Myftiu i Shkodrës:
"Islami dhe terrorizmi i kanë rrugët e ndara!"
11 shkurt 2016
Mbrëmjen e së enjtes,
më 11 shkurt 2016, Myftiu i Shkodrës,
Imam Muhamed B. Sytari, ishte i ftuar i
gazetarit Simon Shkreli, në emisionin e
tij "Hapur", në TV1 Channel.
Gjatë bashkëbisedimit, Myftiu iu
përgjigj pyetjeve të ndryshme, që kanë
të bëjnë me realitetet e Myftinisë
Shkodër dhe aktivitetin e saj gjatë
vitit jubilar 2015 e në vazhdim,
përballjes së muslimanëve me
islamofobinë dhe ngjarjet e viteve të
fundit në vendet e Lindjes, terrorizmi
dhe etiketimi i padrejtë i Islamit dhe
muslimanëve me nofkat e tij, laiciteti i
shtetit shqiptar dhe kërkesa për futjen
e lëndës së edukimit fetar në shkollat e
vendit etj.
Nëpërmjet këtij bashkëbisedimi, Myftiu
konfiromoi edhe një herë vullnetin e
Myftinisë Shkodër për të punuar
maksimalisht në rrugën e lartësimit të
vlerave shekullore të Thirrjes Islame,
përhapjen e Fjalës së All-llahut dhe
mësimeve të Hz. Muhammedit (a.s), të
dërguarit mëshirë për mbarë botrat.
Duke folur mbi terrorizmin dhe
fatkeqësitë e mëdha që po trazojnë
qetësinë e botës sot, Myftiu tha se
Islami nuk ka asnjë lidhje me shfaqjet
terroriste të grupimeve të shumta, në
thelbin e të cilave qëndron frikësimi
dhe terrorizimi i njerëzve, aq më shumë
sot, kur argumentet po vërtetojnë
lidhjen e shërbimeve antiislame të
vendeve të ndryshme me krijimin e këtyre
grupeve të së keqes. Myftiu tha se
Islami dhe terrorizmi janë dy gjëra të
ndryshme, i kanë rrugët e ndara!
Myftiu tha se shembulli më i mirë i asaj
që realisht fton drejt saj feja islame,
është qëndrimi i profetit Muhammed (a.s)
me robët e luftës, ditën kur hyri në
Mekkë triumfues; falja dhe lirimi!
Ai tha se Evropa e di mirë shembullin e
muslimanëve, drita e qytetërimit e të
cilëve u bë shkak për përhapjen e dijes
dhe largimin e reve të zeza të
injorancës dhe analfabetizmit prej saj,
sidomos në kohën e kalifatit në
Andaluzi. Ai tha se pas rënies së
kalifatit në Spanjë, hebrenjtë u
strehuan dhe jetuan në liri në zemër të
kalifatit osman, ndërsa muslimanët u
sharruan dhe u dogjën për së gjalli në
shfaqjet më të llahtarshme të terrorit;
inkuizicionit famëkeq!
Myftiu bëri thirrje që drejtuesit e
komuniteteve fetare duhet të
bashkëpunojnë, që lënda e besimit dhe
edukatës fetare të jetë pjesë e
kurrikulave të arsimit shqiptar, njëlloj
si në shumë vende të Evropës sot, njësoj
si shumë dekada më parë, kur në Shqipëri
kjo lëndë u mësohej fëmijëve shqiptarë.