“Ia qëlloi Ibni Ummi Abd..!”
05 shkurt 2016
Të gjitha 
										falënderimet e plota dhe madhështia 
										absolute i takojnë vetëm All-llahut, 
										Zotit të vetëm të gjithësisë, Krijuesit 
										të galaktikave dhe njeriut, Poseduesit 
										të gjithçkaje, Atij që kur dëshiron 
										diçka, urdhëron: [“Bëhu!” dhe menjëherë 
										bëhet][1], i Cili 
										thotë në Kur’anin Famëlartë: “E mos u 
										dobësoni (fizikisht) dhe mos u 
										dëshpëroni (shpirtërisht) derisa ju jeni 
										më të lartit, po qe se jeni besimtarë të 
										sinqertë!”[2]
            
										Salavatet dhe selamet më të përzemërta 
										ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo 
										ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të 
										Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), i cili 
										thoshte: “Do të mbërrijë kjo fé, ku ka 
										mbërritur nata dhe dita… krenari, me të 
										cilën All-llahu krenon Islamin dhe 
										pasuesit e tij dhe poshtërim, me të 
										cilin All-llahu poshtëron femohimin!”[3]
										
										 
										Vëllezër të dashur e të 
										nderuar,
										
										Sahabiu Ebud-Derda (r.a), tregon se një 
										ditë, Resull-llahu (a.s) mbajti një 
										hytbe të shkurtër dhe, pasi e përfundoi 
										tha: “O Ebu Bekër, ngrihu dhe na mbaj 
										një hytbe!” Ai u ngrit dhe mbajti një 
										hytbe më të shkurtër se ajo e 
										Resulull-llahut (a.s). 
										
										Kur e përfundoi, tha: “O Omer, ngrihu e 
										na mbaj një hytbe!” Ai u ngrit dhe 
										mbajti një hytbe më të shkrurtër se ajo 
										e Resulull-llahut (a.s) dhe më të 
										shkurtër se ajo e Ebu Bekrit (r.a)… 
										Pastaj tha: “O i biri i Ummi Abdit[4], 
										ngrihu dhe mbaje një hytbe!”
            
										Ibni Ummi Abd u ngrit, e falënderoi 
										All-llahun dhe e lavdëroi Atë, pastaj 
										tha: “O ju njerëz, All-llahu i Madhëruar 
										është Zoti ynë, Islami është feja e 
										jonë, Kur’ani është prijësi ynë, Shtëpia 
										(Qabeja) është kibla e jonë dhe ky është 
										profeti ynë – dhe bëri me shenjë nga 
										profeti (a.s) – Kemi pëlqyer atë që ka 
										pëlqyer All-llahu i Madhëruar për ne dhe 
										i dërguari i Tij, sikurse kemi refuzuar 
										atë që ka refuzuar All-llahu i Madhëruar 
										për ne dhe i dërguari i Tij!”
            
										Profeti (a.s) tha: “Ia qëlloi Ibni Ummi 
										Abd, ia qëlloi Ibni Ummi Abd dhe të 
										vërtetën tha! Kam pëlqyer atë që ka 
										pëlqyer All-llahu i Madhëruar për mua 
										dhe ymmetin tim dhe, Ibnu Ummi Abd!”[5]
										
										
										Të dashur vëllezër 
										besimtarë,
										
										Realitetet e sotme, me të cilat 
										përballet shoqëria shqiptare, nga 
										mungesa e ekuilibrave në marrëdhëniet e 
										njeriut me Zotin, me veten dhe me 
										tjetrin, po bëhen përherë e më tepër një 
										shtysë e madhe, që na fton drejt 
										reflektimit dhe mendimit të thellë. Kush 
										jemi dhe kush ishim? Cila është feja e 
										jonë dhe cilët janë kufijtë e tolerancës 
										tonë? Si të sillemi me zhvillimet e 
										kohës dhe si të përballemi me vërshimet 
										e larmishme kulturore, hapjen me botën, 
										mendimet dhe filozofitë, tendencat e 
										kolonizimit të mendimit dhe botës tonë 
										shpirtërore etj?
            
										Në fakt, këto dhe shumë më shumë se kaq, 
										e kanë një përgjigje të prerë, pas së 
										cilës, secili prej nesh duhet të ndjehet 
										i çliruar dhe i palëkundur në 
										marrëdhëniet e tij me përballjet e 
										përditshme. Përgjigjja më e mirë është 
										pikërisht kjo hytbe e shkurtër e 
										sahabiut të dashur Abdull-llah ibni 
										Mesud (r.a), fjalën e të cilit e miratoi 
										vetë pejgamberi ynë (a.s).
            
										Po, të dashur vëllezër, ka shumë rëndësi 
										që në jetën e përditshme, muslimani të 
										ketë të qartë pozicionin e tij përballë 
										të papriturave të jetës a zhvillimeve të 
										ndryshme të saj. Mos të ngelet në 
										dilemë, mos të lëkundet në besimin e 
										tij, mos të tundohet as të dobësohet, 
										për asgjë e për asnjeri!
            
										“O ju njerëz, All-llahu i Madhëruar 
										është Zoti ynë”, e prerë, e 
										padiskutueshme, e patolerueshme, e 
										pakontestueshme, e pamundur të preket 
										nga hijet e dyshimit a fijet, shpesh të 
										padukshme, të shirkut dhe idhujtarisë!
										
										Zoti ynë është All-llahu! Është detyra e 
										prindit ta mësojë e ta edukojë fëmijën e 
										tij me këtë besim! Jo të neglizhojë 
										muslimani në edukimin e fëmijëve të tij, 
										me arsyetimin se jemi muslimanë, jemi 
										besimtarë, nuk ka nevojë për shpjegime e 
										arsyetime, jo vëllezër! Nuk duhet të 
										lejojmë që të na i vjedhin fëmijët tanë, 
										t’u vjedhin zemrat e mendjet, shpirtin e 
										të ardhmen!
										
										Kujtoni të urtin Lukman (a.s), në nderim 
										dhe përkujtim të cilit, Zoti i 
										gjithësisë ka emërtuar një sure të 
										Librit të Tij me emrin e atij burri të 
										urtë e besimtari të përkushtuar! 
										
										I urti Lukman, iu drejtua të birit me 
										një këshillë të madhe, plot vlera besimi 
										dhe udhëzime për jetën. Ju ftoj ta 
										lexoni në shtëpitë tuaja, ta lexoni me 
										fëmijët tuaj dhe t’ua mësoni gradualisht 
										atyre, që të ngelet si besëlidhje në 
										mesin tuaj! 
										
										Këshilla e parë, me të cilën burri i 
										urtë iu drejtua të birit, ishte 
										pikërisht besimi dhe bindja se nuk ka 
										Zot tjetër pos All-llahut dhe se shirku, 
										idhujtaria, është një padrejtësi e 
										madhe. Ja si e përshkruan Kur’ani këtë 
										moment: [(përkujtoju popullit tënd) Kur 
										Lukmani duke e këshilluar të birin, i 
										tha: “O djali im, mos i përshkruaj 
										All-llahut shok, sepse shirku 
										(idhujtaria) është padrejtësi e madhe!”][6]
										
										“Shumë baballarëve nuk i shkon ndër mend 
										një gjë e tillë (këshillimi i fëmijëvë 
										të tyre)[7], nga 
										hutimi… Edhe pse Lukmani dhe i biri 
										ishin besimtarë, megjithatë Lukmani nuk 
										e anashkaloi këtë themel të fortë, drejt 
										të cilit ftuan të gjithë të dërguarit, 
										para se të hynin në shpjegimin e 
										detajeve të adhurimeve, me popujt e 
										tyre… Shpjegoju fëmijëve të tu 
										madhështinë e Krijuesit, fuqinë e Tij, 
										veçimin e Tij në krijimin e gjithësisë 
										dhe domosdoshmërinë e drejtimit të 
										adhurimit të pastër vetëm për Madhërinë 
										e Tij (xh.sh)…”[8]
										
										Akoma sot, fëmijët tanë në klasat e para 
										fillore edukohen sipas filozofive 
										marksiste, me ateizëm, me “nanën natyrë, 
										që ka kriju gjithçka”?! Duhet të 
										përballemi me këtë pabesi dhe pusi, që i 
										bëhet fëmijëve tanë, rinisë dhe të 
										ardhmes së vendit tonë! Ateizmi e ka 
										shkatërruar këtë vend për dekada të 
										tëra, e ka shpërbërë familjen, e ka 
										shnderuar individin, e ka shthurrur 
										moralin, e ka turbulluar mendimin dhe e 
										ka devijuar besimin, sidomos tek një 
										brez, që sot, më dukshëm se kurrë, 
										dëshmohet sesa i paekuilibruar është! 
										Prandaj kujdes!
										
										“Islami është feja e jonë, Kur’ani është 
										prijësi ynë, Shtëpia (Qabeja) është 
										kibla e jonë dhe ky është profeti ynë – 
										dhe bëri me shenjë nga profeti (a.s) –. 
										Kemi pëlqyer atë që ka pëlqyer All-llahu 
										i Madhëruar për ne dhe i dërguari i Tij, 
										sikurse kemi refuzuar atë që ka refuzuar 
										All-llahu i Madhëruar për ne dhe i 
										dërguari i Tij!” [9]
										
										Po dëgjoja para ca ditësh intervistën e 
										një shkrimtari, në një nga mediat e 
										vendit tonë, kur u befasova me një 
										thënie të tij, se: “Në librin tim, jam 
										munduar të sjell shembullin e muslimanit 
										të mirë, të ndershëm… Islamit të mirë, 
										jo atij ekstrem e me probleme…”!?
										 
										Të dashurit e mi,
										 
										Nuk ka “Islam ekstrem e me probleme”, 
										mund të ketë perceptime të shthurura të 
										teksteve të shenjta, interpretime 
										ekstreme dhe injorante, por jo “Islam 
										ekstrem e me probleme”! Mos të biem në 
										grackat e islamofobëve, armiqve të fesë 
										e të ymmetit! 
										
										Prandaj, mos lejoni që t’ju frikësojnë e 
										t’jua dobësojnë besimin e bindjen tuaj 
										në këtë fé të pastër, që e kemi amanet 
										nga All-llahu dhe i dërguari i Tij! E 
										kemi trashëgim krenarie nga baballarët 
										dhe gjyshërit tanë, që e ndërtuan këtë 
										vend dhe e gjallëruan këtë tokë me besën 
										e tyre islame, me dhikrin e tyre, me 
										leximin dhe mësimin e tyre të Kur’anit 
										Famëlartë, me nderin e tyre, me 
										burrërinë karakteristike islame dhe me 
										cilësitë më të mira të besimit dhe fesë 
										tonë të shtrenjtë islame!
										
										Një prej vëllezërve të afërt, më tregoi 
										para ca ditëve, se një motër e jona 
										ishte përballur me një situatë 
										paradoksale me një pedagoge, në një prej 
										universiteteve të vendit tonë. Në një 
										projekt të ngarkuar si detyrë klase, 
										studentja, në trajtimin e temës së saj i 
										ishte referuar edhe Hz. Muhammedit 
										(a.s), në një prej thënieve të tij 
										udhëzuese. Pedagogia e kishte ndërprerë 
										dhe kishte refuzuar që në lëndën e saj 
										të përmendej profeti e feja, me 
										arsyetimin se universiteti është laik 
										etj. 
										
										A ka më paradoks se kjo sjellje 
										primitive nga një njeri i ditur e 
										ndoshta edhe me grada shkencore?! Të 
										vendosësh barriera në kërkimin e dijes?! 
										Të pengosh citimin e personalitetit më 
										të shquar të historisë së njerëzimit?!
										
										
										Prandaj, mos u tutni e mos u thyeni, mos 
										toleroni që dikush a diçka t’jua ndalojë 
										përzgjedhjen tuaj të lirë drejt dashnisë 
										së All-llahut dhe fesë së Tij! 
										
										Dhe, kujtoni përherë hytben e shkurtër 
										të Ibni Mesudit (r.a): “O ju njerëz, 
										All-llahu i Madhëruar është Zoti ynë, 
										Islami është feja e jonë, Kur’ani është 
										prijësi ynë, Shtëpia (Qabeja) është 
										kibla e jonë dhe ky është profeti ynë – 
										dhe bëri me shenjë nga profeti (a.s) –. 
										Kemi pëlqyer atë që ka pëlqyer All-llahu 
										i Madhëruar për ne dhe i dërguari i Tij, 
										sikurse kemi refuzuar atë që ka refuzuar 
										All-llahu i Madhëruar për ne dhe i 
										dërguari i Tij!”
										
										Dhe, dëshminë e madhe të ma të Dashtunit 
										tonë: “Ia qëlloi Ibni Ummi Abd, ia 
										qëlloi Ibni Ummi Abd dhe të vërtetën 
										tha!...”
										
Imam 
										Muhamed B. Sytari
										Myfti i Zonës Shkodër
										 
										(Hytbe e mbajtur në xhaminë e fshatit 
										Bushat)
										Shkodër, më 5 shkurt 2016
[1] Kur’ani, 
										Jasin: 82.
										[2] Kur’ani, Ali 
										Imran: 139.
										[3] Transmetuar 
										nga Ahmedi dhe Tabaraniu, nga Temim 
										Ed-Dari (r.a).
										[4] Llagep i 
										sahabiut Ibni Mesudit (r.a).
										[5] Transmetuar 
										nga Tabaraniu nga Ebud-Derda (r.a) dhe 
										Ibn Asakir nga Said ibni Xhubejr nga 
										Ebud-Derda (r.a) në një transmetim të 
										përafërt. Për më shumë të shihet: Shejkh 
										Muhammed Jusuf El-Kandehlevi, 
										“Hajatus-sahabe”, botimi i VI-të, 
										Damask, 1993, vëll. i III- rë, f. 
										479-480.
										[6] Kur’ani, 
										Lukman: 13.
										[7] Shënim imi. 
										M.S.
										[8] Dr. Uvejjid 
										Hammud El-Atavijj, “Ja bunejja! 
										Meuidhatu Lukman libnihi”, botimi i 
										dytë, Rijad, 2014, f. 13-14.
										[9] Transmetuar 
										nga Tabaraniu nga Ebud-Derda (r.a) dhe 
										Ibn Asakir nga Said ibni Xhubejr nga 
										Ebud-Derda (r.a) në një transmetim të 
										përafërt. 
| 
												
												 | 
											



