Myftiu: "Feja, jeta, mendja,
trashëgimia dhe pasuria nuk preken!"
29 janar 2016
Ditën e xhuma, më 29
janar 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam
Muhamed B. Sytari, zhvilloi një vizitë
në shtëpinë e familjes Shkambi, në
Drisht, për të ngushëlluar familjarët e
dy vëllezërve, Abdullah e Skënder
Shkambi, që u vranë para disa ditësh nga
një bashkëfshatar i tyre.
Qëllimi i kësaj vizite ishte edhe
shprehja e mirënjohjes së Myftinisë
Shkodër për krejt fisin Shkambi dhe
burrat e tij të urtë, që vendosen
lirimin e familjarëve të vrasësit nga
gjakmarrja.
Myftiu tha se përtej dhimbjes, shembulli
i kësaj familjeje dhe fisi të nderuar në
Drisht, e tejkalon këtë moment sprove
dhe kthehet në një vlerë humanizmi,
besimi dhe qytetarie të lartë.
Edhe në hytben e tij të xhumasë, Imam
Muhamed B. Sytari, vlerësoi shembullin e
këtij fisi dhe u lut për paqtimin e
njerëzve dhe kthimin e tyre nga besimi
dhe Islami.
"Mirësia e madhe dhe bujaria e shpirtit,
e dëshmuar botërisht nga fisi Shkambi,
në fshatin tuaj, me rastin e fatkeqësisë
së papritur që goditi familjet e tyre, u
bë shkak obligues për mua që të jem sot
në Drisht, duke u lutur e falur
bashkarisht në këtë ditë të begatë të
xhumasë.
Lajmi i bërë publik, që burrat e këtij
fisi me emër, liruan nga gjakmarrja
familjarët dhe fisin e personit që preku
në shpirtin e tyre, jo vetëm që më
mbushi me emocion të madh besimi dhe
shprese, por u kthye në një detyrim
moral, besimor e qytetar, për të ardhur
sot në xhaminë tuaj dhe nga ky minber i
të dërguarit të All-llahut, botërisht
t’u them: All-llahu jua zbardhtë faqen
në këtë botë dhe në ahiret, o burra të
urtë e besimtarë të fisit Shkambi!
Drishti dhe Postriba, janë një kala e
fortë e besimit dhe e Islamit, ku
njerëzit e mirë të kësaj toke,
historikisht kanë dëshmuar vlera të
larta të besimit, harmonisë, paqes,
punës së ndershme, fitimit të hallallit,
nderit të grave e burrnisë tipike të
burrave të urtë e largpamës të kësaj
zone!
Ne si muslimanë, e kemi për detyrë dhe
obligim fetar të jemi përherë afër
njëri-tjetrit, në gëzime e në hidhërime,
në dëshpërime e në sihariqe, me të cilat
sprovohet jeta e jonë.
Sot, më shumë se kurrë, ne si muslimanë,
si shqiptarë, si vëllezër të një besimi,
një gjaku e një gjuhe, e kemi për detyrë
të mbjellim farën e bekuar të pastrimit
të zemrave nga inatet, smira, urrejtja e
pusitë kundër njëri-tjetrit! E kemi për
obligim fetar e kombëtar ta ruajmë të
paprekur shenjtërinë e jetës, familjes,
farefisit, atë të komshiut të mirë e
mikut-vëlla, për të cilët na porosit
Kur’ani dhe Hz. Muhammedi (a.s) në ajete
dhe hadithe të shumta!" - tha Myftiu.