Myftiu, takim me të rinj muslimanë:
"Ekstremizmi buron nga keqleximi i fesë!"
17 shkurt 2016
Ditën e mërkurë, më
17 shkurt 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam
Muhamed B. Sytari, ka marrë pjesë në një
takim të organizuar nga Shoqata
"Ardhmëria", dega Shkodër, me të rinj
muslimanë të qytetit tonë.
Në thelb të takimit me të rinjtë ka qenë
tema e mesatarizmit dhe ekstremizmit në
kuptimin dhe praktikimin e fesë dhe
modeli i muslimanit në shoqërinë
shqiptare.
Gjatë ligjëratës së tij, Myftiu ka folur
mbi rëndësinë që ka leximi i ekuilibruar
i fesë dhe teksteve të saj, si dhe
ruajtja nga interpretimi individual dhe
egoistik i teksteve të shenjta, që shpie
në devijim ekstrem nga thelbi i fesë.
Myftiu tha se: "në këto 25 vite të
fundit, ka plot shembuj dhe raste, kur
individë a grupe shoqërore, kanë
devijuar tekstet tona fetare, kanë
keqinterpretuar e keqprezantuar fenë dhe
tekstet e saj, duke krijuar stereotipe
me nuancë fetare në realitetet tona. Unë
mendoj se mungesa e edukatorëve të
mirëfilltë islamë dhe leximet e
paekuilibruara të fesë, shkaktojnë
sjellje ekstreme në raport me leximin
dhe më pas praktikimin e fesë në jetë."
Gjithashtu tha se: "Tema e ekstremizmit
a mesatarizmit, si dy koncepte
diametralisht të kundërta me
njëra-tjetrën, lidhet në zanafillën e
saj me sjelljen dhe prirjen morale e
shpirtërore të secilit. Dmth, një
individ i edukuar, i ruajtur, i
kulturuar, është e vështirë të devijojë
në ekstremin e keqpërdorimit të teksteve
fetare. Këtë e vërteton edhe realiteti i
shumë të rinjve të pashkolluar e të
paformuar intelektualisht, që duke u
lidhur pas një boshti të caktuar
argumentesh dhe faktesh të keqlexuara
fetare, nisin dhe e dëshmojnë fenë në
aparenca dhe lëvizje, që i bëjnë të
dallueshëm nga të tjerët. Të mbyllur, të
ngurtë, të ngrysur, të gatshëm për të
kundërshtuar, të pamundshëm për të
toleruar, të nxituar, me pak fjalë,
ekstremisht të paformuar!"
Në fund, Myftiu tha: "Dua ta mbyll me
shënimet e studiuesit islam të afirmuar,
Dr. Salahuddin Keftaro, kur thotë: [Sa
shumë e dëmtojnë fenë disa praktikantë
të fesë!? Ndonjëri prej tyre ndjek me
korrektësi faljen e namazeve me xhemat
në xhami, por ai është i pasjellshëm me
gruan dhe fëmijët e tij! Ndonjëri prej
tyre mburret me gjatësinë e mjekrës që
mban, por mashtron në shitblerjen e tij!
Shohim një të mbuluar, që ndjek me
përpikmëri ligjëratat e ndryshme javore,
por është e paedukatë me nënën e saj!
Shohim një ndjekës të takimeve periodike
të edukimit dhe udhëzimit fetar, por që
shquhet për thashetheme dhe ndezjen e
ngatërresave në mesin e njerëzve! A
është kjo feja? Jo, vëllezërit e mi!
Origjina e dërgesës së profetit të
nderuar dhe qëllimi i saj përmblidhet në
thënien e tij (a.s): “Jam dërguar të
plotësoj mirësjelljen!”]
Stereotipet e ekstremizmit fetar, si në
hadithin me të cilin e nisa këtë
ligjëratë, duhet të trajtohen me kujdes,
ndërkohë, të gjithë ne jemi të ftuar ta
jetojmë fenë tonë në normalitetin e
kuptimit të saj, larg euforisë dhe
ndjenjës së madhështisë individuale mbi
të tjerët!"