Myftiu priti Koordinatorin e Dijanetit të Turqisë,
z. Yasin Şengül
04 shkurt 2016
Ditën e enjte, më 4
shkurt 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam
Muhamed B. Sytari, priti në një takim
pune, koordinatorin e Dijanetit të
Turqisë në vendin tonë, z. Yasin Şengül,
me të cilin diskutoi rrugët e
bashkëpunimit.
Gjatë këtij takimi, Myftiu theksoi se
propaganda komuniste dhe e armiqve të
ndryshëm të Islamit në vendin tonë, kanë
kontribuuar maksimalisht që të krijojnë
hendeqe paradoksale në marrëdhëniet në
mesin e vendit tonë dhe Turqisë.
Myftiu tha se kalifati osman është pjesë
e lavdisë shekullore islame dhe se
shqiptarët dhe turqit kanë bashkësunduar
së bashku për shekuj të tërë.
Njëkohësisht, Myftiu falënderoi
kontributet e vazhdueshme të Dijanetit
të Turqisë në vendin tonë, për të cilat
tha se ato duhet të jenë më intensive në
shërbim të interesave të Thirrjes Islame
në Shqipëri.
Myftiu tha se dita-ditës Dijaneti i
Turqisë po kthehet në një institucion
islam me kontribute të vyera dhe
konkrete edhe përtej kufijve të
Republikës së Turqisë.
Nga ana e tij, z. Şengül theksoi se
Dijaneti është i interesuar të
bashkëpunojë me faktorët islamë në mbarë
botën, sikurse edhe në Shqipëri, në
shërbim të interesave të përbashkëta në
të mirë të Thirrjes Islame.
Për rreth një orë, dy bashkëbiseduesit
diskutuan rreth rrugëve të bashkëpunimit
dhe forcimit të tij.