Aarburg, Myftiu referon
mbi modelin e muslimanit në jetë
17 dhjetor 2015
Me ftesë të Qendrës
Kulturore Shqiptare në Aarburg të
Zvicrës (Xhamia e Bardhë) dhe imamit të
saj, Mr. Nehat V. Ismaili, njëkohësisht
edhe Kryetar i Unionit të Imamëve
Shqiptarë të Zvicrës, Myftiu i Shkodrës,
Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në
aktivitetet e zhvilluara nga kjo qendër,
në datat 12-13 dhjetor 2015.
Gjatë tribunës fetare me temë:
"Muslimani, model i harmonisë dhe
vlerave qytetëruese", ku referuan Imam
Muhamed B. Sytari dhe Mr. Ragmi Destani,
Kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame
në Bujanoc, u trajtuan qasje të ndryshme
mbi rolin e muslimanëve shqiptarë në
perëndim, integrimin e tyre, prezantimin
me dinjitet të vlerave islame, nxitjen e
mëtejshme të harmonisë dhe bashkëjetesës
ndërfetare, si dhe ruajtjen e
identitetit islam dhe atij kombëtar,
nëpërmjet aktiviteteve të larmishme në
komunitet.
Ndërkohë, në aktivitetin e ditës së
dytë, Myftiu i Shkodrës, mbajti një
seminar mbi zhvillimin e jurisprudencës
islame, shkollat tradicionale,
divergjencat e mendimit islam në
interpretime të ndryshme, si dhe
qëndrimet e disa prej dijetarëve elitarë
të botës islame rreth kësaj teme të
gjerë.
Gjatë qëndrimit të tij në Zvicër, Imam
Muhamed B. Sytari zhvilloi edhe disa
takime të ngrohta e vëllazërore me
drejtues të qendrave të ndryshme islame
shqiptare në qytete të ndryshme të
Zvicrës, që i vizitoi me rastin e kësaj
vizite.