U zhvillua konferenca e V-të e imamëve
të Myftinisë Shkodër
06 shkurt 2016
Paraditën e së
shtunës, më 6 shkurt 2016, u zhvillua
konferenca e V-të e përvitshme e
imamëve, teologëve, thirrësve islamë,
muezinëve dhe këshilltarëve të Myftinisë
Shkodër.
Konferenca në fjalë, ka për qëllim të
nxjerrë në pah boshtin vjetor të
aktivitetit dhe thirrjes së imamëve dhe
thirrësve islamë të Myftinisë Shkodër.
Fillimisht, konferenca u përshëndet nga
Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B.
Sytari, i cili iu drejtua të pranishëmve
me një këshillë të dijetarit të shquar
Shejkh Shaaravi: "Thirrësi islam duhet
të ruhet, të mos e shohë i ftuari duke
bërë të kundërtën e asaj që flet, sepse
të gjithë sytë sillen përreth tij, krejt
prozhektorët janë të përqendruar drejt
tij! Thirrësi duhet të ketë kujdes, mos
të dëgjojnë prej tij nxënësit e tij
ndonjë fjalë që bie ndesh me veprën e
tij!
Misioni i thirrësit sot, është i
vështirë, shumë i vështirë…sepse ai
thërret drejt All-llahut, në një botë,
ku janë shtuar ngjyrat e diversitetit të
kulturës së tij, sikurse ngjyrat e
ndikimit të saj në mendje… Prandaj, ai
duhet të ketë njohuri rreth krejt
ngjyrave të kulturës, të posedojë
aftësitë e ndikimit ndaj atyre që i fton
në Islam! Sepse, nëse ai nuk do të ketë
lidhje me kulturën e kohës së tij, do të
zvogëlohet në sytë e atyre që fton!
Thirrësi duhet ta zotërojë lidhjen e tij
me All-llahun, nëpërmjet disiplinimit të
plotë me urdhëresat e All-llahut dhe
traditës së profetit të Tij; sepse
baterinë, prej së cilës pret furnizimin
me dritë, duhet ta karikosh në mënyrë
sistematike!"
Konferenca vazhdoi me përshëndetjen e
nënkryetarit të KMSh, H. Bujar Spahiu, i
cili u përqendrua te domosdoshmëria e
përhapjes së vlerave të fesë islame me
urtësi dhe dije, në realitetet e sotme
shqiptare. Ai tha se përpjekjet e dikujt
për ta shfrytëzuar Islamin për nxjerrjen
në pah të egos së tij, ndikon
negativisht në impaktin e fesë në
shoqëri.
H. Bujar Spahiu vlerësoi angazhimin e
imamëve dhe thirrësve islamë në
lartësimin e mesazheve të harmonisë dhe
mirëkuptimit në mesin e muslimanëve, si
dhe përhapjen e paqes sociale, nëpërmjet
shërbimeve të shumta fetare.
Më pas, konferenca vijoi me referatet e
përgatitura nga teologët dhe imamët e
nderuar, sipas programit:
- Teologu Artur Tagani: "Prapaskena
historike e qëndrimit negativ ndaj
Muhammedit (a.s)".
- Thirrësi islam Lavdrim Hamja: "E
vërteta e xhihadit në Islam".
- Teologu Durim Kasemi: "Të krishterët
në mëshirën e drejtësisë dhe tolerancës
islame".
- Teologët Arben Halluni dhe Admir
Temja: "Koncepti i lirisë në Islam".
- Teologu Naim Drijaj: "Mëshira e
Muhammedit (a.s) për krijesat e Zotit".
(Për arsye shëndetësore mungoi referati
i teologut Ervil Kuçi: "Tefsiri i
ajetit: Err-Rrahhman Err-Rrahim")
Të pranishëm në këtë konferencë ishin
edhe kryevaizi i KMSh, H. Lauren Luli,
Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir
Smajlaj, drejtori i Medresesë "Haxhi
Sheh Shamia", z. Kujtim Dervishi,
drejtori i Shoqatës "Burimi", z. Sokol
Mandi, intelektualë, përfaqësues të
shoqatave islame, studentë të teologjisë
etj.
Materialet e konferencës së V-të të
imamëve të Shkodrës, do të botohen të
plota në një botim të veçantë të
Myftinisë Shkodër.