Zhvillohet simpoziumi:
“Mesazhi Universal i Muhamedit (a.s)”
23 dhjetor 2015
Komuniteti Mysliman i
Shqipërisë në bashkëpunim me
Universitetin Bedër, organizuan
simpoziumin me temë: “Mesazhi Universal
i Muhamedit a.s.”.
Programi u hap me lexim Kur'ani, nga
drejtori i Medresesë së Tiranës z. Omer
Çallësh.
Kryetari i Komunitetit Mysliman, H.
Skender Bruçaj, në fjalën e tij
përshëndetëse u shpreh se fjalët
gjunjëzohen kur bëhet fjalë për profetin
Muhamed a.s. dhe se ne mësuam nga ai se
si duhet të jetë një mysliman i mirë.
“Fjalët gjunjëzohen kur flasim për
Profetin e fundit Hz. Muhamed a.s., por
nuk ka më bukur kur i referohemi
Kur'anit famëlartë, ku krijuesi i
gjithësisë thotë për të së ai ka ardhur
si mëshirë për botërat. Në mësuam nga ai
se si duhet të jetë një mysliman i mirë.
Mësuam se një mysliman i mirë është ai
që kujdeset për familjen e tij, për të
vobektët për jetimët dhe është shembull
për njerëzit dhe mbi të gjitha është i
vetëdijshëm për raportin që duhet të
ketë me Krijuesin e Gjithësisë”, tha
kryetari z. Bruçaj.
Ndërsa rektori i universitetit Bedër
Prof. Dr. Ferdinand Gjana u shpreh se
kur sheh situatën në botë e kupton sa i
rëndësishëm dhe i nevojshëm është
mesazhi i Profetit Muhamed.
“Të gjithë besimtarëve myslimanë iu bie
një peshë shumë e madhe për të treguar
në mënyrën më ideale, më të mirë
bukuritë e besimit islam që Allahu
nëpërmjet të dërguarit të tij na i bëri
të ditura”, tha z. Gjana.
Edhe kryegjyshi i Bektashinjve H. Dede
Edmond Brahimaj vlerësoi figurën e lartë
të Profetit Muhamed a.s.
Pas fjalëve përshëndetëse simpoziumi i
moderuar nga profesori Veton Tulla, ka
vijuar me trajtimin e temave.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z.
Ali Zaimi, teksa referoi mbi kulturën e
bashkëjetesës së Profetit me të tjerët,
tha se, Profeti Muhamed a.s. erdhi me
një mesazh gjithëpërfshirës dhe se çdo
kush do të përfitonte nga normat
universale që ai solli.
“Fryma e dialogut që Profetin e
karakterizonte, së pari duhet parë si
besnikëri ndaj Allahut, ndaj Kur'anit
dhe ndaj misionit të tij. Ai ndoqi
përherë rrugën e pajtimit, të
komunikimit, të marrëveshjes. Drejtësinë
dhe paqen botërore feja që Profeti
Muhamed a.s kumtoi e shikon si
themelore”, theksoi z. Zaimi.
Nënkryetari Zaimi u shpreh gjithashtu se
në procesin e dialogut me besimet e
tjera Profeti a.s dhe ndjekësit e tij
kanë ndjekur rrugën e fokusimit në
çështjet që i bashkojnë.
“Muhamedi a.s. shembull për t’u
ndjekur”, ishte tema e mbajtur nga
Myftiu i Zonës Shkodër H. Muhamed
Sytari.
"Profeti Muhamed a.s. ishte një njeri me
shkëlqim të dukshëm me fytyrë të
ndritshme, me mroal të lartë; kur heshte
kishte prezencë, e kur fliste, fliste
bukur, embël e qartë. Ai lartësoi
gjendjen shpirtërore të një populli dhe
të gjithë njerëzimit.", tha z. Sytari.
Tema të tjera të trajtuara në simpozium
ishin:
“Muhamedi a.s. simbol i dhembshurisë dhe
mëshirës” nga Drejtori i Thirrjes dhe
Mesazhit Islam në KMSH z. Elvis Naçi;
"Profeti Muhamed ka qenë i pritur ndër
shekuj ndër kohëra dhe ai është
shembulli më i përkryer , i
jashtëzakonshëm, është ai që duhet të
ndjekim. Ai karakterizohen nga butësia,
dhembsuria dhe mëshira, virtyte për të
cilat të gjithë kemi nevojë", tha z.
Naçi.
“Porositë e Profetit Muhamed a.s. për
kërkimin e dijes”, nga z. Sabaudin
Jashari;
"Këshillat dhe udhëzimet e Profetit
Muhamed për dijen burojnë nga pozita që
Allahu i ka dhënë dijes në Kuranin
fisnik. Profeti ynë e nxit njeriun për
të vënë të gjithë kapacitetet e tij në
funksion të kërkimit dhe përvetësimit të
dijes", tha z. Jashari
Programi u zhvillua në ambientet e
Universitetit Bedër, ku morën pjesë
studiues, profesorë, akademikë,
intelektualë, myftinj dhe besimtarë të
shumtë.
(www.dritaislame.al)