“Do t’i shpëtojë nga zjarri, o Sile..!”
1 janar 2016
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut,
Zotit të vetëm të gjithësisë, i Cili
urdhëron në Kur’anin Famëlartë: “Dije se
nuk ka zot tjetër pos All-llahut”[1]
Salavatet dhe selamet më të përzemërta
ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo
ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të
Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), të
dërguarit mëshirë dhe udhëzim për mbarë
botrat.
Transmeton Imam Ahmedi, nga Ja’la ibn
Sheddad (r.a), i cili thotë se i ati,
Sheddadi (r.a), (ndërkohë që sahabiu
Ubade ibni Samit (r.a) ishte i
pranishëm, e dëgjonte dhe pohonte) ka
thënë: Ishim tek i dërguari i All-llahut
(a.s), kur tha: “A ka ndonjë të huaj në
mesin tuaj?”, (dmth, ehli-kitab). Thamë:
Jo, o i dërguar i All-llahut! Pastaj
urdhëroi të mbyllej dera dhe tha:
“Ngrini duart dhe thoni: La ilahe
il-lall-llah!” Ne i ngritëm duart për
disa momente, pastaj (Resulull-llahu) e
uli dorën e tij (a.s) dhe tha:
“Elhamdulil-lah, All-llahumme Ti më ke
dërguar me këtë fjalë, më ke urdhëruar
ta përhap atë dhe më ke premtuar për të,
xhennetin! Ti nuk e thyen premtimin
Tënd!” Pastaj tha: “Sihariq për ju,
All-llahu ju ka falur!”[2]
Të nderuar vëllezër
besimtarë,
Duke hedhur një vështrim të shpejtë në
realitetet e përditshme, me të cilat
përballemi dhe, ku shpesh jemi edhe vetë
protagonistë e dëshmitarë, vërejmë sesa
shumë është përhapur në masë shthurja e
njeriut në raport me besimin dhe fenë e
tij, si dhe në raport me urdhëresat dhe
ndalesat e Zotit. A thua se askush nuk
pyet më se përse është krijuar? Përse
gjendet në këtë jetë dhe cili është
misioni i tij? A mos vallë grumbullimi i
pasurive dhe thesareve, pa marrë
parasysh prejardhjen dhe origjinën e
tyre? Apo rritja e pushtetit, edhe
nëpërmjet harameve dhe ndalesave
hyjnore, për të cilat një ditë do të
llogaritet, në mos në këtë jetë, në të
përtejmen? A thua se kushdo e ka një
garanci për të tashmen dhe të ardhmen e
tij!?
Po të hedhësh një vështrim, sesi rrjedh
historia e jonë, e shoqërisë tonë, në
raport me besimin dhe Islamin, e kupton
krejt mirë sesa shumë punojnë armiqtë e
fesë dhe të besimit, ditë-natë, për ta
shuar Dritën e Zotit, për ta frikësuar
muslimanin dhe mbarë botën me
shejtanizimin e armikut (këtu, Islamit
dhe muslimanëve), me komplotet e
panumërta, si pasojë e të cilave
legjitimojnë vjedhjen dhe zhvatjen e
pasurive të muslimanëve dhe tokave të
tyre, si rastet flagrante në vendet e
Lindjes dhe përtej saj, por jo vetëm!?
Ndërkohë, ne si muslimanë, e kemi më se
të detyrueshme sot, që të largohemi nga
të gjitha temat e tjera dhe të merremi
vetëm me besimin dhe përhapjen e tij, me
sa të kemi mundësi. Derë më derë, lagje
më lagje, shtëpi më shtëpi, për të
përhapur Teuhidin dhe për të tërhequr
vëmendjen e njerëzve se shirku dhe
perandoria e tij, haramet dhe largimi
nga Dera e Zotit, edhe pse me format e
shumta të mashtrimit dhe zbukurimeve
lajkatare e joshëse, që lidhen me
përjetësimin e njeriut në këtë jetë;
janë një gënjeshtër e madhe, një
mashtrim fatal për të sotmen dhe të
nesërmen e njeriut, për të përtejmen e
tij!
Në Kur’anin Famëlartë lexojmë sesi Zoti
i gjithësisë e pyet Hz. Isain (a.s),
(ndonëse Ai është i Plotëdijshmi), se:
“O Isa, bir i Merjemes, a ti u the
njerëzve: “Më besoni mua dhe nënën time
si dy zota, pos All-llahut!?” (Isai)
Tha: “Larg asaj të mete je Ti (o Zoti
im). Nuk më takon mua ta them atë që
s'është e vërtetë…”[3]
A nuk e shihni sesi politika laike, po
kthehet përherë e më shumë në një
misionare të një fryme e një besimi që
nuk është fryma e besimi ynë? A nuk e
shihni sesi dita-ditës, misionarë të
shumtë, me libra e broshura, me dhurata
e me fytyra të zhgarravitura, si kllounë
argëtues, po bëjnë të pamundurën të na
vjedhin fëmijët, duke u vjedhur e
mashtruar atyre zemrat, drejt një fryme
e një besimi që nuk është fryma e besimi
i tyre?!
Ne jemi muslimanë, jemi shoqëri islame,
jemi popull musliman, që e kemi pranuar
Dritën dhe Udhëzimin e All-llahut me
bindje e logjikë, me të e kemi shtruar
jetën tonë e me të duam të jetojmë e të
vdesim!
Për këtë, e kemi për detyrë ta
gjallërojmë e ta freskojmë herë pas here
besimin dhe bindjen tonë, duke u
përpjekur ta shtojmë përkushtimin tonë
ndaj All-llahut dhe fesë së Tij.
Mbrëmë vonë, më doli gjumi nga zhurma e
madhe e fishekzjarreve. Gjëja e parë që
mendova ishte: Subhanall-llah, brezat e
parë të Islamit, muxhahidët, asketët,
dijetarët, altruistët, burrat me
prezencë dhe gratë e ndershme e
fjalëpak, me siguri nuk e kanë arritur
atë gradë të lartë të përkushtimit dhe
qytetërimit të vlerave, me fishekzjarre
në duar, me kupa vere e poterë britmash,
ulërima e zhurmë shurdhuese muzike të
larmishme, që shpon daullet e veshëve,
jo, jo! Por, më e keqja e kësaj belaje,
që nuk është kultura e jonë, as bota e
jonë shpirtërore, është se krijuesit e
këtyre modeleve tunduese, ia kanë
arritur qëllimit deri diku, për të
krijuar një bindje të fortë tek masat,
tamam sikurse e përmend Kur’ani: “e
megjithatë ata mendojnë se po bëjnë
mirë”[4]!?
Të nderuar të pranishëm,
Nga sa më lart, e kemi për detyrë që
besimin tonë dhe vlerat e tij t’i ruajmë
me shumë seriozitet, duke mos toleruar
asgjë në dëm të tij, sepse të gjithë ata
që vijnë e ju bëjnë dredha, me fjalë të
bukura e me buzëqeshje tinzare, në fakt,
nuk duan asgjë tjetër vetëm se zemrën
tuaj, besimin tuaj dhe atë të fëmijëve
tuaj. Me fjalë të tjera, të gjithë janë
ushtarë të bashkuar në një qëllim;
zhveshjen e muslimanit nga Islami i tij,
zhveshjen e shqiptarit nga Islami i tij!
Dhe për këtë, bëjnë edhe më shumë ngase
shihni e dëgjoni ditë pas dite!
Të dashurit e mi,
Një realitet të ngjashëm me atë që kemi
kaluar ne si popull gjatë inkuizicionit
të egër komunist dhe atë që e pasoi,
deri në ditët e sotme, e dëshmon më së
miri hadithi sherifë, në të cilin
transmetohet se Resulull-llahu (a.s) ka
thënë: “Do të fshihet Islami, siç
fshihet ngjyra e rrobës, nuk do të dihet
çfarë është agjërim, as sadeka, as haxh.
Do të merret Libri i All-llahut në një
natë, nuk do të mbesë prej tij në tokë,
as edhe një ajet. Do të ngelen ca grupe
njerëzish, burri plak e gruaja plakë, që
do të thonë: Kemi mbërritur prindërit
tanë që e thonin këtë fjalë: La ilahe
il-lall-llah, edhe ne e themi atë!”[5]
Një i pranishëm i quajtur Sile, kur
transmetuesi i këtij hadithi, sahabiu
Hudhejfe (r.a) e përmendi atë, tha: E ku
u vlen atyre fjala La ilahe
il-lall-llah, kur nuk dijnë se çfarë
është agjërimi, as sadekaja, as haxhi?!
Hudhejfe u largua prej tij duke i thënë
tre herë, dy të parat teksa i largohej
dhe të tretën, duke iu afruar: “Do t’i
shpëtojë nga zjarri, o Sile, do t’i
shpëtojë nga zjarri, do t’i shpëtojë nga
zjarri!”[6]
Ndërkohë Resulull-llahu (a.s) thoshte:
“Ripërtërini besimin tuaj!” I thanë: Si
ta ripërtërijmë besimin tonë, o i
dërguar i All-llahut? Tha: “Shtojeni sa
më shumë fjalën La ilahe il-lall-llah!”[7]
Prandaj, ta shfrytëzojmë kohën tonë, të
punojmë për fenë tonë dhe të kuptojmë se
nuk mund të jetojmë me dinjitet e
krenari, pa qenë besnikë të fesë sonë
dhe pa e ndjerë madhështinë e besimit si
brezat e shkuar, ku përmendet se Hz.
Omeri (r.a), i kapte për dore shokët e
tij dhe u thoshte: “Ngrihu ta shtojmë
besimin” dhe uleshin e bënin dhikër![8]
Ndërsa El-Esved ibn Hilal thoshte: “Po
ecnim me Muadhin (r.a), kur na tha:
Uluni të besojmë për pak çaste!”[9]
Vel-hamdu lil-lahi rabbil-alemine!
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e fshatit
Bardhaj)
Shkodër, më 1 janar 2016
[1] Kur’ani, Muhammed: 19.
[2] Ka thënë
Hejthemiu: Transmetuar nga Ahmedi,
Tabaraniu dhe Bezzari dhe burrat e
zinxhirit janë të besueshëm. Të shihet:
Shejkh Muhammed Jusuf El-Kandehlevi,
“Hajatus-sahabe”, botimi i 6-të, Damask,
1993, vëll. III-të, f. 9-10.
[3] Kur’ani,
El-Maide: 116.
[4] Kur’ani,
Kehf: 104.
[5] Transmetuar
nga Hakimi, nga Reb’i, nga Hidhejfe
(r.a).
[6] Imam Hakimi
thotë: Ky është një hadith i saktë,
sipas kushtit të Muslimit, por nuk e
kanë transmetuar (Bukhariu me Muslimin).
Dhehbiu thotë: Sipas kushtit të
Muslimit.
[7] Transmetuar
Ahmedi dhe Tabaraniu, nga Ebu Hurejra
(r.a).
[8] Transemtuar
nga Ibn Ebi Shejbe dhe El-Le’lekai në
“Es-Sunne”, nga Ebu Dherri (r.a).
[9] Transmetuar
nga Ebu Nuajmi në “El-Hilje”, nga
El-Esved ibn Hilal (r.a).