“Pasha jetën tënde (o Muhammed)!”

 Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të tanësisë, Poseduesit të gjithçkaje, Krijuesit të universit dhe galaktikave, Furnizuesit të krejt krijesave të Tij, pa lodhje e mund! Atij, që betohet në Kur’anin Famëlartë: “Pasha jetën tënde (o Muhammed)!”[1]
           
Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë, në këtë stinë të bukur të përkujtimit të përvitshëm të Lindjes së tij të Begatë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), që u dërgua mëshirë për mbarë botrat.

Kur një ditë u pyet për agjërimin e ditës së hënë, tha: “Ajo është një ditë në të cilën kam lindur dhe në të cilën më është zbritur profetësia”[2]
 
Të dashur vëllezër besimtarë,
 
Me afrimin e muajit Rebiulevvel, mbarë bota islame përgatitet shpirtërisht dhe moralisht, me të gjitha mënyrat legjitime dhe kushtet e mundshme, të përkujtojë Hz. Muhammedin (a.s), jetën dhe sakrificën e tij, nëpërmjet kalimit në stacionin e datës 12 të këtij muaji hënor, ku shumica e studiuesve[3] dhe historianëve thonë se ajo ishte data e lindjes së Zotërisë së bijve të Ademit (a.s), data e shpalljes së profetësisë, por edhe data e largimit nga kjo botë.

Ndër shekuj, përkujtimi i Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s), është shfrytëzuar si mundësi e shprehjes së falënderimit ndaj Zotit të gjithësisë për këtë mirësi të madhe, për fenë islame dhe plotësimin e saj, për Kur’anin dhe mrekullinë e paprekshmërisë së tij, për traditat e shumta të Zotërisë tonë (a.s), për urtësinë, udhëzimin, për shumëçka që na bën të ndjehemi të lumtur e të gëzuar për lidhjen tonë me Hz. Muhammedin (a.s)…

Libra të shumtë janë shkruar me rastin e përkujtimit të kësaj mirësie të madhe hyjnore për mbarë njerëzimin. Mevludi Sherifë, si datë e si stinë e përkujtimit dhe e festimit me zemër të kësaj dhuntie të madhe hyjnore për mbarë botrat: “E Ne nuk të dërguam ty (o Muhammed), vetëm se mëshirë për të gjitha krijesat.”[4] ka zënë vend në kulturën dhe traditat islame, si një risi e bukur dhe e pranuar nga dijetarët e ymmetit, në rrugën e shtimit të dashnisë dhe lidhjes me Hz. Muhammedin (a.s) dhe shembullin e tij. Edhe tek ne shqiptarët, Mevludi Sherifë ka qenë një faktor i rëndësishëm në tubimin dhe afrimin e njerëzve me personin e Pejgamberit (a.s) dhe mësimet e tij.

Hafizi Ebu Shame (v. 665), mësuesi i Imam Neveviut, shkruan: “Ndër risitë më të mira në kohën tonë, është edhe ajo që bëhet për çdo vit në ditën përkatëse të Lindjes së tij (a.s), si ndarja e sadekave dhe shtimi i veprave të mira, shfaqja e zbukurimeve dhe e gëzimit. Kjo nxit dashurinë dhe madhërimin e tij (a.s) në zemrën e atij që e bën këtë vepër, si dhe falënderim ndaj All-llahut të Madhëruar për mirësinë e madhe të krijimit të dërguarit të Tij, që e dërgoi mëshirë për krejt botrat”[5]

Ibn Tejmije (v. 728 h.), në një prej librave të tij shkruan: “Poashtu, ajo që veprojnë ca njerëz, ose në përngjasim me të krishterët në ditën e lindjes së Isait (a.s), ose si shfaqje e dashurisë  për të dërguarin (a.s) dhe për madhërimin e tij, mendoj se All-llahu mund t’i shpërblejë për këtë dashuri dhe këtë risi…”[6]

Autorët e librit, prej ku e kam marrë këtë citim të Ibn Tejmijes (ndonëse e kam edhe librin e tij origjinal) e pasojnë me këtë shënim: “Kjo është thënie e dikujt që e ka lënë fanatizmin mënjanë dhe ka folur ashtu si i pëlqen All-llahut dhe të dërguarit të Tij (a.s). Ndërsa ne nuk e bëjmë Mevludin, vetëm se siç e ka thënë (Ibn Tejmije): “si shfaqje e dashurisë për të dërguarin (a.s) dhe për madhërimin e tij”, duke shpresuar se All-llahu mund të na shpërblejë për këtë dashuri e këtë risi”[7]

Shumë dijetarë të shkuar kanë shkruar rreth Mevludit, si: El-Hafidh Muhammed El-Kajsi Ed-Dimeshki (v. 751 h.), El-Hafidhul-Iraki (v. 806 h.), El-Hafidh Shemsuddin Ibnul-Xhezeri (v. 833 h.), Molla Ali El-Herevi Hanefiu (v. 1014 h.) etj.

Ibn Haxher Askalani (v. 852 h.), për të cilin Imam Sujuti thotë: [Është pyetur Shejkhul-Islami dhe Hafizi i kohës, Ebul-Fadl Ibn Haxher, për veprimin e Mevludit dhe ka thënë: “Origjina e veprimit të Mevludit është bidat (risi), nuk është transmetuar se është vepruar ndër tre shekujt e parë, por, megjithatë, ai përfshin edhe mirësi edhe të kundërtën e tyre. Kushdo që synon mirësitë gjatë veprimit të Mevludit dhe largohet nga e kundërta e tyre, ka bërë një bidat të mirë…”][8]

Imam Sujuti (v. 911 h.), thoshte: “Bie pyetja rreth veprimit të Mevludit Nebevi në muajin Rebiulevvel, çfarë vendimi ka për të? … Përgjigjja tek unë është: Origjina e veprimit të Mevludit, që ka të bëjë me tubimin e njerëzve, leximi i disa pjesëve nga Kur’ani, pastaj leximi i fillesave të jetës së profetit (a.s) dhe shenjat e praglindjes së tij, pastaj shtrimi i sofrës dhe ushqimi, pas të cilit njerëzit shpërndahen, pa bërë gjë tjetër, është një bidat i mirë, për të cilin vepruesi i tij shpërblehet, për shkak të madhërimit të gradës së profetit (a.s) dhe shfaqjes së gëzimit me rastin e Lindjes së tij (a.s)”[9]

Sejjidi Ahmed ibnus-Siddik El-Gummari (v. 1380 h.) shkruan: [Me sa di, i pari që ka shkruar për Mevludin Sherifë, është Muhammed ibn Omer El-Vakidi, autori i “El-Megazi”… që vdiq në vitin 206 a 209 të hixhretit. Ka bërë dy libra: “El-Meulidun-Nebevi” dhe “Intikalun-nurin-Nebevi”, siç e transmeton Suhejli në “Er-Reudul-enf”][10]
 
Të dashur vëllezër besimtarë,
 
I solla këto shembuj, jo detyrimisht për të hapur debat, as për të mbyllur botën e gjerë të diversitetit në interpretimet e teksteve rreth kësaj teme, që gjithësesi nuk na përkasin neve, njerëzve të thjeshtë e me dituri minimale, por dijetarëve të shquar e baballarëve tanë në dije e përkushtim!

I solla këto shembuj nga përkufizimet e të parëve tanë të shquar në dituri e qëndrueshmëri, për të theksuar se sot, ne nuk jemi të detyruar të mbetemi peng i arsyetimeve dhe fetvave të kohëve të shkuara, që lidhen me detaje e hollësira, shumica e të cilave as që ekzistojën më në mesin e shoqërive tona islame.

Ajo që dua të nxis nëpërmjet kësaj hytbeje dhe këtij mesazhi të përjavshëm, sot, në prag të përkujtimit të Mevludit të sivjetshëm, është ajo që kam shkruar para pak ditësh, se rikthimi i Hanës së Muajit Rebiulevvel, ku përkujtojmë Lindjen e Begatë të Hz. Muhammedit (a.s), është ndër të tjera edhe një mundësi që na jepet për të vlerësuar faktin e dërgesës së Zotnisë tonë (a.s), si Vulë e të dërguarve të Zotit! Plotësues i fesë, gjithëpërfshirës, mëshirë për mbarë botrat, mësues edukator, largpamës dhe paralajmërues se: "Do të mbërrijë kjo fé (ISLAMI), ku ka mbërritur nata dhe dita"!

Pra, optimizmi dhe shpresa është pjesë e besimit dhe bindjes tonë islame, që na nxit akoma më shumë të jemi edhe ne shërbyes të gatshëm për të përhapur kudo dritë e shpresë, vlera e qytetari!

A jemi të gatshëm sot, ne muslimanët, për të marrë mbi supe amanetin e kësaj Thirrjeje shekullore, për t'i përkujtuar njerëzve madhështinë e Hz. Muhammedit (a.s) në çdo aspekt të jetës së tij, si: në fjalë, vepra, miratime, refuzime, beteja e marrëveshje, paqe e strategji organizimi social, kontribuues për paqen sociale dhe ndalues i rreptë i fanatizmit, në çdo fushë?

A jemi në gjendje ta shfrytëzojmë këtë kohë të çmuar dhe të dalim nga bataku i mykut dhe i mjegullnajës së injorancës që krijojnë keqinterpretimet e teksteve fetare dhe analizat epsharake të tyre?

Apo, do të na gjejë edhe ky vit sërish në debate shterpë dhe ballafaqime, për të cilat as jemi të ngarkuar, as jemi të denjë, as të ditur, as kompetentë, rreth lejueshmërisë a jo të përkujtimit, festimit, leximit, këndimit a recitimit të Mevludit?

A thua, se po debatojmë për ndonjë formë të re adhurimi e ndryshimi në fenë tonë, për prishjen e rregullit të namazeve, ndryshimin e dispozitave të harameve në hallalle, adhurimin si Zot të profetit, tjetërsimin a ndryshimin e Kur’anit etj pa fund?! Hasha!

Rahmet pastë Shejkh Ahmed Keftaro (1915-2004), që shkruante se: “Vërtetësia e festimit me rastin e Lindjes së Hz. Muhammedit (a.s) është të punojmë bashkërisht, baballarë e nëna, pedagogë e mësues, gazetarë e dijetarë, udhëheqës e masa të gjera, për pastrimin e shoqërisë tonë nga prezenca e helmeve, që kolonialistët përhapën në mendje e shpirtra, duke prishur tek disa prej nesh edukatën dhe veprat, si dhe duke dobësuar lidhjet shoqërore në mesin e shumë prej njerëzve!”[11]

Kjo është ajo që dua të tërheq vëmendjen tuaj drejt përfitimit të kësaj kohe të begatë, drejt këtyre qëllimeve fisnike, fetare e kombëtare, për të cilat do të jetë razi për ne All-llahu dhe të do të kënaqet edhe i dërguari në ditën e gjykimit!

Ejani ta shfrytëzojmë këtë kohë të begatë, për të lexuar e kuptuar, pastaj për të përhapur me të madhe faktin se: “Muhammedi (a.s) me paraqitjen e tij shkaktoi kthesë vendimtare në tri kontinente: në Azi, në Afrikë dhe në Evropë. Me vrullin e tij të fuqishëm u lëkundën dhe u shkatërruan nga themelet e tyre dy perandori të mëdha: Bizanti dhe Persia. Në vendin më të prapambetur e më të shkatërruar të botës ndërmjet adhuruesve më të mëdhenj të idhujve, ai shpalli fenë monoteiste më të pastër: fenë që beson në Një dhe në të Vetmin Zot. Muhammedi (a.s) vuri themelet e një kulture dhe të një qytetërimi të ri që e ndriçuan errësirën mesjetare, zhbllokuan damarët e flashkët të njerëzimit dhe e zgjuan atë për një jetë të re”[12]

Këtë dua t’ia mësoj dhe t’ia kujtoj fëmijëve të mi, rinisë time, shoqërisë, medias, politikës, biznesit, kulturës, shkencës, diturisë, gjithësisë!

Dhe, më lejoni ta përfundoj me ato rreshta të bukur e plot shpirt, me të cilët e përfundon edhe Hoxha i jonë, H. Vehbi Sulejman Gavoçi veprën e tij mbi jetën e Hz. Muhammedit (a.s). Thotë: “Më përmendni me dua të mirë dhe dëshmoni se unë e dua shumë Pejgamberin (a.s), aq shumë sa nuk përshkruhet!”[13]
 
Po, vëllezër dhe motra, në të vërtetë ne, më shumë se askush tjetër, kemi nevojë sot të mblidhemi sa më shumë e të flasim për dashurinë e Pejgamberit tonë (a.s), derisa ta duam e të lidhemi pas tij më shumë sesa duam veten tonë, më shumë sesa shkojmë pas epsheve dhe kapriçove tona!

Me zemër të mirë ju dhe mbarë botës islame hyrjen e Muajit Rebiulevvel, afrimin e Mevludit Sherifë, gjallërimin e zemrave me salavatet e dashnisë së përkujtimit të Ma të Mirit e Ma të Dashtunit… Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Parrucës)
Shkodër, më 18 dhjetor 2015

[1] Kur’ani, El-Huxhurat: 72.
[2] Transmetuar nga Imam Muslimi, nga Ebu Katade El-Ensari (r.a).
[3] “Profeti (a.s) u lind ditën e hënë, pa asnjë kundërshtim, në muajin Rebiulevvel, saktësisht, natën e 12-të, në më të saktën e transmetimeve… (Kjo është e përhapur tek shumica. Këtë e ka thënë edhe Ibn Abbasi e të tjerë…)” – Imam Hafidh Muhammed ibn Muhammed Ibnul-Xhezeri (v. 833 h.), “Arfut-ta’rif bil-meulidish-sherif”, Damask, pa vit botimi, f. 18. “Ky zotëri (a.s) u lind në agimin (pranverën e 571) e ditës së hënë, më 12 të muajit Rebiulevvel” – Vehbi Sulejman Gavoçi, “Muhammedi alejhisselam – Jeta dhe vepra”, LOGOS-A, Shkup, 2011, f. 29.
[4] Kur’ani, El-Enbija: 107.
[5] Botimi i Ministrisë së Vakëfeve dhe Çështjeve Islame, EBA, “Hel nahtefil”, botimi i pestë, Dubaj, 2015, f. 20-21.
[6] Po aty, f. 21.
[7] Po aty, f. 21.
[8] Po aty, f. 23-25.
[9] Po aty, f. 25-26.
[10] Po aty, f. 26-27.
[11] Shejkh Ahmed Keftaro, “Min hedjil-Kur’an”, Damask, pa vit botimi, f. 214. (Tema me titull: “Lindja e të Dërguarit”, me shënimin: “Ligjëratë e mbajtur më 23/8/1961 – 12/ Rebiulevvel/1381”).
[12] Osman Nuri Haxhiq, “Muhammedi Alejhisselam dhe Kur’ani”, LOGOS-A, Shkup, 2011, f. 23.
[13] Vehbi Sulejman Gavoçi, “Muhammedi alejhisselam – Jeta dhe vepra”, LOGOS-A, Shkup, 2011, f. 359.

 


“Pasha jetën tënde (o Muhammed)!”
“Pasha jetën tënde (o Muhammed)!”
“Pasha jetën tënde (o Muhammed)!”