Aktivitet përkujtimor
për imamin Hafiz Halim Hajdari
13 shkurt 2016
Paraditën e së
shtunës, më 13 shkurt 2016, Myftinia
Shkodër organizoi një aktivitet
përkujtimor në nder të imamit Hafiz
Halim Hajdari (1891-1965).
Aktiviteti, që u zhvillua në bibliotekën
e qytetit, nisi me fjalën e hapjes, në
të cilën thirrësi islam Lavdrim Hamja,
bëri një vlerësim të imamëve dhe
hoxhallarëve të shkuar të Shkodrës, të
cilët punuan me shumë përkushtim në
rrugën e mësimit të popullit dhe
edukimin e tij me vlerat islame dhe ato
kombëtare.
Imami i nderuar theksoi se hafizët e
Kur'anit janë njerëz të përzgjedhur nga
All-llahu dhe të dashuriut e tij. Ai
vlerësoi kontributin e Hafiz Halim
Hajdarit, si një imam dhe prijës islam,
që punoi më shumë se një gjysëm shekulli
në shërbim të Islamit dhe shoqërisë.
Në referatin e tij me temë: "Në kujtim
të Hafiz Halim Hajdarit (1891-1965), në
125 vjetorin e lindjes…", Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, solli
para të pranishëmve vlerësimet që kanë
bërë studiues e hulumtues të ndryshëm
për Hafiz Halim Hajdarin, duke theksuar
se ai i përket zinxhirit të hoxhallarëve
që kanë marrë ixhazete nga hoxhallarët e
shquar të Shkodrës, si: Hafiz Halid
Bushati dhe nxënësi i tij Hafiz Jusuf
Këlmendi.
Më pas, hulumtuesi Smajl Bala, mbajti
një referat me temë: "Jeta dhe vepra e
Hafiz Halim Hajdarit në arkivat e
kohës", ku hodhi dritë mbi gjurmët e
këtij imami të nderuar që ka shërbyer
për shumë dekada në xhami të ndryshme të
Shkodrës, si në: Rrjoll, Tophanë,
Parrucë, Rus, Pazar, në xhaminë e
Plumbit etj.