Myftiu priti përfaqësuesin
e "Mercy International", Kuvajt
23 shkurt 2016
Paraditën e së
martës, më 23 shkurt 2016, Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti
në një takim të përzemërt përfaqësuesin
e "Mercy International", Kuvajt, z. Omar
El-Kenderi, që shoqërohej edhe nga
drejtori i Fondacionit "Mirësia", z.
Korab Kaja.
Gjatë takimit të përzemërt, Myftiu
falënderoi kontributet e shumta të
bamirësve kuvajtianë, të cilët gjatë
këtyre 25 viteve të fundit, kanë
kontribuar dukshëm në shërbim të
rimëkëmbjes së institucioneve fetare
islame, objekteve të adhurimit, qendrave
sociale, atyre kulturore etj.
Myftiu tha se ndihmesat e ardhura nga
Shteti i Kuvajtit kanë një vlerë të
madhe për muslimanët e Shqipërisë,
sikurse ngelen dëshmi besimi dhe
vëllazërie edhe për të ardhmen.
Nga ana e tij, miku nga Kuvajti shprehu
kënaqësinë e tij për këtë vizitë dhe
vlerësoi bashkëpunimet e deritanishme të
Fondacionit kuvajtian "Mercy", por jo
vetëm, në drejtim të përkrahjes së
vëllezërve muslimanë në Shqipëri.
Ai tha se është për vizitë në Shqipëri,
edhe për të marrë pjesë në inaugurimin e
xhamisë së re të Mjedës, që me mbarësinë
e All-llahut, do të zhvillohet ditën e
xhuma, më 26 shkurt 2016, edhe në prani
të donatorëve nga Kuvajti.
Gjatë bashkëbisedimit u diskutua edhe
rreth forcimit të bashkëpunimit dhe
realizimit të projekteve të reja të
Myftinisë Shkodër, sidomos ato që lidhen
me zhvillimin e vakëfit.