Përhapeni kudo lajmin e gëzueshëm!

Rikthimi i Hanës së Muajit Rebiulevvel, ku përkujtojmë Lindjen e Begatë të Hz. Muhammedit (a.s), është ndër të tjera edhe një mundësi që na jepet për të vlerësuar faktin e dërgesës së Zotnisë tonë (a.s), si Vulë e të dërguarve të Zotit, plotësues i fesë, gjithëpërfshirës, mëshirë për mbarë botrat, mësues edukator, largpamës dhe paralajmërues se: "Do të mbërrijë kjo fé (ISLAMI), ku ka mbërritur nata dhe dita"! (Pra, optimizmi dhe shpresa është pjesë e besimit dhe bindjes tonë islame, që na nxit akoma më shumë të jemi edhe ne shërbyes të gatshëm për të përhapur kudo dritë e shpresë, vlera e qytetari)

A jemi të gatshëm sot, ne muslimanët, për të marrë mbi supe amanetin e kësaj Thirrjeje shekullore, për t'i përkujtuar njerëzve madhështinë e Hz. Muhammedit (a.s) në çdo aspekt të jetës së tij, si: në fjalë, vepra, miratime, refuzime, beteja e marrëveshje, paqe e strategji organizimi social, kontribues për paqen sociale dhe ndalues i rreptë i fanatizmit, në çdo fushë?

A jemi në gjendje ta shfrytëzojmë këtë kohë të çmuar dhe të dalim nga bataku i mykut dhe i mjegullnajës së injorancës që krijojnë keqinterpretimet e teksteve fetare dhe analizat epsharake të tyre?

E, mbi të gjitha, mos harroni:

PËRHAPENI KUDO LAJMIN E GËZUESHËM
TË PËRKUJTIMIT TË LINDJES SË HZ. MUHAMMEDIT (A.S)!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

14 dhjetor 2015

 


Përhapeni kudo lajmin e gëzueshëm!