"Po ndave zeqat, t'ndihmon Zoti!"...
02 mars 2016
"Po ndave zeqat,
t'ndihmon Zoti!", më tha një burrë i
vjetër intelektual shkodran, paraditen e
sotme. Ai përherë flet me urtësi dhe me
një bagazh dituror për t'u pasur zili. I
flet mosha, xhanëm.
Thënia e tij, më futi në mendime.
Fillimisht, trashëgimia kulturore
qytetare është një vlerë e madhe, të
cilën duhet ta marrim me kujdes nga më
të moshuarit, në botën e të cilëve,
termat islame përbëjnë natyrën e jetës
së përditshme. Janë burimi a themeli i
kulturës së natyrshme qytetare.
Ndërkohë, m'u kujtua një plakë e vjetër
katolike në zonën e Rrjollit, në
Velipojë, disa vite më parë. E kërrusur,
thatanike, me rroba të zeza, me një
torbë dhe një biçim bastuni, ku
mbështetej. Kushedi sa vite mbante mbi
supe. Veç Zoti i saj e dinte...
Një zonjë muslimane, aty afër, prej
atyre që trashëgojnë kulturën dhe
shpirtin e qytetarisë së vjetër
shkodrane, (qytetarinë tipike
muslimane), e ftoi të ulej, të
pushonte... I solli një gotë me ujë të
ftohtë, si për t'i larguar rreshkimin e
asaj paraditeje të nxehtë dhe teksa mori
t'i bënte një "kafe tarnake", nisi ta
pyeste...
Më tërhoqi vëmendjen një fjali e
shkurtër e plakës së moshuar... "M'asht
naksu shikimi". E mbajta shënim, bashkë
me datën, vendin dhe emrin e zonjës
plakë. "Naksimi", është fjalë me
prejardhje arabe, i thonë pakësimit.
Pra, e gjora plakë ankohej se nuk shihte
më si dikur, kishte nevojë për gjyslykë,
ndonëse nuk mbante syze...
Naksimi i shikimit kishte bërë punën e
vet, kishte lënë gjurmë në fytyrën e
gruas fisnike, që teksa mrrolej për të
parë më mirë, nuk hezitonte të nxirrte
ca uf-e nga thellësia e gjoksit... Sikur
çlodhej, teksa uf-et i dilnin për të mos
u kthyer më...
M'u kujtua edhe një burrë besimtar, diku
nga zona e Postribës, që teksa fliste me
të rinjtë përreth, e kishte zakon t'u
fërkonte shpatullat e t'u thoshte: "He,
asllan, asllan"... (Kjo shprehje më
sjell përherë ndër mend abetaren e Hafiz
Ali Korçës dhe tregimin e shkurtër:
"Asllani dhe dhelpra"... E kam parasysh
si tani.)
Ajo që dua të them me këto rreshta,
është nxitja për ta ruajtur trashëgiminë
e vjetër të terminologjisë orientale në
të shkruar e në të folur, në shqipen
tonë të shtrenjtë. Jo, vetëm kaq. Por,
unë besoj se ne e kemi për detyrë ta
mbledhim këtë trashëgimi, sidomos nga më
të moshuarit, në fjalët e të cilëve flen
urtësia...
Natyrshëm, dikush mund të më thotë se
kësaj trashëgimie ia ka dhënë hakun si
duhet studiuesi Tahir Dizdari në
kryeveprën e tij, "Fjalori i
orientalizmave". E di, është një punë
madhështore e papërsëritshme, nga një
studius poliglot e poliedrik.
Dhe, më mirë sesa imamët dhe thirrësit
islamë, që takohen përditë me njerëzit,
flasin e komunikojnë pa fund, këtë nuk
mund ta bëjë askush...
Nga fundi i bisedës me burrin e vjetër
intelektual shkodran, na u bashkua edhe
"maragjyli", bashkë me "drandofillen e
Hafiz Musasë"...
Imam
Muhamed B. Sytari
Shkodër, 2 mars 2016.