“Ju jap sihariq një të Dërguar pas meje,
emri i të cilit është Ahmed!”

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të botrave, i Cili iu prezantua gjithësisë nëpërmjet mëshirës, për të cilën thotë: “E kur të vijnë ty ata që i besojnë ajetet tona, thuaju: “Selamun alejkum, Zoti juaj ia atribuoi vetes së Tij mëshirën. Kush bën prej jush ndonjë të keqe pa dije, e mandej pas asaj (të keqeje) pendohet dhe përmirësohet, s'ka dyshim se All-llahu është që falë shumë dhe është Mëshirues.”[1]

Atij që i dëshmoi gjithësisë, madhështinë e Tij në krijimin e njeriut pa babë e pa nanë, nga asgjëja, si rasti i Hz. Ademit (a.s), krijimin e njeriut nga brija e burrit, pa babë e pa nanë, si rasti i nanës së njerëzimit, Hz. Havasë (a.s), krijimin e njeriut pa babë, nga një nanë e bekuar, si rasti i Hz. Isait (a.s), nga e nderuara Hz. Merjem (a.s) dhe krijimin e racës njerëzore, natyrshëm, nga një nanë e një babë, si rasti i mbarë njerëzisë, deri në kiamet.
           
Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të Ademit, Prijësit tonë, “Nanës e Babës tonë”, Hz. Muhammedit (a.s), për të cilin dha sihariq, rreth pesë shekuj para shfaqjes së tij në këtë botë, Hz. Isai (a.s), i cili iu drejtua beni israilëve me këto fjalë: “O beni israilë, unë jam i dërguar i All-llahut te ju, jam vërtetues i Teuratit që ishte para meje dhe ju jap sihariq një të Dërguar pas meje, emri i të cilit është Ahmed!”[2]
 
Të dashur vëllezër e motra besimtarë,

Ditën e sotme, në këtë të xhuma të begatë, që ka bashkuar përkujtimin e dy njerëzve më të shquar të historisë së njerëzimit, dy të dërguarve dhe të mbështeturve nga Zoti i gjithësisë me Libra hyjnorë; Hz. Isait (a.s) dhe Hz. Muhammedit (a.s), kisha dëshirë të flas mbi dërgesën profetike dhe madhështinë e shfaqjes së Hz. Isait (a.s).
           
Doja, pa u ndalur fare të saktësia e detajeve të kohës së lindjes së tij dhe ardhjes në këtë botë. Mirëpo, sihariqi i tij historik për pritjen e madhe të vëllait të tij të vogël, Vulës së zinxhirit të begatë të dërguarve të All-llahut, Hz. Muhammedit (a.s), më tërheq drejt këtij pragu…

Këtu dua të vë kokën e të dorëzoj zemrën, duke u lutur që të na bashkojë All-llahu i Madhëruar me të dërguarit e Tij, shpirtin e mesazhit të tyre dhe misionin e dritshëm, me të cilin u dërguan, për t’u bërë sadopak edhe ne, dritë e mirësi, teksa ushqehemi nga duart e tyre me Fjalën e pagabueshme të Zotit, dashninë e Tij, mëshirën dhe vlerat më të mira të harmonisë ndërnjerëzore, ato të besimit!
           
Kështu, të dashurit e mi, dua të ndalem sot tek mëshira, elementi më i rëndësishëm që i mungon sot racës njerëzore, teksa injoranca, mashtrimet, vrasjet e pakufijshme, derdhja e gjakut të pafajshëm, shkatërrimi dhe ngurtësimi i zemrës, po e bën njeriun e kohës tonë, një krijesë të frikshme, që ka nevojë të menjëhershme për Fjalën e Zotit dhe Udhëzimin e Tij, për të shëruar zemrën, mendjen dhe shpirtin e hutuar!
           
Mëshira, edhe si element i përbashkët në shfaqjen e dy të dërguarve të fundit të njerëzimit; Hz. Isait (a.s), për të cilin në Kur’an thuhet: “për ta bërë atë argument për njerëzit dhe mëshirë nga ana e Jonë.”[3] dhe Hz. Muhammedit (a.s), për të cilin Kur’ani dëshmon: “E Ne, nuk të dërguam ty (o Muhammed) vetëm se mëshirë për mbarë botrat”[4]
           
Prandaj, nga këto stacione të rëndësishme të Fjalës hyjnore, duhet të themi se bota e sotme, sidomos të krishterët dhe muslimanët, e kanë të domosdoshme të sillen nga kjo pikënisje; mëshira e Zotit, për të ftuar njerëzinë drejt kthimit në natyrën e dhembshurisë dhe mëshirës së njeriut për vëllanë e tij njeri, në respektimin e shenjtërive të tjetrit dhe mostejkalimin e kufijve, në ruajtjen e vlerave të harmonisë dhe moscënimin e trashëgimisë fetare, kulturore dhe identitare të tjetrit, në lutjen e përbashkët drejtuar Zotit Një, që të na bëjë udhëheqës të njerëzisë drejt paqes dhe vlerave të diversitetit në harmoni, duke dëshmuar së bashku qënien tonë të përbashkët: “robët e Mëshiruesit”!

E, para së gjithash, t’i drejtohemi Atij që na dëgjon e na sheh, që i di qëllimet tona edhe para se t’i shfaqim, që mos të na bëjë përçarës në mesin e shoqërive njerëzore, cytës e trazues të kufijve që nuk duhen shkelur, as me justifikimin e vetë fesë!
 
Të dashur të pranishëm,

Sot, mbarë bota islame përkujton Lindjen e Begatë të Hz. Muhammedit (a.s), “mëshirës së dhuruar”, i cili u dërgua për të korrigjuar devijimet dhe përmbysjen që iu bë vlerave të fesë së vetme të shekujve dhe profetëve të saj, mbjelljen e shpresës dhe optimizmit, si dhe plotësimin e misionit hyjnor, të filluar e të kryer me përsosmëri nga vëllezërit e tij të mëparshëm, ndër shekujt e gjatë të jetës mbi tokë.
           
Kur hedhim sytë nga e shkuara dhe lexojmë stacionet e shumta, nëpër të cilat kaloi Hz. Muhammedi (a.s) në edukimin e njerëzve dhe brumosjen e tyre me shpirtin e shpalljes hyjnore, nuk ka sesi të mos ndalemi në disa prej tyre, për të marrë frymëzimin e duhur për të sotmen dhe të ardhmen e secilit prej nesh.
           
Përshëndetja me selam:  pra, përshëndetja e kujtdo me fjalët: “Es-selamu alejkum”, që do të thotë: “Qofshi të garantuar e në siguri, sepse kuptimi i përshëndetjes islame është: “Qofshi në mbrojtjen e Zotit të Paqes”, si dhe detyra e juaj është të jeni mbrojtës të Paqes mbi tokë!”[5]
           
Uniteti botëror: ku vlen të theksohet se: “Hz. Muhammedi (a.s) ishte ai që vendosi rendin e unitetit botëror dhe deklaroi për herë të parë në histori se krejt fetë e kanë burimin nga All-llahu i Madhëruar, i Cili ka dërguar në çdo popull të dërguarit e Tij. Sikurse i obligoi muslimanët të besojnë tek të gjithë të dërguarit e Zotit, duke mos bërë dallim në mes tij dhe të dërguarve të tjerë. Ai deklaroi se krejt të dërguarit erdhën me një thirrje të vetme, me një fé të vetme, ndonëse më pas u pasuan nga breza, që e ndryshuan dhe e transformuan fenë, fakt që solli edhe divergjencat në mesin e feve”[6]

Për këtë, në Kur’an thuhet: “E pas tyre erdhi brezi që trashëgoi Librin. Këta merrnin mjete të pavlefshme të kësaj bote (lakmues që nuk dallonin të mirën a të keqen) e thonin: “Do të na falë Zoti”… A nuk është marrë prej tyre zotimi i Librit (Teuratit) se nuk do të thonë ndaj All-llahut vetëm se të vërtetën?! Ata e dinin mirë se ç’ka në atë (Libër)…”[7]
           
Toleranca e plotë fetare: ku duhet të theksojmë se: “Për herë të parë në histori, Hz. Muhammedi (a.s) lajmëroi se: “Nuk ka dhunë në fé”[8] dhe punoi shumë për këtë parim. Ai e respektoi divergjencën në mendim, nxiti interpretimin e fesë, sikurse respektoi lirinë fetare…

Hz. Muhammedi (a.s) lajmëroi se secili njeri është përgjegjës para Zotit Një, për besimin e tij fetar dhe se askush nuk ka të drejtë ta ngucë tjetrin, a ta dhunojë atë për shkak të besimit të tij të brendshëm. Ai e bëri haram dhunën për shkak të fesë! ... Ai mbrojti shpirtrat dhe pasuritë e pasuesve të feve të tjera, ata dhe muslimanët ishin njësoj para tij. I lejoi ata të pasonin fenë e tyre, ruajtjen e simboleve të tyre fetare, sikurse u dha të krishterëve disa prioritete, në marrëdhënien e tij me ta…”[9]
           
Dhe shembulli më i denjë për t’u dëshmuar në këtë pikë, është dhurata e mrekullueshme që Patriarku Ortodoks i Kudsit Sherifë, Theofili i III-të i bëri kryeministrit të Shqipërisë, para pak ditësh; fermanin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të krishterëve të Kudsit, që Hz. Omeri (r.a), i dorëzoi patriarkut të Kudsit, në momentin kur mori në dorëzim prej tij çelësat e qytetit të shenjtë, para 14 shekujsh.
           
Ishte një dhuratë, që në madhështinë e përmbajtjes së saj dha një mesazh të pashmangshëm, për cilindo shqiptar e, sidomos për ata që e prezantojnë vendin tonë në arenat ndërkombëtare: “Ju shqiptarët, duhet të ndjeheni krenar për vlerat islame që posedoni, prandaj mos e mohoni bekimin, me të cilin ju ka rrethuar Zoti dhe mos e fshihni identitetin shpirtëror të shumicës së popullit tuaj; mos kini turp nga Drita, Paqja, Toleranca, Pastërtia, Dija e Udhëzimi i Islamit tuaj!”
 
Të dashurit e mi,

Në përfundim të kësaj hytbeje, dua të kthehem tek zanafilla e dërgesës së Hz. Muhammedit (a.s); te mëshira dhe të përmend, ndër shumë e shumë shfaqje të mëshirës së tij (a.s), atë ndaj femrës dhe fëmijëve.
           
Hz. Omeri (r.a) tregon se në prezencë të Hz. Muhammedit (a.s), u shfaq një grua me fëmijën e saj, që e shtrëngonte fort në gjoksin e saj. I dërguari tha: “A mendoni se kjo grua do ta hidhte fëmijën e saj në zjarr?” Sahabët thanë: Jo, pasha All-llahun, edhe pse ajo e ka mundësinë ta bëjë! Ai (a.s) vijoi: “All-llahu është më i mëshirshëm me krijesat e Tij, sesa kjo nënë me fëmijën e saj!”[10]  
           
Nga këtu them se, nuk ka poshtërsi më të madhe, sesa vrasja e fëmijëve, dhunimi a abuzimi me ta, fakte që dëshmohen turpshëm në historinë e njeriut mbi tokë, sidomos në dekadat e fundit! Vrasja dhe lënia e tyre jetimë, në luftrat e përgjakshme në Lindje, dhunimi e abuzimi imoral me ta, në Perëndim! Zoti do i gjykojë kriminelët, imoralë! Ndërsa ne deklarojmë distancimin dhe dënimin e veprës së tyre, sidomos, kur ajo, neveritshëm shqërohet edhe me mashtrimin në emër të fesë!

“Kujdesuni për gratë tuaja… Ju keni të drejta në gratë tuaja dhe ato kanë të drejtat e tyre në ju!”[11], ishte porosia e tij, ndërkohë në Fjalimin e Lamtumirës, para dhjetra mijëra besimtarëve, deklaroi: “Kijeni frikë All-llahun në gratë tuaja, sepse ju i keni marrë ato me mbrojtjen e All-llahut…”[12]

Hz. Muhammedi (a.s) ngrihej në këmbë për të bijën Fatimen (r.a), kur ajo hynte. E puthte në ballë, e merrte për dore dhe e ulte pranë vetes…[13]

Për herë të parë në historinë e adhurimeve, Hz. Muhammedi (a.s) u fal duke mbajtur në krah mbesën e tij të vogël, “Umame, të bijën e Zejnebit”[14] njëkohë që “bartja e vajzës ishte një vepër jo e zakonshme në atë kohë”[15]

Ai falej, teksa Hasani dhe Husejni, dy nipat e tij të vegjël, i hipnin në shpinë. Njerëzit ia largonin, ndërsa Resulull-llahu (a.s) u thoshte: “Lërini ata të dy, ju bëfsha kurban me nanë e babë, kush më do mua, le t’i dojë edhe ata të dy!”[16]

Dhe, shembujt e fjalët nuk kanë të sosur, sidomos kur bëhet fjalë për shembullin dhe mëshirën e Hz. Muhammedit (a.s), të dërguarit “mëshirë për mbarë botrat”[17]

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Parrucës)
Shkodër, më 25 dhjetor 2015

[1] Kur’ani, El-En’am: 54.
[2] Kur’ani, Es-Saf: 6.
[3] Kur’ani, Merjem: 21.
[4] Kur’ani, El-Enbija: 107.
[5] Hoxha Kemaluddin, “El-Methelul-a’la fil-Enbija”, botimi i parë, Bejrut, 1989, f. 172-173.
[6] Po aty, f. 182.
[7] Kur’ani, El-A’rafë: 169.
[8] Kur’ani, El-Bekare: 256.
[9] Hoxha Kemaluddin, vep. e cit., f. 186-187.
[10] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi, nga Hz. Omeri (r.a).
[11] Hadith i gjatë, transmetuar nga Tirmidhiu, Nesaiu, Ibni Maxheh etj, nga Amr ibnul-Ahvas (r.a).
[12] Transmetuar nga Muslimi, nga Xhabiri (r.a).
[13] Prof. dr. Halil ibn Ibn Ibrahim Molla Khatir El-Uzzali, “Er-Rahmetul-muhdatu”, botimi i parë, Xhidde, 2007, f. 243.
[14] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi, nga Ebu Katade (r.a).
[15] Prof. dr. Halil ibn Ibn Ibrahim Molla Khatir El-Uzzali, vep. e cit., f. 293.
[16] Tranmetuar nga Ibn Ebi Shejbe, Nesaiu, Tabaraniu, Ibn Hibbani etj.
[17] Kur’ani, El-Enbija: 107.

 


“Ju jap sihariq një të Dërguar pas meje, emri i të cilit është Ahmed!”
“Ju jap sihariq një të Dërguar pas meje, emri i të cilit është Ahmed!”
“Ju jap sihariq një të Dërguar pas meje, emri i të cilit është Ahmed!”