“Ju dhe shejtani bashkoheni
në një qëllim të vetëm!”

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut, Zotit të vetëm të gjithësisë, i Cili urdhëron në Kur’anin Famëlartë: “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe e japin zekatin, respektojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t'i mëshirojë All-llahu…”[1]
           
Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), që u dërgua mëshirë dhe udhëzim për mbarë botrat. Thoshte (a.s): “Kush të shohë prej jush një të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij e, nëse nuk mundet, me gjuhën e tij e, nëse nuk mundet, me zemrën e tij…”[2]
 
Të dashur vëllezër besimtarë,
 
Tema e nxitjes për të ndrequr të keqen në jetë, duke nisur nga vetvetja e duke vijuar me familjen, rrethin e ngushtë, shoqërinë e afërt e përtej tyre, është në fakt një temë e gjerë dhe me shumë degëzime. Argumente të shumta janë pika referimi drejt rregullimit, përmirësimit, ndreqjes dhe lartësimit në nivelin e përkushtimit ndaj Zotit, në raport me këtë urdhëresë shumë të rëndësishme për jetën e njeriut.
           
Në kushtet e realiteteve, me të cilat ne përballemi ditë pas dite, e shoh të vendit që mesazhi i kësaj jave të përqendrohet pikërisht tek kjo temë.
           
Në një prej haditheve të këtij kapitulli, transmetohet se Resulull-llahu (a.s) ka thënë: “Shembulli i atij që i ruan kufijtë e All-llahut dhe i atij që ka shkelur në to, është si shembulli i një grupi që kanë marrë në përdorim një anije. Disa prej tyre qëndrojnë lart e disa të tjerë në pjesën e poshtme. Ata, që qëndronin në pjesën e poshtme, kur donin ujë, ngjiteshin në pjesën e sipërme. Për një moment thanë: Po sikur të hapim një vrimë në pjesën që na takon (për të marrë ujë) dhe kështu nuk i shqetësojmë ata që gjenden në pjesën e sipërme? Nëse ata do t’i lënë të veprojnë atë që mendojnë, do të shkatërrohen të gjithë së bashku e, nëse i ndalojnë, do të shpëtojnë së bashku”[3]
 
Të dashur të pranishëm,
 
Ky është thelbi kësaj teme, ky është mesazhi, me të cilin i dërguari i All-llahut (a.s), don të na ftojë të jemi të vëmendshëm në jetën tonë, në marrëdhëniet me njerëzit, me të cilët ndajmë shumë në këtë botë.
           
Ka shumë raste, që njerëzit po tërhiqen drejt një mënyre jetese të çuditshme, sidomos në marrëdhënie me të tjerët; izolimi a vetëizolimi! Me fjalë të tjera, po shohim e po dëgjojmë sesi njeriu i sotëm po bëhet përherë e më mospërfillës ndaj tjetrit. Ndërkohë, në Islam, muslimani është i ftuar ta plotësojë dhe ta perfeksionojë besimin e tij, sidomos duke u interesuar për vëllanë e tij musliman, për hallin e tij, për gjendjen e tij, për realitetin e tij, për gjendjen e besimit të tij, për çdo gjë, që muslimani mund dhe duhet të kontribuojë në ndihmën ndaj vëllasë së tij musliman.
           
Meditoni pak në këto dy krahasime kur’anore, në suren Et-Teube: “Hipokritët dhe hipokritet janë si njëri-tjetri”[4], “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin”[5]! Hipokritët, njësoj! Besimtarët, hapësirë e gjerë bashkëpunimi, harmonie, gjallërie!
“Besimtari e këshillon vëllanë e tij besimtar, nëse sheh ndonjë devijim, e udhëzon, nëse sheh një dobësim në adhurimin e tij, e këshillon për përmirësimin e tij. Pra, ka një proces të vazhdueshëm këshillimi, i cili e rrit shoqërinë e besimit, e lartëson atë…”[6]
           
Lexoni me vëmendje këto hadithe: “Nuk ka besuar asnjëri prej jush, derisa të dojë për vëllanë e tij atë që do për veten e tij”[7], “Muslimani për muslimanin, si ndërtesa e ngjeshur, ku tullat mbajnë njëra-tjetrën”[8]
           
Prandaj, ka shumë rëndësi, që në jetën tonë, në marrëdhënien që kemi me njëri-tjetrin, të mos bëjmë rolin e mospërfillësit, por të kujdesemi për forcimin e lidhjeve të besimit me njëri-tjetrin, duke u interesuar për njëri-tjetrin, duke u këshilluar e duke e mbështetur njëri-tjetrin, me sa të kemi mundësi. Sepse, përtej lidhjeve të forta të gjakut, gjuhës, kombit, atdheut të përbashkët etj, ne na lidh edhe besimi, që është gjëja më e shtrenjtë që njeriu ka në jetën e tij.
           
Thotë (a.s): “Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi, nuk e dorëzon. Kushdo që gjendet në nevojën e vëllasë së tij, All-llahu do të jetë pranë tij! Ai që ia largon një të keqe muslimanit, All-llahu do ta shpëtojë nga një prej halleve në ditën e kiametit. Ai që ia mbulon një te keqe muslimanit, All-llahu do ta mbulojë në ditën e kiametit”[9], pra, nuk do ta korisë para krijesave.
           
Ka shumë rëndësi ta lexojmë e ta kuptojmë si duhet këtë hadith. Secila fjali e tij është një kapitull i rëndësishëm në sistemimin dhe ekuilibrimin e marrëdhënieve në mesin tonë. Është një hadith që vlen të jetë temë konferencash e bashkëbisedimesh udhërrëfyese në mesin e muslimanëve!
           
Sot, më shumë se kurrë, ne kemi nevojë ta ruajmë njëri-tjetrin nga haramet, nga devijimi në besim, nga dobësimi para realiteteve shoqërore! Ne kemi nevojë të bashkëpunojmë përherë e më shumë në mes vete, duke e dëshmuar madhështinë e Islamit në sjelljen tonë komunitare, si një forcë ndërtuese, si një forcë paqësore, që ndërton me anë të këshillës, me anë të takimeve të shpeshta, me anë të fjalës së mirë, me anë të largimit të organizuar nga haramet dhe ndalesat e Zotit në jetë. Që muslimani, të dallojë në shoqëri, edhe në gjërat më të vogla!
           
Dhe, u ndala për një moment. M’u kujtua se kam lexuar diku në shënimet e Shejkh Muteveli Shaaraviut, njëri prej komentuesve më të spikatur të Kur’anit në shekullin që kaloi, një thirrës islam i afirmuar, jo vetëm në Egjipt, por botërisht. Thotë: “Po debatoja me një djalë të ri ekstremist dhe e pyeta: A mendon se është e lejuar apo e ndaluar, të shpërthesh një lokal nate në një prej vendeve islame? Tha: Normal, është e lejuar dhe vrasja e tyre poashtu! I thashë: Po nëse ti i vret, teksa janë në një gjendje gjynahu, ku mendon se do ta kenë përfundimin? Ai tha: Në zjarr të xhehnemit, natyrisht! I thashë: Ku mendon se synon t’i marrë shejtani ata? Tha: Në zjarr të xhehnemit, natyrisht! I thashë: Atëherë, i bie që ju dhe shejtani të bashkoheni në një qëllim të vetëm!...”[10]
           
E solla këtë shembull, sepse ka shumë nevojë që në mesin tonë, të ruhemi nga paragjykimi dhe euforizmi, por të jemi të vëmendshëm për ta mbrojtur harmoninë e besimit në mesin tonë, të këshillohemi për mirë dhe të praktikojmë me sa të kemi mundësi urdhëresën me urtësi drejt të mirës dhe ndalimin e të keqes, pa e koritur a demaskuar publikisht tjetrin!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Plumbit)
Shkodër, më 4 dhjetor 2015

[1] Kur’ani, Et-Teube: 71.
[2] Transmetuar nga Muslimi, nga Ebu Saidi (r.a).
[3] Transmetuar nga Bukhariu, nga Numan ibn Beshiri (r.a).
[4] Kur’ani, Et-Teube: 67.
[5] Kur’ani, Et-Teube: 71.
[6] www.nabulsi.com/blue/ar/art.php?art=11096
[7] Transmetuar nga Bukhariu, Muslimi etj, nga Enesi (r.a).
[8] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi, nga Ebu Musa Eshariu (r.a).
[9] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi, nga Ibn Omeri (r.a).
[10] www.tariqallah.net/2013/06/blog-post_15.html

 


“Ju dhe shejtani bashkoheni në një qëllim të vetëm!”
“Ju dhe shejtani bashkoheni në një qëllim të vetëm!”
“Ju dhe shejtani bashkoheni në një qëllim të vetëm!”