Ceremonia e gurthemelit
të xhamisë së re në Bushat
05 shkurt 2016
Ditën e xhuma, më 5
shkurt 2016, pas faljes së namazit të
xhumasë në xhaminë e Bushatit, Myftinia
Shkodër dhe Fondacioni "Mirësia"
organizuan ceremoninë e gurthemelit për
xhaminë e re në vakëfin e xhamisë së
vjetër në Krye Bushat.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B.
Sytari, Drejtori i Fondacionit
"Mirësia", z. Korab Kaja, Drejtori i
Shoqatës "Sulejmanije" për Shqipërinë,
z. Nusret Tekin, imamë të xhamive të
ndryshme dhe besimtarë të zonës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu i
Shkodrës, vlerësoi këtë ditë si një
moment të gëzueshëm dhe historik për
Bushatin, Shkodrën dhe krejt muslimanët
e vendit, sepse xhamia e re është dëshmi
besimi dhe udhëzimi islam për këtë zonë.
Myftiu falënderoi kontributin e
Fondacionit "Mirësia" për sigurimin e
fondit për mundësimin e realizimit të
projektit bashkëkohor për xhaminë e re.
Ceremoninë e përshëndeti edhe z. Korab
Kaja, që uroi të pranishmit për këtë
ngjarje të shënuar për komunitetin
musliman të Bushatit dhe Myftininë
Shkodër. Ai theksoi se ky projekt vjen
si pjesë e bashkëpunimit me "Zekat
House" në Kuvajt dhe me mbarësinë e
All-llahut, shumë shpejt, të gjithë do
ta gëzojmë xhaminë e re.
Edhe kryeplaku i zonës, z. Zyhdi
Mustafa, shprehu falënderimet e tij dhe
mirënjohjen për Myftininë Shkodër dhe
Fondacionin "Mirësia", sikurse vlerësoi
bashkëpunimin dhe interesimin e madh të
besimtarëve të kësaj zone për arritjen e
kësaj dite të gëzuar.
Me tekbire e salavate, u zhvillua edhe
ceremonia simbolike e gurthemelit të
xhamisë së re, që pritet të realizohet
në harkun e një viti.
Në fund, Hafiz Shukri Kapllan bëri një
lutje për mbarësinë e punimeve dhe
suksesin e tyre.