Unë jam “Fondacioni Shejkh Ahmed Keftaro”!
02 dhjetor 2015
E mërkurë, 2 dhjetor
2015. Sot paskan gjuajtur shkollën time
në Damask… Më e madhja Qendër Islame në
Lindjen e Mesme (e njohur ndryshe si:
Fondacioni “Shejkh Ahmed Keftaro”). I
shtrenjti Damask, që më mungon kaq
shumë, që nga ajo ditë e funddhjetorit
të vitit 2010, kur e vizitoja për herë
të fundit, në një vizitë zyrtare. (Disa
muaj më pas, nisën lëvizjet e para të
“pranverës arabe”, të kobshmes
“pranverë”, që si një murtajë e fletëve
të historisë së lashtë, dogji e
shkrumboi një nga një të gjitha ato
vende, ku ra si flamë.., edhe Sirinë e
shtrenjtë, djepin e lashtë të
civilizimeve dhe qytetërimeve të
njerëzimit…)
Jam i lënduar pa masë! Është prekur
imuniteti i një djepi dijeje, adhurimi,
qytetërimi e kulture të pashoq, janë
lënduar studentë të pafajshëm, në bankat
e auditoreve… Është prishur qetësia e
hijshme e një kalaje të pashembullt
diturie e prezantimi me vlerat e vërteta
të Islamit!
Sado i vogël a i madh të jetë dëmi në
lëndimet e studentëve (dy të vdekura,
një pjesë e tyre në gjendje të rëndë nga
plagët e pabesa, sipas raportimeve të
para zyrtare) a mureve të kalasë tonë të
madhe, dhembja e prekjes së këtij
imuniteti dhemb më shumë e prek në nerv!
Shkollat dhe universitetet nuk preken
asgjëkundi në botën e qytetëruar! Vetëm
në botën e katilëve barbarë ndodh një
gjë e tillë! E, ata, katilët e Shkollave
e universiteteve, vetëm fé e lidhje me
qytetërimet ndërtuese nuk mund të kenë!
Djepet e qytetërimit dhe përparimit të
një kombi nuk preken, as digjen, as
shkrumbohen, as bombardohen, as
dhunohen! Është krim, shumë krim i madh
është!
Në fakt, ky lajm më ka prekur pa masë.
Më kanë gjuajtur edhe mua! Më kanë
goditur pas shpine, pabesisht! Më kanë
lënduar, por nuk më kanë thyer, nuk kanë
thyer as misionin e shkollës sime, ne
nuk thehemi me bomba e terror, as nga
çmenduria dhe histerizmi kriminel!
Shpirtin e Thirrjes tonë nuk e mposht
dhuna, as terrori, as ekstremizmi e
injoranca! Nuk e mposht dekadenca
morale, as shthurja intelektuale, as
afetarizmi ekstrem, as primitivizmi
materialist e pashpirtësia e laikëve a
laicizmit radikal, as aleancat e të
keqes, as bekuesit e tyre!
Kanë gjuajtur shpirtin e mësimeve dhe
misionit mbarëbotëror që kjo shkollë
bart në themelet e saj! Dhe, bota duhet
të reflektojë në këtë fakt! Këto
gjuajtje janë më të rënda se atentati i
redaksisë së një reviste satirike në
zemër të Evropës, disa muaj më parë!
Ky sulm sfidon jo vetëm lirinë e fjalës,
por edhe shenjtërinë e mesazhit të paqes
dhe atë të mbjelljes së farës së
vëllazërisë së sinqertë të humanizmit në
mesin e individëve të kësaj race
njerëzore, të cilës i përkasim!
Sot, është sulmuar një nga djepet më të
spikatura të mësimit dhe edukimit
botëror me esencën e Islamit, Kur’anit
dhe Traditave të mrekullueshme të Hz.
Muhammedit (a.s), profetit që tha: “Ne
profetët jemi vëllezër nga nana të
ndryshme”!
Është sulmuar ai djep, në të cilin, prej
mbi pesëdhjetë vite, muslimanë e të
krishterë nga mbarë bota, ulen e
kuvendojnë, respektohen e nderohen, si
pasues të një besimi të lashtë, në një
origjinë të shenjtë! Është sulmuar një
djep, ku janë përkundur me dhjetëra e
qindra thirrës të suksesshëm të Islamit
në mbarë botën, të cilët punojnë pa
ndërprerje e me vullnet të madh për
përhapjen e vlerave universale të kësaj
feje gjithëpërfshirëse dhe respektuese
të kujtdo; bindjes, mendimit dhe
rrugëtimit të tij besimor e intelektual
në jetë!
Sot është goditur mesazhi i paqes, i
harmonisë së njeriut me vëllanë e tij
njeri, i dijes së kulluar, që prodhon
vlera e nxitje për ta shikuar jetën me
optimizëm e shpresë, me dëshirë për të
ndërtuar ura komunikimi dhe vlera dijeje
dhe urtësie, që njeriun e marrin për
dore drejt lartësimit në këtë botë, para
të përjetshmes!
Sot është lënduar Kasijuni[1]
i eulijave dhe i ulemave, kërkuesve të
dijes dhe vullnetmirëve, që s'i pengon
forcë errësire në botë për të vazhduar
me sinqeritet atë rrugë të dritshme të
dijes dhe mbjelljes së farës së
udhëzimit në mbarë botën!
Sot është lënduar në varrin e tij,
Kryemyftiu i Madh i Sirisë, Shejkh Ahmed
Keftaro (1915-2004) dhe mesazhet e tij,
që për dekada të tëra u përpoq të
mbillte kudo në botë! Sot është prekur
jo vetëm një Shkollë në zemër të
Damaskut, por edhe krejt thirrjet
qiellore dhe vlerat më të larta të
mësimeve hyjnore, që burojnë nga ky Djep
Drite dhe udhëzimi që ai jep për jetën
dhe të ardhmen e njeriut!
Është drita e mësimeve të profetit të
Zotit, Muhammedit (a.s), besa e
shekujve, Islami i paqes, i dijes, i
harmonisë dhe i veprave të sinqerta, që
garantojnë kudo Paqe e Urtësi, Harmoni
në mesin e njerëzve dhe Liri në
përzgjedhjen e secilit, pa paragjykim e
nënçmim!
Sot, teksa shihja pamjet e dëmeve
materiale të shkaktuara nga sulmi i
pabesë ndaj godinës së Shkollës sime në
Damask, më erdhën ndër mend vitet e
gjata të shkollimit dhe të edukimit.
Takimet e shumta ndërkombëtare,
konferencat e dialogut ndërfetar, atij
ndërislam, vizitorët e mëdhenj të
xhamisë tonë dhe Kryemyftiut Shejkh
Ahmed Keftaro, si: Rozhe Garodi
(mendimtari i shquar francez), Robert
Crane (ish-Kryetar i Këshillit të
Sigurimit të ShBA në kohën e presidentit
Nickson), Robert Scholer (pastori i
famshëm i Kishës së Kristaltë në
Kaliforni), Papa Shnoda (Papa i Koptëve
të Egjiptit), mons. Michael Fritzgerald
(ish-kryetar i Këshillit Papnor për
Dialogun Ndërfetar në papatin e Gjon
Palit II), Papa Gjon Pali II (Papa i
Katolikëve, Vatikan), William Backer
(President i Organizatës “Muslimanë dhe
të Krishterë pa Kufi”), Dr. George Kerry
(Arqipeshkvi i Kanterberisë), japonezët
e Omotos, Baron Michael Levy (këshilltar
i kryeministrit britanik Tony Blair),
Nexhmedin Erbakan (mendimtari dhe
politologu i madh turk), Muhamed Aliu i
famshëm, Elixha Muhamed (ShBA), Luis
Farakan (Udhësheqës i “Popullit
Musliman” në ShBA), e shumë e shumë
personalitete ndërkombëtare të mendimit
të lirë, besimit me dimensioneve të tij,
intelektualë elitarë dhe prijës të
shquar të njerëzimit!
M’u kujtuan ata dhe një takim i
Edukatorit tonë të madh, Kryemyftiut
Shejkh Ahmed Keftaro me një gazetare
hollandeze, detajet e të cilit ai i
tregon në një libër autobiografik, ku
thekson: “Europa sot, nuk është më ajo e
djeshmja. Tashmë ka nisur të shkundë
pluhurin e fanatizmit dhe të hapë sytë.
Evropianët panë se Islami është fé e
mendjes dhe e logjikës, e çdo gjëje të
dobishme për njeriun, e çdo parimi të
saktë, që mendja e shëndoshë pranon, e
çdo morali dhe mirësjelljeje. Këto janë
sihariqe, për të cilat pat shkruar edhe
filozofi anglez Bernard Show, që
thoshte, se: “Nuk do të kalojë një
shekull, pa u përhapur Islami në çdo cep
të Evropës, së bashku me gjuhën e dadit
(arabishten)” Mëngjesin e xhumasë së
shkuar më vizitoi një zonjë gazetare
hollandeze, rreth të gjashtëdhjetave…
Para dy vitesh kishte përqafuar Islamin,
pas studimesh të lodhshme dhe të
hollësishme. Pastaj kishte përkthyer
kuptimet e Kur’anit në gjuhën
hollandeze. Kishte përkthyer edhe katër
mijë hadithe profetike dhe kishte nisur
të ftonte popullin e saj në Islam. Me
dhjetra hollandezë përqafuan Islamin në
duart e saj. Nuk u befasova, kur ajo më
shprehu neverinë e saj karshi
muslimanëve, sidomos pasi kishte
vizituar shumë prej vendeve islame. Nuk
u befasova nga neveria e saj për
injorancën e shumë prej muslimanëve ndaj
vetë fesë së tyre dhe largimin e tyre
nga praktikimi i fesë dhe zëvendësimi i
argumenteve të qarta me legjenda e
iluzione. Më përmendi hadithin: “Nuk do
të bëhet kiameti, derisa të lindë dielli
nga perëndimi i tij” dhe më tha: “Unë
nuk e kuptoj ndryshe këtë hadith, vetëm
se Evropa do ta përqafojë Islamin, me
studim e kuptim, praktikim dhe dije,
pastaj dielli i Islamit do të lindë nga
perëndimi evropian drejt lindjes arabe
dhe islame. Ia ktheva: Nëse në të
shkuarën Islami kishte një diell, që
lindi nga Lindja arabe, në kohën tonë,
ai do të ketë dytë tillë; një diell nga
perëndimi evropian dhe një diell nga
lindja arabe dhe islame”
Pastaj m’u kujtuan shkrimet e dijetarëve
dhe intelektualëve të shquar të kohëve
të afërta, si: Noam Chomsky, Zingrid
Honke, Dr. Crisi Morison, Rozhe Garodi,
Dr. Robert Crane, Michael Hart, Gustav
le Bon, e shumë perëndimorë, që e lexuan
dhe e studiuan Islamin me objektivizëm,
derisa u bënë muslimanë.
All-llahu ekber! Ai është më i madh se
tanësia! Edhe se terrori, dhuna,
ekstremizmi, mizoria, tirania, barbaria
e injoranca e kujtdo që ka lidhur besën
me shejtanin e mallkuar, në lindje a në
perëndim!
All-llahu ekber! Mesazhi i shenjtë i
afrimit të njeriut me vëllanë e tij
njeri, nxitja kur’anore për takimin e
kulturave, popujve dhe besimeve të tyre
në tryezat e dialogut, por jo vetëm,
nxitja për të jetuar në paqe në një botë
të rënduar nga tymnaja e luftrave dhe
mashtrimeve, natyrshëm, që qëndrojnë mbi
krejt përpjekjet e atyre që dje na
goditën pabesisht duke na dhënë një
sinjal, para të cilit, jo vetëm që nuk
thyhemi, por ngrihemi edhe më të bindur
në rrugën dhe thirrjen tonë!
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
2 dhjetor 2015
[1] Quhet mali, mbi të cilin shtrihet një pjesë e Damaskut, prej ku kanë dalë dijetarë e edukatorë të famshëm në historinë 15 shekullore të Islamit.