Kryetari i KMSh, bashkëbisedim
me maturantët e Medresesë Shkodër
26 janar 2016
Paraditën e së
martës, më 26 janar 2016, H. Skender
Bruçaj, Kryetar i Komunitetit Mysliman
të Shqipërisë, zhvilloi një vizitë pune
në Shkodër, ku kishte programuar vizitën
e Medresesë "Haxhi Sheh Shamia" dhe një
bashkëbisedim me maturantët e të dyja
degëve.
I shoqëruar nga antarët e Kryesisë së
KMSh, Dr. Genti Kruja, z. Astrit Zharri,
si dhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed
B. Sytari, Kryetari i KMSh u prit nga z.
Kujtim Dervishi, drejtor i Medresesë
"Haxhi Sheh Shamia", z. Ridvan Seferaj,
kryetar i Shoqatës "Istanbul" dhe stafet
e dy degëve të medresesë.
Fillimisht, Kryetari Bruçaj, zhvilloi
një vizitë në objektin e ri të
Medresesë, ku zhvillojnë mësim klasat e
ciklit të ulët. Në vizitat e tij në disa
prej klasave, Kryetari i KMSh, dha
mesazhe të përzemërta për suksesin dhe
mbarësinë e mësuesve në edukimin e
brezit të ri me frymën e dashurisë për
dijen dhe shkollën.
Më pas, vizita vijoi me bashkëbisedimin
e organizuar nga drejtoria e shkollës,
ku Kryetari i KMSh dha mesazhet dhe
këshillat e tij për 150 maturantët e
medresesë së Shkodrës; për vazhdimin e
studimeve dhe nxitjen për të
perfeksionuar dituritë, në fushat e
përzgjedhura për studime.
Kryetari Bruçaj tha se kushtet
bashkëkohore që ofron Medreseja e
Shkodrës dhe ato të krejt vendit, janë
një mirësi e madhe dhe një shtysë më
shumë për ta vlerësuar këtë begati të
Zotit, me studim të vazhdueshëm dhe
reflektimin e moralit të shkollës në
realitetet e përditshme.
Kryetari i KMSh, rrëfeu edhe një pjesë
të eksperiencës së tij personale, si
ish-medresist dhe rëndësinë e madhe që
ka mësimi dhe studimi në jetë.
Më pas, maturantët i drejtuan Kryetarit
Bruçaj disa pyetje që lidhen edhe me të
ardhmen e studimeve të tyre, pas
përfundimit të Medresesë.
Më herët, maturantët i përshëndeti edhe
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B.
Sytari, si dhe drejtori i Medresesë, z.
Kujtim Dervishi.
Me rastin e kësaj vizite dhe takimi të
përzemërt, H. Skender Bruçaj i dhuroi dy
bibliotekave të Medresesë "Haxhi Sheh
Shamia", kolanën e plotë prej dhjetë
vëllimesh të revistës "Zani i Naltë".