Kujdes nga nxitësit e euforisë
dhe anarshisë në emër të fesë!
01 mars 2016
Kur lexoj në rrjete
të ndryshme sociale personazhe që në
formimin e tyre profesional nuk kanë
asnjë lidhje me fenë dhe, që mbajnë
flamurin e nxitjes së rinisë tonë drejt
euforisë dhe anarshisë në përdorimin e
termave të caktuara islame dhe
njëkohësisht nxitjen e fitneve në mesin
e besimtarëve, më kujtohen fjalët e
studiuesit islam sirian, Dr. Murhaf
Sekka, me të cilat i drejtohet rinisë së
vendit të tij, kur thotë:
"Prej metodave të devijimit të rinisë
tonë është edhe përdorimi i termave
islame me tregues shkencor e juridik, të
mbështjellura me prekje emocionale e
anarkike, me qëllim nxitjen e irritimit
dhe fshehjen e mendjes nga brendësia dhe
domethënia e tyre.
Kjo ka për qëllim rekrutimin e të rinjve
muslimanë drejt realizimit të projekteve
që nuk janë në dobi të muslimanëve, as
nuk i shërbejnë qëllimeve për të cilët
janë shfaqur.
Ndoshta, këta të rinj do të befasohen me
faktin se ata ishin thjeshtë mjete të
lira në zbatimin e politikave të
shteteve, që mendonin se po luftonin
kundër tyre.
Përdorimi i termave si: kalifat, shtet
islam, ndëshkimet juridike sipas
sheriatit, blasfemia, kufri, bidati etj,
është formimi i tyre i ri.
Dhe, kushdo që i kundërshton, do të
përballet me të njëjtën metodologji
emocionale anarkike, duke u akuzuar
njëkohësisht me injorancë, frikë,
hipokrizi etj..."
Prandaj, ju them përherë: Larg
autodidaktizmit në leximin e fesë dhe
larg "rekrutuesve" injorantë! Sidomos
atyre, që ju shfaqen si hije nate, për
t'ju bërë moral feje e lavazh truri
(ndonëse janë tërësisht injorantë në
leximin dhe kuptimin e fesë) me
pëshpëritje tinzare, buzëqeshje të ëmbla
e fjalë të bukura, qoshkeve e larg
syve... Thjeshtë, po ju mashtrojnë!
Imam
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 1 mars 2016