja me kënaqësi të madhe shkëndijat e besimit, që shndrisnin në dritën e syve të tyre, teksa më tregonin për zanafillën e nijetit për këtë Umre...

Është madhështore kjo fé! Është madhështor ky Islam, që në natyrshmërinë e marrëdhënieve të njeriut me Zotin, e bën krijesën e Zotit të afrohet përherë e më shumë drejt përsosmërisë së adhurimit, nëpërmjet mallit e dashnisë, dëshirës së zjarrtë dhe sosjes së durimit në pritje të takimit të madh...

"Mu m'ka ik edhe gjumi", tha njëri prej të moshuarve të këtij grupi. E di, e di mirë këtë ndjesi të vërtetë! Të ik gjumi e të ik shija e çdo gjëje që të lidh me këtë botë të përkohëshme... Nis e bëhesh Mexhnun... Dhe, ke të drejtë, nuk ke asnjë faj!

Është shpirti, që nis e vlon e, në përmallimin e tij, të imponohet me ligjet e botës së vet, derisa të kesh mbërritur tek Vendi... Asomoti, edhe mishi e gjaku të bëhen shpirt dhe krejt qenia e jote transformohet në Tavaf përreth Qabes Dritë-Nur...

M'u kujtua biseda e një miku të dashur, një natë më parë, teksa më tregonte për Rabia Adevijen dhe dialogun e saj me Qaben e Madhnueshme, të cilës i ishte drejtuar me dlirësinë e zemrës së saj: "Shko, o Qabe! Unë dua Zotin tënd, jo ty!"

Në fakt, Umreja dhe Haxhi, në vetëvete, janë shërbyesit më të mirë të ndërgjegjes besimtare, të zemrës së përmalluar e të shpirtit të lodhur nga pritja e viteve.., drejt dëshmimit të vargjeve të Amr ibni Kajsit, që teksa prekte muret e shtëpisë së Lejlasë, thërriste: "Jo muret e shtëpisë ma dogjën xhanin, por dashnia e banorëve të Shtëpisë!.."
Rrugë të mbarë, udhëtarë të Hakut..!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 5 mars 2016.

 


"Shko, o Qabe! Unë dua Zotin tënd, jo ty!"