Edeb, jahu!
3 janar 2016
Këto ditë, në
realitetet intelektuale dhe shpirtërore
të kryeqytetit të vendit tonë, ndodhën
dy ngjarje krejtësisht të kundërta në
rrezatimin dhe jehonën e tyre. Doli në
qarkullim kolana prej 10 vëllimesh e
përmbledhjes së revistës “Zani i Naltë”,
(1923-1939), lajm që kryesisht kaloi në
heshtje, si vetë heshtja e vlerave
përballë përdaljes që mbizotëron për fat
të keq në vendin tonë prej kohësh!?
Lajmi i dytë, që mori dhenë dhe u bë
kryefjalë e shumë emisioneve televizive,
kryeartikujve të gazetave,
thashethemnajës pa fund në rrjetet
sociale etj, ishte shpërndarja e çmimit
“Lumo Skëndo” nga Ministria e Kulturës.
(Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë "Lumo
Skëndo" i shërben vlerësimit dhe
stimulimit të botimeve me vlera të
spikatura bibliofilike e intelektuale).
Natyrshëm, nuk do të ndalem të diskutoj
fare për pjesën e dytë, por duke marrë
shkas prej saj, dua të ndaj me ju një
shkrim të Lumo Skëndos, botuar në
revistën “Zani i Naltë”, nr. 1, gusht,
1926, me titull: “Edeb, jahu!”.
Ja si e nis shkrimin e tij autori: “Nji
fé naltërohet, nderohet dhe respektohet
me naltësinë, me nderin dhe me respektin
që ka ay popull për vedin e vet. Pa
dyshim që feja sa do e vërtetë dhe e
shejtë të jetë, gjendet në nji shkallë
t’ulët të qytetnimit, kur ay popull nuk
ka ment të marri një shkëlqim në jetën
shoqnore.
Nji prej shenjat e naltrimit shoqnuër
është edhe edebì, terbieja, sjellja e
mirë. Këto dy çillsie e shquajnë njerinë
prej shtaze.
Shqyptari mysliman e ka për detyrë të
sillet mirë, me terbije dhe edeb që të
nderohet vetë dhe kështu t’i japë
respekt dhe nderim fesë që ka, për
ndryshe çdo faj i tij do të kujtohet si
e mbetë e besimit, sikur e urdhënon
besimi.
Këtë parathanje m’a kanë inspiruer disa
ndollina që kam vrejtur në rrugat e
Tiranës: …”
Dhe autori vijon të tregojë për tri
ngjarje, ku ka dëshmuar shthurrjen
morale dhe mungesën e edukatës dhe të
etikës në komunitet.
Në rastin e parë shkruan: “Kujtoj se
njeriu në shtëpië të vet ose në nji vend
të mbyllun që shpesh rrëfehet me dy
zero, ka ndoshta të drejtë që të bëjë çë
do, jo në mes të rrugës se atëhere del
nga radha e njeriut të qytetnuem dhe
bâhet i egër ose shtazë”
Në rastin e dytë, trajton përhapjen në
masë të sharjeve në mesin e të rinjve.
Thekson se: “Të shartë dëfton tri sende,
tri sëmundje: 1. Ose njeni që përdorë
fjalë të ndyra dhe të liga, është nji
njeri i lik me zemër të keqe, pa
dhimpshuri dhe naltësi shpirti. 2. Ose
ka një edukatë harbute i rritun me
njerëz pa arsim dhe pa delikatesë. 3.
Ose është indiferent, nuk ve re çë
thotë, nuk shquen të mirën nga e keqja,
rron si nji drû, si nji dhí e egër,
vetëm me lumtërin e nevojës dhe të
dëfrimit t’ultë… S’do harruar kurr se
sjellja e mirë, politesa, hollësija e
ndjenjavet rrëfejnë respektin që ka
njeriu për vehten e tij dhe sedrën
përkundrejtë dignitetit.”
Në rastin e tretë, ai ndalet tek
përhapja në masë e alkoolit dhe
dëfrimeve “trashanike”, siç i quan
autori. Shkruan: “Kam dëgjuar shpesh
herë, nji mik, të më thotë: “Shiko këta
të mjerë ideali i tyne nuk ngjitet mâ
nalt se nga çitjanet e jevgeve!” Fjalë
të hidhta që duhet të na bâjnë të
mejtohemi, se në vaftë kështû do të
forcohet nji idé të thonë bota se
shqyptari mysliman s’ka zotsì për ideal
të naltë për jetë morale dhe shoqnore;
kënaqet me rrojtje të zezë, me defrim të
poshtër, pa-kulturë, pa-arsim,
pa-qytetnim; nuk imiton shemblla të
mira, nuk sheh anën e bukur të jetës, me
gjansië intelektuale, si i ka hije nji
populli të përparuar…”
Dhe, u ndala pak, hodha sytë përreth
realiteteve tona të zhurmshme,
shthurrjes morale dhe nxitjes së rinisë
drejt alkoolit dhe dëfrimeve
“trashanike”, (si ato që organizojnë
bashkitë tona me rastin e “festave të
fundvitit”) etj., pa fund. Pastaj ktheva
kokën nga emri i Lumo Skëndos, mbi një
çmim ministror në fundvitin që sapo
kaloi… Ngjante me një vrimë të madhe
shtazarake, përreth së cilës silleshin
personazhe publike, thirreshin: “Elita e
çitjaneve“! Ngjanin shumë me personazhet
e Lumo Skëndos, këtu e 90 vite më parë.
Ndërkohë ai, në madhështinë e heshtjes
së tij, tundte kokën në shenjë habie...
Nuk bëhej fjalë më për “gjansië
intelektuale, si i ka hije nji populli
të përparuar…”
Vështronte i habitur. I rrethuar nga
neveria dhe zhgënjimi, tha vetëm një
fjali të shkurtër:
“Edeb, jahu!” dhe u largua në heshtjen e
tij…
Nuk e di a dëgjoi kush apo jo…
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, 3 janar 2016