“Shkoni, shkoni se keni besën e Fudejlit!”
8 janar 2016
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut,
Zotit të vetëm të botrave, Krijuesit
Fuqiplotë, Atij që do t’i grumbullojë të
gjitha krijesat e Tij në ditën e
llogarisë, për të ndarë të drejtën nga e
padrejta, shtrembërimin nga pastërtia,
teuhidin nga shirku, sinqeritetin nga
hipokrizia, adhurimin nga idhujtaria,
besimin nga femohimi, zemrën e pastër
nga ajo e vulosur katran me njollat e
gjynaheve dhe neglizhencës ndaj Tij!
Thotë në Kur’anin Famëlartë: “Për
All-llahun, që s'ka Zot tjetër pos Tij,
patjetër Ai do t'ju tubojë në ditën e
gjykimit për të cilën nuk ka dyshim…”[1]
Salavatet dhe selamet më të përzemërta,
ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo
ditë të jetës tonë, Hz. Muhammedit
(a.s), i cili thoshte për veten e tij:
“Unë jam zotëria i bijve të Ademit në
ditën e gjykimit, i pari që do t’i hapet
varri, i pari ndërmjetësues dhe i pari i
ndërmejtësuar.”[2]
Më të dashurit tonë , “më të
mirit”[3], të
përzgjedhurit me vulën: “ti qëndron mbi
një shkallë të lartë morali”[4],
atij që tha për veten e tij: “Unë jam i
shkruar tek All-llahu si Vula e
profetëve, qëkur Ademi po brumosej në
baltën e tij. Po ju lajmëroj për
fillimet e mia: Unë jam lutja e
Ibrahimit, sihariqi i Isait dhe ëndrra e
nënës sime, e cila pa, kur po më lindte,
një dritë që doli prej saj, nëpërmjet së
cilës iu shfaqën kështjellat e Shamit
(Damaskut)”[5]
Të dashur e të nderuar
vëllezër besimtarë,
Mesazhet e kësaj jave, që dua të ndaj me
ju nëpërmjet kësaj hytbeje, burojnë nga
një hadith sherif, të cilin na e rrëfen
sahabiu i nderuar Muadh ibni Xhebel
(r.a). Ai tregon se Resulull-llahu (a.s)
ka thënë: “Nuk do të lëvizin këmbët e
robit në ditën e gjykimit, derisa të
pyetet për katër gjëra: për jetën e tij
se në çfarë e kaloi, për rininë e tij se
në çfarë e shfrytëzoi, për pasurinë e
tij se nga ku e fitoi dhe në çfarë e
shpenzoi dhe për diturinë e tij, se
çfarë veproi me të!”[6]
Natyrshëm, ky hadith na përket të
gjithëve, ai na fton të meditojmë e të
reflektojmë për jetën tonë, për rininë,
për pasurinë, për kohën, për diturinë,
për gjithçka që na është dhënë në këtë
jetë dhe, që shpesh nuk e falënderojmë
si duhet Zotin e gjithësisë, duke u
përfshirë në kuptimet e ajetit kur’anor:
“Veproni duke falënderuar, o familja e
Davudit, e nga robërit e Mi, pak janë
mirënjohës!”[7]
Po, të dashur vëllezër e motra, hadithi
i lartpërmendur është një nxitës i madh,
që muslimani të kontrollojë çdo minutë
të jetës së tij, për të mos shkuar dëm,
pa një dobi, pa një vlerë, pa një
shkëndijë pendimi, udhëzimi, bëmirësie,
solidarizimi me familjen, shfaqje
dashamirësie ndaj shoqërisë, lutje për
vëllazërinë islame, për ymmetin, për ata
që nuk kanë, për të uriturit, për të
eturit, vrapim pas fitimit të një
zanati, sakrificë për të mësuar e
studiuar për t’u thelluar në dije drejt
perfeksionit, që muslimani e ka natyrë,
e ka në gen, e ka në themel të fesë së
tij dhe moralit të saj!
Dhe, u ndala pak tek një prej katër
pikave për të cilat, të gjithë ne do të
pyetemi në ditën e gjykimit. Aty, më
erdh ndër mend publikimi prekës që një
prej mësuesve dhe edukatorëve të mi
sirianë, ka bërë diku nga fundviti 2012.
Asokohe e kam përkthyer në shqip…
E risolla në vëmendje atë ndodhi dhe kam
dëshirë ta ndaj sërish me ju. Është një
thirrje për rininë tonë, një thirrje
udhëzimi dhe një dëshmi që flet në
heshtjen e saj…
Dhe historia nis kështu… “Dy të rinj
sauditë vendosën të largohen nga qyteti
i tyre (e ndriçuara Medine) dhe të
udhëtonin drejt Stambollit, qytetit të
madh e të bukur, ku përzihet shpirti i
pastër e mistik islam, me prekjet e
lirive të pakontrolluara e të shthurura,
në emër të ngopjes së egos së sëmurë…
Kishin vendosur të pinin, të deheshin e
të dëfrenin pa kufij. Kishin blerë disa
shishe me lloje të ndryshme pijesh
alkoolike dhe ishin drejtuar për të
marrë një dhomë hoteli për të kaluar
netët e udhëtimit të tyre plot “netë
ëndrrash”…
Në hyrje të hotelit, sportelisti, me të
diktuar se klientët e tij ishin nga
qyteti i Medines (qyteti i
Resulull-llahut dhe të Dashurit të
Zotit), ishte gëzuar aq shumë sa u
kishte servirur jo një dhomë të
zakonshme, por suitën më të mirë që
kishin në atë hotel. Si jo, ata ishin
banorë në një vend me Resulull-llahun
(a.s)!
Atë natë, dy të rinjtë kishin pirë aq
shumë, sa mezi qëndronin në këmbë. Në
atë gjendje, kishin fjetur dhe në
mendjen e tyre çdo gjë shkonte sipas
parashikimeve dhe dëshirës së tyre për
dëfrim…
Diku nga ora 4 e mëngjesit të ditës së
nesërme, trokitjet e matura të derës së
tyre u bënë shkak për prishjen e gjumit.
Kush ishte? Çfarë kërkonte në atë orë jo
të zakontë për të trokitur në
derë? Njëri prej dy të rinjve, me njërin
sy të hapur e tjetrin të mbyllur nga
lodhja e natës së shkuar, u ngrit dhe
mezi e hapi derën. Pas saj qëndronte
sportelisti me fytyrë të qeshur.
Më falni zotëri, - i tha me gjysëm zëri,
- këtu pranë nesh ka një xhami. Pasi
mësoi për ardhjen tuaj dhe pushimin në
hotelin tonë, imami i xhamisë refuzoi të
drejtonte njerëzit në namazin e sabahut,
ndërkohë që ju jeni prezentë në mesin
tonë! Ai ka lajmëruar xhematin dhe ata
duan që njëri prej jush të falet sot
imam! Prandaj, po ju lajmëroj që të
bëheni gati dhe të na nderoni me
zbritjen tuaj në xhami.
I riu saudit, i tronditur nga fjalët e
sportelistit, zgjoi me të shpejtë shokun
e tij dhe i tregoi për bisedën në derë
të suitës. E pyeti nëse dinte ndonjë
sure nga Kur’ani, sepse ai për vete nuk
dinte as Fatihanë. Shoku i dhomës, i
tronditur nga fjalët që kishte dëgjuar
dhe situatën e krijuar, i tha, se përveç
Fatihasë dinte edhe “Kul huvell-llahun”
dhe asgjë tjetër. Ndërkohë, dera trokiti
sërish… Ishte përsëri sportelisti me
fytyrë të qeshur… “Zotëri, koha po kalon
dhe njerëzit po presin! Ju lutem
shpejtoni!”- tha dhe u largua.
Dy të rinjtë, pasi u lanë, u veshën dhe
u parfumosën zbritën në xhami. Ç’të
shihnin, xhamia ishte tejmbushur si të
ishte ditë bajrami… Kishin ardhur dy të
rinj nga qyteti i Pejgamberit (a.s)…
Njerëzit i shihnin me buzëqeshje e shumë
përzemërsi. Dikush i përshëndeste me
dorë në zemër e dikush tjetër duke
zgjatur kokën, përpiqej të tregonte
kureshtjen legjitime për dy vizitorët
specialë të kësaj dite…
Muezini këndoi ikametin dhe njëri prej
dy të rinjve, në mihrabin e imamit, nisi
të këndonte Fatihanë dhe “Kul
huvell-llahun”, të cilin e përsëriti
edhe në rekatin e dytë…
Pas përfundimit të namazit, njerëzit nuk
kishin të sosur, teksa i përqafonin dhe
këndonin salavate, si për të kujtuar
Zotërinë e bijve të Ademit, që pushon në
Medine, prej nga kishin ardhur dy të
rinjtë…
U kthyen në hotel. Në suitën e tyre, ata
shikonin njëri-tjetrin dhe qanin pa
pushim. Ishin lotët e pendimit të tyre.
Zoti i gjithësisë i kishte marrë për
dore drejt këtij vendi, për t’i udhëzuar
në pendim, pas hutimit dhe shthurrjes së
tyre… Subhanall-llah..!
Rrëfimi tregon se sot, njëri prejt dy të
rinjve, është një ndër thirrësit islamë
më të suksesshëm të kohës…[8]
Të dashurit e mi,
Kjo ngjarje e vërtetë, më kujtoi atë të
Fudejl ibn Ijadit, një njeriu të shquar
e të urtë, të udhëzuar në Islam pas një
shthurjeje dhe devijimi të çuditshëm. Ai
jetoi në periudhën 723 – 803 të erës
sonë. Thuhet se ka lindur në Samerkand,
u rrit në Ebjurd (afër Horasanit) dhe
ndërroi jetë në Mekkë.
Ai ishte një plaçkitës rrugash, ndërsa
shkak i pendimit të tij u bë dëgjimi i
disa ajeteve kur’anore, një natë teksa
ndiqte një vajzë që e donte. Teksa
ngjitej në muret e shtëpive drejt saj,
dëgjoi një person që këndonte ajetin 16
të sures “El-Hadid”: “A nuk ka ardhur
koha që zemrat e atyre që besuan të
zbuten me këshillat e All-llahut dhe me
të vërtetën që zbriti (me Kur'an), e të
mos bëhen si ata, të cilëve u është
dhënë libri më parë, u kaloi koha dhe
zemrat e tyre u shtangën e, shumë prej
tyre janë jashtë rrugës”[9]
U ndal, sikur një forcë e pashpjegueshme
e goditi fort në zemër e në qenie e tij
dhe, tha me të madhe: “Po, o Zot, ka
ardhur ai moment!” dhe u kthye mbrapsht
i dëshpëruar për të kaluarën e errët.
Duke ecur në mendimet dhe pendimin e
tij, nata e zuri pranë një kasolleje të
braktisur, ku gjeti edhe ca persona të
tjerë. I thanë njëri-tjetrit, pa e
njohur personin e sapoardhur: Të lëvizim
e të shkojmë. Dikush tha: Jo, të presim
sa të dalë agimi, se do na grabisë
Fudejli në rrugë!
I penduar dhe i lënduar thellë në zemrën
e tij, ndërhyri dhe i tha: “Shkoni,
shkoni se keni besën e Fudejlit!”[10]
dhe u largua për vete drejt Mekkës, ku
kaloi edhe pjesën tjetër të jetës së tij
derisa ndërroi jetë.
Abdull-llah ibni Mubarek, dijetari i
madh, thoshte për të: “Kur të vdesë
Fudejli, do të ngrihet mërzia!”[11]
Në përfundim, i lutem All-llahut të
Madhëruar të na bëjë prej atyre që e
dëgjojnë fjalën dhe veprojnë më të mirën
e saj. Vel-hamdulil-lahi rabbil-alemine!
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Dërgutit)
Shkodër, më 8 janar 2016
[1] Kur’ani,
En-Nisa: 87.
[2] Transmetuar
nga Muslimi, nga Ebu Hurejra (r.a).
[3] Transmetuar
nga Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh, nga nëna e
jonë Aishe (r.a). Hadithi: “Më i miri
ndër ju është më i miri për familjen e
tij. Dhe, unë jam më i miri juaj për
familjen time”.
[4] Kur’ani,
El-Kalem: 5.
[5] Transmetuar
nga Ahmedi, Bezzari, Ibn Hibbani,
Tabaraniu, El-Hakim, El-Begavi. El-Hakim
ka thënë: “Nuk e dimë se transmetohet me
ndonjë isnad të lidhur (muttesil), më të
mirë se ky”.
(www.dorar.net/enc/aqadia/2077).
[6] Transmetuar
nga Ibni Asakir, Ibni Abdil-Berr,
Daremiu, nga Muadhi (r.a) etj.
[7] Kur’ani,
Sebe’: 13.
[8]
http://www.muhamedsytari.net/5.html
[9] Kur’ani,
El-Hadid: 16.
[10] Ebul-Kasim
Abdulkerim ibn Hevazin El-Kushejri,
“Er-Risaletul-Kushejrijje”, botimi i
tretë, Bejrut, 1997, f. 424.
[11] Po aty, f.
424.