Sa më shumë tribuna e tubime
që nxisin dashninë e Ma të Dashtunit (a.s)..!

Krahasimi pervers i aktiviteteve të larmishme e dobiprurëse të Mevludit Sherifë, me shpërndarjen e harameve si sadeka, është pa dyshim karikatura më e sofistikuar e botës së fanatizmit të ngurtë sektar, që ka mbi një shekull që nuk bën gjë tjetër vetëm se përhapjen e smogut dhe leximit të paekuilibruar të teksteve fetare, përçarjes dhe gangrenizimit të vlerave reale të harmonisë dhe Vëllazërisë së shenjtë islame!

I respektojmë fetvatë e kujtdo prej dijetarëve tanë të shquar, duke u përpjekur t’i lexojmë në hapësirat e konteksteve kohore dhe rrethanore!

“Divergjencat e dijetarëve janë mëshirë, sepse i hapin ymmetit disa dyer në praktikimin e kollajtë të fesë në jetën e tyre”[1], thonë të mëdhenjtë tanë! Nuk i hyjnizojmë as ata, as fetvatë e tyre.

Hoxha i jonë, H. Vehbi S. Gavoçi, në një prej derseve private në akide, në lidhje me një prej temave, thoshte: "Mendimet e filan Shejkhul-Islami në këtë temë, e nxjerrin feje (mukeffire) atë! Por, ne nuk themi se ai ka dalë feje! Inshallah, në xhennet e pyesim se ça ka dashtë me thanë me atë gja!" Poashtu na thoshte se: "Filan hoxhë, me fetvatë e tij autodidakte, ka ndikuar shumë në përçarjen e shqiptarëve në Sham (Damask), sidomos në çështjen e Mevludit. Inshallah e bashkon All-llahu, atë dhe ne, me hanefijtë e mirë në xhennet!"

Pra, edhe në tematika thelbësore, jemi edukuar të mbajmë gojën! Ta mirëkuptojmë, ta justifikojmë a edhe ta kundërshtojmë tjetrin me argumente, por, pa tejkaluar kufirin e dashamirësisë dhe etikës së komunikimit islam!

Tejkalimi i kufirit të etikës dhe komunikimit me Resulull-llahun (a.s), nëpërmjet talljes e sarkazmës me format e përkujtimit të Lindjes, dërgesës, misionit e traditave të tij, të përhapura ndër shekuj tek muslimanët, nuk i shërben asgjëje! As vëllazërisë islame, as dijes në vetvete, as zhvillimit të ekuilibruar të Thirrjes Islame në trojet tona, as edukimit të brezit të ri!

Kushdo që e ka bërë këtë krahasim, ka gabuar dhe ka tejkaluar kufijtë e komunikimit fetar, intelektual e mbi të gjitha atë të elitave! Zoti e faltë!

E, përsa i përket temës së Mevludit Sherifë, kam folur në hytben e kësaj xhumaje, mund ta lexojë kushdo të publikuar në portalin e mirënjohur /www.islampress.info/ në linkun e mëposhtëm: http://islampress.info/2015/12/18/pasha-jeten-tende-o-muhammed/.

Ka edhe mendime ndryshe në lidhje me temën. Absolutisht, i respektoj dhe i nderoj, pa tejkaluar kufijtë e etikës islame ndaj kujtdo që ka një mendim tjetër!

E, mbi të gjitha, ejani të gjithë së bashku ta madhërojmë Zotin tonë për mirësinë e madhe dhe mëshirën e Tij ndaj botës, Lindjen e Begatë të Hz. Muhammedit (a.s), pastrimin e gjoksit të tij që në vegjëli, edukimin e tij, ruajtjen e tij gjatë 40 viteve të para të jetës, dërgesën profetike në moshën 40 vjeçare, si Vulë e krejt të dërguarve, si plotësues i misioneve të mëparshme dhe vulosës i tyre me plotësimin e Kur'anit Famëlartë!

Ejani, ta përhapim kudo këtë lajm të madhnueshëm dhe të ftojmë botën të besojë në Hz. Muhammedin (a.s) dhe fenë e tij, fenë e krejt të dërguarve të Zotit të vetëm të botrave!

Tema e “Mevludit Sherifë”, është simbol uniteti e harmonie në mesin e muslimanëve! Jo sarkazmës e ironisë së panevojshme me simbolet shekullore të ymmetit!

Për fund, mendoj se e mira, për shumë teologë e imamë të nderuar të botës tonë shqiptare, por jo vetëm, sidomos në këtë periudhë të Mevludit Sherifë, (por edhe para e pas tij, që të mos ngelemi fanatikë datash e muajsh në tubimet tona për ma të Dashtunin tonë), do të ishte, të mos bëjnë deklarata e fetva të pakuptimta dhe kontradiktore, por të bashkëpunojmë së bashku në rrugën e nxitjes së dashnisë për Resulull-llahun (a.s) dhe respektin në mes vete!

Tubimet për të kujtuar Resulull-llahun (a.s), me këndim të pjesëve të “Mevludit”, a pa to, me ligjërata, a pa to, me simpoziume e tribuna fetare, a pa to, me koncerte të bukura me ilahi, a pa to, me botime speciale, a pa to etj, janë pa dyshim një përpjekje e lavdëruar në rrugën e lartësimit të Emrit, Mesazhit dhe Modelit të Zotërisë tone, për të cilin kanë nevojë shoqëritë e sotme njerëzore!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
20 dhjetor 2015

[1] Mexhd Mekki, “Fetava Mustafa Zerka”, botimi i dytë, Damask, 2004, f. 216.


Sa më shumë tribuna e tubime që nxisin dashninë e Ma të Dashtunit (a.s)..!