Myftiu:
"Mos ngurroni të kërkoni nga i Plotfuqishmi!"
18 shkurt 2016
Ditën e enjte, më 18
shkurt 2016, në kuadër të "Dersit të
natës së enjte", Myftiu i Shkodrës, Imam
Muhamed B. Sytari, ligjëroi në xhaminë e
fshatit Muriqan.
Pas faljes së namazit të akshamit nën
drejtimin e imamit të xhamisë, Ajet
Suka, Myftiu mbajti një ligjëratë, në
thelbin e së cilës ishte domosdoshmëria
e qëndrueshmërisë në besim dhe
moslëkundja në marrëdhënie me Zotin e
gjithësisë.
Myftiu tha se sprovat e përditshme me të
cilat përballet i riu musliman shqiptar,
ngjajnë me flakët e xhehnemit, që duan
ta përpijnë njeriun, teksa ai largohet
prej tyre drejt mëshirës dhe bujarisë së
Zotit të gjithësisë.
Ai tha se sprova e femohimit, e shirkut,
e thirrjeve shterpë për ndërrimin e
fesë, e korrupsionit, e imoralitetit, e
shthurrjes intelektuale, e ngushtimit të
rizkut, e thashethemeve, e humbjes së
kohës, e injorancës e shumë më shumë se
kaq, duhen kaluar duke u mbështetur në
All-llahun e Madhëruar dhe lutjen e
pandërprerë drejtuar Madhnisë së Tij.
"Mos ngurroni të kërkoni nga i
Plotfuqishmi! Mos të bëhemi të paedukatë
në hak të Zotit tonë, duke iu ankuar
njëri-tjetrit; le t'i drejtohemi Atij
për të gjitha vështirësitë e jetës, për
krejt nevojat tona, për të gjitha të
papriturat me të cilat përballemi ditë
pas dite!", tha Myftiu.
Të pranishëm në këtë tubim të begatë
ishin edhe imamët e nderuar: Lulzim
Beqiri, Nebi Alija, Ilir Dizdari dhe
Ridvan Luzaku.