“Mos u urreni, mos e kini zili njëri-tjetrin..!”
29 janar 2016
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut,
Zotit të vetëm të botëve, Atij, që me
butësinë dhe mëshirën e Tij i zbut
zemrat e robëve të Tij, duke u dhuruar
paqe e mirësi, qetësi dhe prehje, me të
cilën ndërtojnë në jetën e përkohshme të
kësaj bote ura vëllazërimi, shembuj
paqeje, modele qytetëruese! Thotë në
Kur’anin Famëlartë: [O ju njerëz! Juve
ju erdhi nga Zoti juaj këshilla
(Kur'ani) dhe shërimi i asaj që gjendet
në kraharorët tuaj (në zemra), udhëzim e
mëshirë për besimtarët. Thuaj: “Vetëm
mirësisë së All-llahut dhe mëshirës së
Tij le t'i gëzohen, se është shumë më e
dobishme se ajo që ata grumbullojnë!”][1]
Salavatet dhe selamet më të përzemërta
ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo
ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të
Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), i cili
deklaroi botërisht në hytben e Haxhit të
Lamtumirës: “Dijeni se jetët tuaja
(gjaku juaj), pasuritë tuaja dhe nderi
juaj janë të ndaluara të preken ndër ju,
si shenjtëria e kësaj dite, këtij vendi
dhe këtij muaji…”[2]
Të nderuar e të dashur
vëllezër besimtarë,
Mirësia e madhe dhe bujaria e shpirtit,
e dëshmuar botërisht nga fisi Shkambi,
në fshatin tuaj, me rastin e fatkeqësisë
së papritur që goditi familjet e tyre, u
bë shkak obligues për mua që të jem sot
në Drisht, duke u lutur e falur
bashkarisht në këtë ditë të begatë të
xhumasë.
Lajmi i bërë publik, që burrat e këtij
fisi me emër, liruan nga gjakmarrja
familjarët dhe fisin e personit që preku
në shpirtin e tyre, jo vetëm që më
mbushi me emocion të madh besimi dhe
shprese, por u kthye në një detyrim
moral, besimor e qytetar, për të ardhur
sot në xhaminë tuaj dhe nga ky minber i
të dërguarit të All-llahut, botërisht
t’u them: All-llahu jua zbardhtë faqen
në këtë botë dhe në ahiret, o burra të
urtë e besimtarë të fisit Shkambi, për
shembullin e besimit, për dëshmimin e
humanizmit, për modelin e madh të
Islamit, për të cilin ka nevojë shoqëria
e jonë shqiptare, sidomos në këto raste
të papritura, të dhimbshme e të
padëshiruara në mesin tonë!
Drishti dhe Postriba, janë një kala e
fortë e besimit dhe e Islamit, ku
njerëzit e mirë të kësaj toke,
historikisht kanë dëshmuar vlera të
larta të besimit, harmonisë, paqes,
punës së ndershme, fitimit të hallallit,
nderit të grave e burrnisë tipike të
burrave të urtë e largpamës të kësaj
zone!
Ne si muslimanë, e kemi për detyrë dhe
obligim fetar të jemi përherë afër
njëri-tjetrit, në gëzime e në hidhërime,
në dëshpërime e në sihariqe, me të cilat
sprovohet jeta e jonë.
Pikërisht në këto momente delikate,
dallohet besimtari nga jobesimtari,
muslimani i përkushtuar e që beson fort
në drejtësinë e All-llahut, nga njeriu
pa besim e pa busull udhëzimi në jetën e
tij!
Sot, më shumë se kurrë, ne si muslimanë,
si shqiptarë, si vëllezër të një besimi,
një gjaku e një gjuhe, e kemi për detyrë
të mbjellim farën e bekuar të pastrimit
të zemrave nga inatet, smira, urrejtja e
pusitë kundër njëri-tjetrit! E kemi për
obligim fetar e kombëtar ta ruajmë të
paprekur shenjtërinë e jetës, familjes,
farefisit, atë të komshiut të mirë e
mikut-vëlla, për të cilët na porosit
Kur’ani dhe Hz. Muhammedi (a.s) në ajete
dhe hadithe të shumta!
Të dashur vëllezër,
“Nuk ka më prehje të madhe për njeriun,
as largim më të madh të halleve dhe
brengave të tij, sesa të jetuarit me
zemër të pastër e të dlirtë, i pastër
nga cytjet dhe urrejtja, gjaknxehtësia
dhe shpërthimi…”[3]
E pyetën të dërguarin e All-llahut: Ja
Resulall-llah, kush është më i miri i
njerëzve? Tha: “Çdo njeri me zemër të
pastër dhe gjuhë të sinqertë!” I thanë:
E dimë se kush është njeri me gjuhë të
sinqertë, po me zemër të pastër? Tha:
“(Zemra) e ruajtur, e pastër, në të
cilën nuk ka as gjynah, as padrejtësi,
as mllef, as mëri!”[4]
Poashtu thoshte në një prej udhëzimeve
të tij: “A t’ju tregoj për diçka më të
mirë se grada e agjërimit, namazit dhe
sadekasë?” I thanë: Po, o i dërguar i
All-llahut! Tha: “Ndreqja e zemrës,
sepse prishja e zemrës është si
eliminimi; nuk them se eliminon flokët,
por eliminon besimin!”[5]
Prandaj, kemi nevojë sot, t’i udhëzojmë
fëmijët dhe rininë tonë drejt besimit,
drejt dashnisë së All-llahut dhe frikës
së Tij, drejt ruajtjes së kufijve të
hallallit dhe distancimit nga haramet
dhe kufijtë e tij!
Kemi nevojë të madhe sot, të kuptojmë se
shenjtëria e jetës është e barabartë me
shenjtërinë e fesë, me atë të mendjes,
të pasurisë, të trashëgimisë dhe se
Islami ka ardhur për t’i mbrojtur dhe
lartësuar këto pesë shtylla të jetës dhe
fisnikërisë në këtë botë!
Si muslimanë e besimtarë, e kemi për
detyrë të kuptojmë se: “Obligimet e
Sheriatit të shenjtë (islam), nuk janë
vendosur, thjeshtë për ta futur njeriun
nën pushtetin e fesë, por janë vendosur
për realizimin e qëllimeve të Krijuesit
nëpërmjet realizimit të interesave të
tyre në fé dhe në këtë jetë! Në secilin
vendim të Sheriatit islam është pasur
kujdes edhe mbrojtja e një prej pesë
domosdoshmërive; feja – jeta – mendja –
trashëgimia – pasuria…”[6]
Kemi nevojë të kuptojmë si duhet ajetin
kur’anor: “Ne u shpallëm (ligj) beni
israilëve se kush mbyt një njeri (pa të
drejtë), pa pasë mbytur ai ndonjë tjetër
dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në
tokë, atëherë (krimi i tij) është si t'i
kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush e
ngjall (bëhet shkak që të jetë ai
gjallë) është si t'i kishte ngjallur
(shpëtuar) të gjithë njerëzit.”[7]
Na duhet ky ajet i madhërishëm, për të
ndaluar krimin në mesin tonë, në
shoqërinë tonë, kudo në botë. Por,
njëkohësisht, edhe për ta shpëtuar
jetën, për të falur e për të dhuruar
bujari e fisnikëri zemre, si shembulli i
fisit Shkambi, këtu në Drisht, të
cilëve, të gjithë u jemi mirënjohës!
Vëllezër të nderuar,
Ndodhitë e ndryshme, të mbushura me të
papritura të dhimbshme, grindje e
përçarje në mesin e njerëzve, duhet të
na tërheqin përherë e më shumë drejt
vetëkontrollit, drejt vetëpërmirësimit,
drejt forcimit të vullnetit për të
ndryshuar, për t’u kthyer nga Zoti, nga
virtytet e besimit, nga shembulli dhe
modeli i përkryer i Hz. Muhammedit (a.s)
që thoshte: “Mos u urreni, mos e kini
zili njëri-tjetrin, bëhuni vëllezër, o
robër të All-llahut!”[8]
Për fund të këtij mesazhi,
kësaj hytbeje,
Dua të sjell në vëmendjen tuaj një
hadith të mrekullueshëm, prej fjalëve të
bekuara të zotërisë tonë, Hz. Muhammedit
(a.s), i cili na drejtohet duke na
thënë: “Po afrohet në mesin tuaja
sëmundja e popujve para jush; smira dhe
urrejtja! Urrejtja është eliminuese,
zhduk fenë… Pasha Atë, që e ka shpirtin
e Muhammedit në dorën e Tij, nuk do të
hyni në xhennet derisa të besoni, nuk do
të besoni derisa të duheni! A t’ju
tregoj për diçka, që nëse e bëni, do të
duheni? Përhapeni selamin (përshëndetjen
e paqes) në mes jush!”[9]
All-llahumme begatoje Drishtin,
Postribën, Shkodrën, Shqipërinë,
familjet tona, mbarë ymmetin islam dhe
shtoje mirëkuptimin, harmoninë, dashninë
dhe paqen në mesin tonë, o Zot i
gjithësisë!
Largoje nga ne cytjen e shejtanit,
urrejtjen, smirën, inatin, mllefin,
pabesinë, konfliktin, mosmarrëveshjet,
përçarjet dhe na i mbush zemrat me besim
e dorëzim para Fjalës Tënde dhe
shembullit të Hz. Muhammedit (a.s)!
Amin!
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e fshatit
Drisht)
Shkodër, më 29 janar 2016
[1] Kur’ani,
Junus: 57-58.
[2] Transmetuar
nga Nesaiu dhe Ebu Davudi, nga Amr
ibnul-Ahvas (r.a).
[3] Muhammed
El-Gazali, “Khulukul-muslim”, botimi i
11-të, Damask, 1994, f. 89.
[4] Transmetuar
nga Ibn Maxheh.
[5] Transmetuar
nga Tirmidhiu.
[6] Ebu Ishak
Esh-Shatibi, “El-Muvafekat fi
usulish-sheriah”, botimi i I- rë,
Bejrut, 1994, vëll. i I- rë, f. 9.
[7] Kur’ani,
El-Maide: 32.
[8] Transmetuar
nga Imam Bukhariu.
[9] Transmetohet
nga Bezzari me sened të mirë.