“Për ndryshe… myslimanizmi,
Shqipnisë ká me i thanë lam t’u-mirë!”
15 janar 2016
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështiua
absolute i takojnë Zotit të vetëm të
gjithësisë, të Plotfuqishmit All-llah, i
Cili urdhëron në Kur’anin Famëlartë:
“Dhe (mua më shpallet) se vërtetë
xhamitë janë caktuar për ta adhuruar
All-llahun, e mos adhuroni në to askë
tjetër me All-llahun!”[1]
Salavatet dhe selamet më të përzemërta
ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo
ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të
Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), i cili na
lajmëron se All-llahu i Madhëruar ka
thënë: “Shtëpitë e Mia në tokën Time
janë xhamitë! Vizitorët e tyre janë
gjallëruesit e tyre. Bekuar qoftë ai
njeri që pastrohet në shtëpinë e tij,
pastaj më viziton në shtëpinë Time! Të
vizituarit i takon ta nderojë vizitorin
e tij!”[2]
Të dashur dhe të nderuar
vëllezër besimtarë,
Tema e kësaj hytbeje, që kam vlerësuar
të jetë edhe mesazhi i javës, lidhet me
xhamitë dhe ndjeshmëritë tona ndaj tyre.
Nëpërmjet këtij mesazhi, dua të ftoj të
pranishmit dhe lexuesit, që të jenë të
vëmendshëm dhe të kujdesshëm ndaj
xhamisë dhe rolit të saj në shoqëri, si
djep edukimi, si vend adhurimi, si
stacion qetësie dhe lutjesh drejtuar
Zotit të Vetëm të botëve, si qoshk
reflektimi dhe pendimi drejt më të mirës
në jetë, si mësonjëtorja e parë drejt
rrugëtimeve të dijes, urtësisë dhe
përkushtimit ndaj Zotit!
Dhe, shkak i këtij mesazhi u bënë dy
lexime të largëta në kohë, të afërta në
thelbin e temës, të shkruara në revistën
“Zani i Naltë” në vitet 1924 dhe 1925.
Fillimisht, në vitin 1925, një autor
shkodran, në një shkrim shumë interesant
me titull: “Pse larg xhamis?”[3],
i drejtohet “masës së ré shqyptare
myslimane”[4], ku
ndër të tjera thekson, se: “… kur
Shqyptari hyni në marrëdhanie me
pjesëtarë të kombevet tjerë, filloj me
ndî nji ftohtësi ndaj detyrimeve të
fesë; ftohtësi qi mâ tepër u çfaq në
djelmënin t’onë. Tuej e sjellë nevoja qi
djali mysliman të jetë në kontakt me të
hujët, vrrojti nji diferencë të madhe në
mes të vedit e të huejit për kahë vesha
e mbatha e për kahë sjelljet tjera.
Kishte mângut koletin e gravatin: i
vueni këta, tuej plotsue nji ndër të
mbeta qi shihte më vedi…”[5]
I ngrati njeri, a thua se veshja dhe
rroba, forma trupore dhe paraqitja
fizike e bëjnë njeri, bashkëkohor
e të qytetëruar!? Ndërkohë, Hz.
Muhammedi (a.s) na mëson se: “All-llahu
nuk i shikon format dhe pasuritë tuaja,
por vështron në zemrat dhe veprat tuaja”[6]
(Normalisht, hadithi në fjalë nuk
përjashton as largon vëmendjen nga
përkujdesja e muslimanit ndaj pastërtisë
dhe shijes në veshje e prezantime, por
tërheq vëmendjen ndaj shkallës së
përparësive në marrëdhënie me Zotin,
veten dhe ambientin).
Por, thelbi i shkrimit nuk ka dalë akoma
në skenën e leximit tonë. Autori vijon:
“Nji ditë prej ditësh takoj rasti qi
ndonji dijetarit (alim) na i rá në sŷ
kjo veshë; e kur djaloçi i ynë hyni si
pá-hiri në xhami, ndeshi para nji
volkani qi në vênd të llavës shpërthente
njimîj të shame: ndeshi në dijetarin
(alim). Djali trembet, deshperohet edhe
bân bé qi sikur edhe fesi t’i binte në
xhami nuk do të hynte m’e marrë!...”[7]
Nuk janë të pakta rastet, kur në xhamitë
tona ka munguar pjekuria e trajtimit të
rinisë dhe fëmijëve të vegjël, që e kemi
për detyrë të përkujdesmi për ta, më
shumë se për këdo tjetër, sidomos kur
është në diskutim edukimi fetar dhe
formimi i boshtit të fesë në ndërgjegjen
e tyre!
E vërteta është se pas shkëputjes së
viseve tona shqiptare nga kalifati i
lavdishëm osman, armiqtë e Islamit dhe
muslimanëve nuk pushuan së punuari me të
gjitha format dhe mënyrat e tyre për ta
zbehur besimin dhe formimin islam të
shqiptarëve. Sot, janë dendur metodat
dhe janë shtuar duart që bashkëpunojnë
me krejt forcat e tyre në këtë drejtim!
Në vitin 1940, nëpërmjet revistës tonë
“Kultura Islame”, Kryetari i Komunitetit
Mysliman, Dr. Behxhet Shapati, shkruante
dhe deklaronte botërisht, se: “Sikur
dihet prej të gjithve populli mysliman
mbas sundimit Otoman, si në vetësundimin
e vet ashtu edhe n’okupacjonet e huja,
deri 10 a 15 vjet përpara nuk ka pas
asnji pengim a vështirsi per me u
organizue e me ushtrue besimin e vet
n’atë formë qi ja porositte besimi i
vërtetë i tij.
Nuk e mohojmë që ndonji rast disa njerëz
për interesa personale, tuej ba vegël
fenë, të kenë lujtë edhe disa role
politike… E keqja nuk maronte me kaq,
por edhe mbassi qe stabilizue deri diku
Shteti Shqiptar me vujtje e sakrifica të
mdha, filluen kësaj here njerzit e
Qeverisë me ja mohue këtij populli
indirekt edhe ushtrimet e traditat
fetare si abrogim i të drejtave fetare,
ndalimi i shenjit tradicional të
Ramazanit, propagantë antifetare si dhe
ndalim’ i festimit tradicional të
Lindjes së Profitit t’onë ndër disa vise
e sa e sa tjera që i dijmë të gjithë.
Veç kësaj, pasunitë vakfnore që u lan
trashigim prej të parvet mysliman vetëm
për qëllime bamirsije dhe për përmbajtje
të fetarvet dhe t’instituteve
t’elementit Mysliman, u damtuen me
mënyra të ndryshme sa që u vuen në nji
gjendje aq të mjerushme për mos me mujtë
me i përgjigjë mâ n’asnji mënyrë
qëllimeve, për të cilët ishin destinue…”[8]
Kjo kazëm e pabesë dhe tinzare, vetëm se
ka ardhur duke u thelluar në dëm të
Islamit dhe muslimanëve shqiptarë në
vendin tonë, sidomos në emër të
laicizmit selektiv, ku komunitetet
fetare përherë e më shumë po trajtohen
të pabarabarta, në dëmin e Islamit dhe
muslimanëve!
Të dashurit e mi,
Ne si muslimanë, duhet të ndjehemi
krenarë dhe me dinjitet të lartë ta
mbrojmë interesin e fesë tonë, sepse ne
“Besojmë në nji Dinë, për të cilin duhet
të jemi madhështorë. Duhet të jemi
kryenaltë kur kryejmë detyrët qi ky Dinë
na i imponon[9].
Jemi – falë i kjoshim Zotit – antarët e
njatij Dini qi e bâni me thanë nji ndër
pjestarët e akademis françeze: “Islamët
– besimtarët e Dinit të Muhammedit –
janë mësuesat t’onë në lâmen kulturale,
gjâ qi s’duhet t’a mohojmë.” E ti, masë
e ré (rini) ké guximin me vuem gojë mbi
kët Dinë e me përbuzë xhaminë?! Turp
besa!”[10]
Në fakt, turpi më i madh duhet të na
rëndojë neve, imamëve, myftilerëve,
kujdestarëve të xhamive, por jo vetëm,
që nuk jemi angazhuar akoma si duhet me
rininë tonë, për ta ftuar drejt xhamisë,
për t’ia hapur dyert e dialogut dhe
komunikimit, për të dëgjuar prej tyre,
për t’ia mësuar fenë, për t’u ulur dhe
për t’u kuptuar, për të toleruar e për
të duruar në rrugën e gjatë të udhëzimit
dhe drejtimit të përbashkët drejt Zotit
dhe fesë së Tij!
Realitetet e sotme po dëshmojnë përherë
e më shumë tentativa nga më të ndryshmet
që tentojnë ta marrin për dore rininë
tonë muslimane drejt humnerave morale
dhe tjetërsimit të identitetit!
A nuk jemi dëshmitarë të organizimeve
plot shthurrje dhe alkool, gjatë krejt
muajit dhjetori që kaloi, aty para
dritareve të xhamisë “Ebu Bekër”?
A nuk jemi dëshimtarë të organizime të
shthurrura plot muzikë të djallëzuar,
para Bashkisë Shkodër, në netët e fundit
të Ramazanit që kaloi? Sepse
institucionet tona janë të sëmura, janë
infektuar dhe për pasojë përhapin
infeksion në emër të dëfrimit dhe
alternatives, festimit dhe argëtimit
kolektiv!
Ndërsa ne, kemi ngelur të mbyllur brenda
katër mureve të xhamive tona, pa forcë
organizimi, pa ndjenjë mase, pa kurajon
për t’u ngritur dhe për të ndaluar atë
që nuk duhet të jetë në lagjet tona, në
rrugicat tona, pranë xhamive tona, pranë
institucioneve tona! Pa forcën e kurajos
për të mos shkuar si kope delesh pas
njerëzve me identitet laraman dhe
ndërgjegje të sëmurë!
Për fund të kësaj hytbeje
dhe mesazhit të saj,
Dëshiroj ta mbyll me një mesazh plot
urtësi dhe largpamësi, me të cilin,
dijetari i madh i kombit tonë, Hafiz Ali
Korça i drejtohet ulemave të vendit
tonë, në vitin 1924, ku ndër të tjera
thekson: “Sikushi e din bukur se feja
mbahet e ruhet vetëm me dituni. Në këtë
botë pa dituní as gjâ s’mundet me u
rujt.
Si kena shkrum edhe të tjera herë, ndër
ata shekuj qi ka mbretënum ditunija
plotësisht edhe myslimanizmi ka çkëlqym
me të tepër.
Ndër ato mbrëtni myslimane q’âsht fikun
drita e ditunisë, e dhe feja pa dyshim
ka ngel në mjegull edhe s’ka mund me e
qit atë rrezen çkëlqimore si e ka dasht
nevoja.
…
Për njerinë m’i math armik se çditunija
s’ka.
Pa dituni s’mundet të mbahet as fe as
shtet as shtëpija e vetë.
Zoti, ditunin e quan ngjallje dhe
çdituninë vdekje. Ahere prej të vdekve
ç’presim?
Kjo fe kurdoherë âshtë mbajt me anën e
medreseve dhe prapë me anën e tyne
mundet me u mbajt. Për ndryshe në
Shqipni kam frikë se do t’a ketë jetën
të shkurtë.
…
Na Shqiptarët në Shqipëni si mundim me e
mbajt fenë? Mundim me e mbajtë fenë në
qofshim se bij e bijavet t’ona do t’u
mësojmë H. Kuranin bashkë me thelbin e
tij. Për ndryshe si thamë mâ sipër
myslimanizmi, Shqipnisë ká me i thanë
lam t’u-mirë.
Të nderçmit ulema e Meshajih. Nuk âshtë
koha me fjet, duhet të vemë gishtin e të
mentohemi, se po ikim.
A nuk po shifni se çunat qi na arrinë
moshën (20) nuk po dinë me prumun
shehadet; pale ata fëmijë qi po këndojnë
në rahlet të rahibëve dhe rahibeve se
ç’kanë me u bâ! …”[11]
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Dudasit)
Shkodër, më 15 janar 2016
[1] Kur’ani,
El-Xhinn: 18.
[2] Hadith i
dobët, sipas analizës së Zejaliut dhe
Irakiut, por që forcohet me transmetime
të shumta të ngjashme, të transmetuara
nga Tabaraniu, nga Selmani (r.a) dhe të
saktësuara nga dijetarë të ndryshëm të
hadithit.
[3] Shkrimi:
“Pse larg xhamis?”, në revistën “Zani i
Naltë”, nr. 9, Tiranë, nantuer 1925,
viti i II- të, f. 668-672.
[4] Po aty, f.
668.
[5] Po aty, f.
668.
[6] Transmetuar
nga Bukhariu dhe Muslimi, nga Ebu
Hurejra (r.a).
[7] Shkrimi:
“Pse larg xhamis?”, cit. më lart, f.
668.
[8] Dr. B.
Shapati, “Gjendja e djeshme dhe e
sotshme e elementit shqiptar mysliman në
Shqipni”, në revistën: “Kultura Islame”,
Viti I, Tiranë, Fruer-Mars, 1940, nr.
6-7, f. 203-204.
[9] Natyrshëm,
kjo fjalë duhet kuptuar drejtë me
qëllimin e udhëzimit hyjnor dhe
obligimeve të ndryshme fetare në Islam,
jo ndryshe! (Shënim imi. M.S.)
[10] Shkrimi:
“Pse larg xhamis?”, cit. më lart, f.
671.
[11] H. ALI,
“Letr’ e hapët për gjith ulemat e
meshajihat qi ndodhen në Shqipni”, në
revistën “Zani i Naltë”, nr. 8, Tiranë,
maj 1924, viti i I- rë, f. 238-246.