Hz. Muhammedi (a.s), shembull për t’u ndjekur

All-llahun e Madhëruar e falënderojmë për mirësinë e madhe dhe dhuntinë e dhuntive hyjnore, me të cilën e lartësoi racën njerëzore drejt rrugëve të perfeksionit, teksa shpalli në Kur’anin Famëlartë lajmin e përbotshëm: “Mëshira Ime ka përfshirë secilin send. Atë (Mëshirën) do ta caktoj për ata të cilët u ruhen (mëkateve), e japin zekatin dhe për ata që i besojnë argumentet tona. (157) Të cilët e pasojnë të dërguarin (Muhammedin), profetin analfabet, (që nuk shkruan as nuk lexon), të cilin e gjejnë të cilësuar (të përshkruar me virtytet e tij), në Tevrat dhe në Inxhil, që i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe, u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet, dhe heq nga ata barrën e rëndë të tyre dhe prangat që ishin mbi ta. Pra, ata të cilët e besojnë atë, e nderojnë dhe e ndihmojnë, veprojnë me dritën që u zbrit me të, TË TILLËT JANË TË SHPËTUARIT!”[1]

Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë të shënuar dhe në çdo ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), përshkrimin e të cilit e ka qendisur kaq bukur zonja e nderuar nomade dhe gruaja e urtë Ummi Ma’bed, kur thotë se, Pejgamberi (a.s): “Ishte një njeri me shkëlqim të dukshëm, me fytyrë të ndritshme, me moral të lartë… Me fytyrë të bukur, shumë të bukur, me sy të zinj… Me flokë të zinj, me qafë të dukshme e mjekër të dendur. Kur heshte, kishte prezencë e kur fliste, bukur… Fliste ëmbël e qartë… Më i bukuri i njerëzve nga larg, më i ëmbli dhe më i miri i tyre nga afër… Mesatar, jo i gjatë, as i shkurtër, si degë në mes dy degësh… Kur fliste e dëgjonin, e kur urdhëronte vraponin për ta zbatuar…”.[2]
 
Të dashur të pranishëm,
 
Organizatorët e këtij tubimi vlerash, kanë kërkuar prej meje të flas për një temë, që e di mirë se jam i paaftë t’ia jap hakun e plotë; të flas për Hz. Muhammedin (a.s) si shembull për t’u ndjekur në jetë.
           
Megjithatë, në këto rreshta, do të përpiqem të prek disa nga cepat e kësaj teme të gjerë e të thellë, me qëllimin dhe dëshirën e mirë të përfitimit dhe dobisë.
           
Po lexoja me kënaqësi të madhe librin me titull: “Shembulli më i lartë ndër Profetë”, të autorit të quajtur Hoxha Kemaluddin, një britanik i bërë musliman para shumë dekadash.

Ndër të tjera, tërheq vëmendjen me këto rreshta: “Këtu shfaqet vlera e Muhammedit (a.s) mbi të tjerët dhe kjo na bën të themi se ai ishte shembulli më i lartë në mesin e profetëve! Sepse regjistrimi i fjalëve dhe i veprave të tij është i plotë, pa mangësi!

Traditat e tij në të folur e në të vepruar, plotësojnë njëra-tjetrën! Duket sikur çdo kërkesë prej kërkesave shpirtërore është paracaktuar dhe parallogaritur! Çdo gjë, me të cilën përballet njeriu në jetën e tij, shfaqet në pasqyrën e jetës së tij (a.s)!

Unë, nga pozita e muslimanit, nuk mund të them se profetët e tjerë nuk e kanë kryer me plotësi misionin e tyre, por ajo që dua të them është se në krejt atë që është trashëguar prej tyre, nuk gjejmë vetëm se fare pak, prej mësimeve dhe zgjidhjeve për të cilat ka nevojë njeriu!

Padyshim që ata e kanë kryer si duhet misionin e tyre, për të cilin ishin dërguar, por historianët e tyre nuk u dhanë hakun e duhur!”[3]
           
Këtu e ndala leximin dhe m’u kujtua ajo që kishte shkruar Hoxha im, H. Vehbi S. Gavoçi në një prej librave të tij: “Duranti[4] në librin e tij "Historia e civilizimit" ka shkruar se, nëse e madhërojmë njeriun për çka bërë dhe çka u ka sjellë njerëzve, mund të themi se Muhammedi (a.s) ka qenë më i madhi i të mëdhenjve të historisë, se ai lartësoi gjendjen shpirtërore e mirësjelljen e një populli të një vendi të prapambetur...”[5]
           
Të dashur të pranishëm,
 
Në mars të vitit 2013, me disa prej vëllezërve të dashur e të afërt, na qe shkruar nga Zoti i gjithësisë, të ishim miqtë e Tij në Qaben e Madhnueshme, në një Umre të paharruar. Natyrshëm, një pjesë e gdhendur në zemër nga ai udhëtim njëjavor, ishte edhe qëndrimi në Medinen e Ndriçuar.

Në librin e kujtimeve të asaj Umreje, kam regjistruar edhe këto fjalë, prej ku, dua të hy në thelbin e temës time dhe ta përfundoj: “Tashmë, pas selamit më të fuqishëm e më të përmallshëm, zemra dhe shpirti janë më të paqtë, si vetë selami i Resulull-llahut… Ndërkohë dora, vijon të shkruajë e të dëshmojë ah-atet e mallit, që prej shumë vitesh e priste këtë moment, feksimi i të cilit ndriçoi me bukurinë e selamit, duke i dhënë zemrës ngjyrë Selamesh në kohë Pranimesh…
           
Aty, para dritares më fatlume në botë, vetja të duket i vogël, shumë i vogël, por njëkohësisht krenar, shumë krenar! Aty, teksa me zemër përpiqesh të bashkohesh e të bëhesh një me të Dashurin, vitet e shekujt, dija dhe njohuria, malli e loti, vijnë e bashkohen, bëhen një e, koha sikur ndalet… Kthehet pas nëpërmjet dijes e njohurisë, mallit e lotit…  

Ato momente, sikur përsërisin Bejatu Resulin, e ti, në atë përshpirtësi bëhesh pjesë e një Bese e një Dorëzimi, pas së cilit krejt bota bëhet e jotja.., ndonëse ti nuk ia hedh sytë, nuk ke pse ta bësh..!? Ke prekur nga afër Dorën e Besës dhe ke marrë dëshminë e të qenurit Ehli-Bejt…”[6]
           
Shpesh, në momente të caktuara, më kujtohet ajo orë e begatë, kur i kam shkruar këto rreshta, bri minberit Sherifë, në pjesën më të begatë të kësaj toke, në “Kopështin e xhennetit”.
           
Shpesh, edhe sot e kësaj dite, largohem nga bota ime dhe udhëtoj drejt atij qoshku, ku teksa vështroj nga Minberi, Mihrabi dhe Varri, bri tyre, në gjuhën e dashnisë dhe mallit i drejtohem Resulull-llahut (a.s) dhe i them:

Sejjidi, ja Resulall-llah, shpesh e kujtoj momentin kur dikush të pyeti: “O i Dërguar i All-llahut, çfarë thua për një njeri, që e do një popull dhe nuk mund të jetë pranë tyre?” Dhe, me mirësinë tënde ia ktheve: “Njeriu do të jetë me atë që do!”[7]
           
Shpesh, Zotëria im, e pyes veten, se a do jem një ditë i denjë të jem pranë teje, a të qëndroj në hallkën tënde? Unë e di mirë se me zëmër të dua e dëshiroj të mos ndahem asnjë moment nga Thirrja e Udhëzimi, me të cilët u dërgove, duke e plotësuar amanetin e Zotit, por...
           
Nuk e di, o Zotëria im, e lexoj me vëmendje fjalën tënde: “Shembulli im dhe shembulli juaj është si puna e një personi që ka ndezur një zjarr, në të cilin fluturat dhe karkalecat vijnë e hidhen në të, ndërsa ai i largon me dorë që mos të bien në të. Edhe unë mundohem t' ju largoj nga zjarri e ju më ikni nga duart”[8] dhe, frigohem…
           
E lexoj dhe jua them edhe njerëzve udhëzimin tënd: “Kush nuk mëshiron nuk mëshirohet dhe kush nuk fal nuk falet”[9] dhe nuk e di sesa i aftë jam unë të mëshiroj e të fal, në gjurmët e shembullit tënd të përkryer…
           
E lexoj dhe jua them edhe njerëzve dritësimin tënd: “Kush e beson All- llahun dhe ditën e gjykimit le t'i bëjë mirë komshiut të tij dhe kush beson All- llahun dhe ditën e gjykimit le të nderojë mikun e tij dhe kush beson All- llahun dhe ditën e gjykimit le të flasi mirë ose të heshti”[10], por nuk e di, a jam unë në lartësinë e pasimit dhe dëshmimit të këtij shembulli të mrekullueshëm, në marrëdhëniet e mia me të tjerët, duke u dëshmuar si pasuesi yt besnik..?
           
E lexoj me vëmendje dhe mundohem ta përhap fjalën tënde: “Më i miri ndër ju është ai që nuk e lë botën e ardhshme për këtë botë, as botën e tij për botën e ardhshme dhe ai që nuk bëhet i bezdisshëm për njerëzit.”[11] dhe lutem me zemër të më bëjë Zoti prej tyre…
           
E lexoj me zemër dhe jua them edhe të tjerëve, fjalën tënde, si balsam zemrash: “I lumi ai që ruan gjuhën (gojën) e tij, i mjafton shtëpia e tij dhe qan për gabimin e tij!”[12] dhe lutem që mos të ngelem pas në karvanin e atyre që të ndjekin në gjurmët e nënshtrimit, në këtë udhëzim shembullor…
           
E lexoj meditueshëm fjalën tënde: “Nuk më ka besuar mua, kush fle i ngopur, ndërkohë që komshiu i tij është i uritur dhe ai e di”[13] dhe pyes veten, sa besimtar praktikant jam në këtë pikë?
           
E lexoj këtë hadith: “Kërkimi i diturisë është detyrim për çdo musliman dhe për kërkuesin e dijes kërkon falje çdo gjë, edhe balenat në det.”[14], ia lexoj edhe fëmijve dhe miqve të mi, por nuk e di, se sa e shfrytëzoj kohën time, për të ecur në shembullin tënd, në këtë drejtim…
           
Lexoj e lexoj pa fund dhe, për një moment, ndalem tek një thirrje e dalë nga zemra jote: “Ata, që më së shumti më duan nga ymeti im, janë një popull pas meje. Do të dëshironte ndonjëri prej tyre të jepte familjen dhe pasurinë e tij, vetëm të më shihte”[15] dhe, e di se unë dua të të shoh, të ta jap besën, të ta ndjek shembullin e të të bindem teksa thua: “Përhapni për mua, qoftë edhe një fjalë…”[16]
 
Të nderuar të pranishëm,
 
“Jeta e zbrazët, larg normave e moraleve fetare, jeta e dhënë pas qejfeve, luksit e veseve të ndryshme, pas mohimit të virtyteve, pas interesit personal, duke harruar të drejtat e detyrimet njerëzore e shoqërore ka ndikuar që vende, popuj, grupe njerëzish e individë të ballafaqohen, të përleshen, të përgjaken e të përpiqen për zhdukjen e njëri-tjetrit.”[17]

Ndërkohë, Zoti i gjithësisë, me mirësinë e Tij ndaj nesh, e dërgoi Hz. Muhammedin (a.s), si Vulën e të dërguarve të Tij të mirë, udhërrëfyesin dhe plotësuesin e mirësive, për të cilat ka nevojë realisht bota e sotme.

Si të thuash, modeli dhe shembulli që Zotëria i jonë la të gjallë në mesin tonë, është përherë një garanci më shumë për një botë më të mirë, në paqe e në harmoni, në dije e në përkushtim, në dritë e në vëllazëri të sinqertë, ku njeriu është vëlla i njeriut e, ku besimi është përherë vlerë e burim sigurie!
Falemnderit!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
 
(Referat i mbajtur në simpoziumin: “Mesazhi universal i Hz. Muhammedit (a.s)”,
organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë
në bashkëpunim me Universitetin Bedër, Tiranë, më 23 dhjetor 2015)

[1] Kur’ani, El-A’rafë: 156-157.
[2] Dr. Mervan Shejkhulerd, “Es-sirretun-nebevijje”, f. 310, nga “Et-Tabakat” të Ibni Sa'dit, 1/231.
[3] Hoxha Kemaluddin, “El-Methelul-a’la fil-Enbija”, botimi i parë, Bejrut, 1989, f. 54-55.
[4] Wil Durant (1885-1981), filozof, historian dhe shkrimtar i shquar amerikan, autori i veprës voluminoze: “Historia e civilizimit”. Për më shumë të shihet: https://it.wikipedia.org/wiki/Will_Durant
[5] Vehbi Sulejman Gavoçi, "Mirësjellja Islame", Shkodër, 1998, f. 210.
[6] Muhamed Sytari, “Dëshmitar në Sahar”, Shkodër, 2013, f. 7.
[7] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi, nga Ibni Mesudi (r.a).
[8] Transmetuar nga Ahmedi dhe Muslimi,  nga Xhabiri (r.a).
[9] Transmetuar nga Ahmedi, nga Xheriri (r.a).
[10] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi, Ahmedi, Nesaiu etj., nga Ebu Hurejra (r.a).
[11] Transmetuar nga Khatibi, nga Enesi (r.a).
[12] Transmetuar nga Tabaraniu dhe Ebu Nuajmi, nga Thoubani (r.a).
[13] Transmetuar nga Bezzari dhe Tabaraniu,  nga Enesi (r.a).
[14] Transmetuar nga Ibni Abdil-Berr, nga Enesi (r.a).
[15] Ahmedi në “El-Musned”, nga Ebu Dherri (r.a).
[16] Transmetuar nga Ahmedi, Bukhari dhe Tirmidhiu nga Ibni Amr (r.a).
[17] Vehbi Sulejman Gavoçi, “Mirësjellja Islame”, Shkodër, 1998, f. 178.

 


Hz. Muhammedi (a.s), shembull për t’u ndjekur