“All-llahu është Zoti ynë”!

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut, Zotit të vetëm të gjithësisë, Krijuesit të gjithçkaje, Atij, që nuk ka lindur nga dikush, as ka lindur kush prej Tij e, që të gjithë i jemi rob! Urdhëron në Kur’anin Famëlartë: “… drejtonju Atij dhe kërkoni falje”.[1]
           
Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë e në çdo ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), që u dërgua mëshirë për mbarë borat, vërtetues i shpalljeve të mëparshme, plotësues i tyre, thirrës drejt besimit të pastër në Një Zot të vetëm të gjithësisë!

Të dashur e të nderuar besimtarë,

Transmeton Imam Muslimi, në librin e tij të saktë, nga Sufjan Thekafiu, i cili tregon se një ditë e kishte pyetur të dërguarin e All-llahut: Ja Resulall-llah, më thuaj një fjalë në Islam, për të cilën të mos pyes dikë tjetër pos teje! Ai tha: “Thuaj, i besova All-llahut, pastaj bëhu i qëndrueshëm!”[2]
           
Tema kryesore, për të cilën mendoj se duhet të flasim në këto ditë, është pikërisht ajo e besimit të pastër dhe qëndrueshmërisë në fé. Është shumë e rëndësishme që njeriu të mos bëjë dredha në jetë, sidomos kur është fjala për besimin dhe bindjen e brendshme. Muslimani është musliman, nuk stepet, as frikësohet, as tundohet, as lëkundet, as kthehet, as dobësohet, as bie në dilema rreth besimit dhe fesë së tij, sa herë erërat e trazirave intelektuale, besimore, sociale e propagandistike, fryejnë në drejtim të tij, për ta thyer, për ta lëkundur, për ta tjetërsuar!?
           
Në Kur’anin Famëlartë, është një bllok i mrekullueshëm ajetesh, pikërisht në suren Fussilet, që ju ftoj ta lexoni e ta përvetësoni, për t’u bërë thirrës dhe ftues i të tjerëve drejt këtij besimi dhe kësaj feje të mrekullueshme, me të cilët na ka begatuar Zoti i gjithësisë, duke na udhëzuar zemrat drejt saj, drejt tij!

Ky bllok udhëzimi, nis me ajetin numër 30 të kësaj sureje, ku shprehimisht thotë: “E, s'ka dyshim se ata që thanë: “All-llahu është Zoti ynë”, dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë melekët (në prag të vdekjes dhe u thonë): të mos frikësoheni, të mos pikëlloheni, keni myzhde xhennetin që u premtohej. - (u thonë) Ne kujdesemi për ju, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në botën tjetër, kudo të keni atë që dëshironi dhe gjithçka kërkoni. - Pritje e nderuar prej Atij që falë mëkatet dhe që është mëshirues! - E kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e All-llahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: “Unë jam prej muslimanëve?” - Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt. - Mirëpo këtë nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që janë të durueshëm, dhe nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që kanë virtyt të lartë.”[3]
 
Të dashurit e mi,
 
Në tefisirin e ajetit të parë të këtij blloku udhëzimi, Shejkhul-Islami Et-Tahir ibn Ashur, thotë si më poshtë: [“ata që thanë: “All-llahu është Zoti ynë”, ka për qëllim dëshmimin haptas dhe mospasjen frikë nga askush, me dëshmimin e teuhidit. Pra, thënia e tyre është vërtetim i besimit dhe bindjes…][4]

Madje, duke shpjeguar rëndësinë e këtij ajeti dhe vlerën e udhëzimit dhe qëndrueshmërisë në Islam, ai na sjell tefsirin që i kanë bërë këtij ajeti, katër hulefai-rashidinët, shprehimisht: [Transmetohet se Ebu Bekri (r.a) e ka interpretuar kështu ajetin: “dhe ishin të paluhatshëm”: “Nuk i bënë shirk All-llahut”. Ndërsa Omeri (r.a) thoshte: “U drejtuan në rrugën e bindjes dhe nuk bënë dredha, siç bëjnë dhelprat”. Ndërsa Hz. Osmani (r.a) thoshte: “Ishin të sinqertë me All-llahun në veprat e tyre”. Ndërsa Hz. Aliu (r.a) thoshte: “I kryen obligimet e fesë”… Përkujdesja e këtyre katër kollosëve të Islamit ndaj qëndrueshmërisë dhe drejtimit në Islam, tregon rëndësinë e tij në fé][5]

Pra, qëndrueshmëria në fé është e barabartë me teuhid, paluhatshmëri, sinqeritet dhe korrektësi në kryerjen e obligimeve! Kjo do të thotë se nëse ndonjëri prej nesh e sheh fëmijën e tij duke bërë shirk a duke u përfshirë nga prekjet e tij, (që ia mëkon jashtë vëmendjes tonë ekrani, prej ku filmat vizatimorë me zana, shkopinj magjikë, farëra ringjallëse, frute jetëdhënëse e përjetësuese etj., i mbushin trurin), të ndërhyjmë me urtësi e t’i themi: Biri im, ne jemi muslimanë, ne jemi më lart se kaq! Nëse e dëgjon fëmijën që gënjen, i ndikuar nga rrethi jofamiljar islam, thuaji: Biri im, ne jemi muslimanë, ne nuk gënjejmë! Po ashtu për pastërtinë, thuaji fëmijës tënd: Biri im, ne jemi muslimanë, ne jemi të pastër! E kështu, pa fund për respektimin e tjetrit, për vlerësimin e jetës, për vlerësimin e çdo gjëje të gjallë, sikurse na mëson dhe na edukon Islami ynë!
 
Vëllezër besimtarë,
 
“Njeriu, në marrëdhënien e tij me botën e jashtme, sillet sipas një ligji. Cili është ky ligj? Perceptimi, reagimi dhe më pas sjellja”[6], thotë dr. Ratib Nabulsi në shpjegimin e ajetit të parë të bllokut të lartpërmendur.

Pra, të gjithë ne jemi të ftuar fillimisht ta studiojmë besimin dhe bindjen se nuk ka Zot tjetër pos All-llahut, që më pas ta dëshmojmë haptas, duke ftuar edhe të tjerët drejt këtij besimi dhe kësaj bindje. Por, paralelisht me këtë, asnjëri prej nesh nuk ka të drejtë të bëhet gjykatës i besimit dhe bindjes së tjetrit, sidomos i vëllezërve dhe motrave të tij në Islam! Besimi është personal, veprat e jashtme janë objekt dialogu!

Nga ajetet e lartpërmendura mësojmë shumë fakte që lidhen me dobitë dhe vlerat që ka udhëzimi në Islam dhe qëndrueshmëria në fé, si: “të mos frikësoheni, të mos pikëlloheni, keni myzhde xhennetin që u premtohej”.[7]

Lexoni me vëmendje: “Nëse ti o vëlla (dhe ti o motër) je me të vërtetë besimtar, mos të kesh frikë për atë që do të vijë, as mos të pikëllohesh për atë që shkoi. Përherë, koha është në favorin tënd, rrugëtimi yt njeh vetëm rritje vertikale të vazhdueshme, asnjëherë nuk do të ketë luhatje në të, ndryshe nga ç’ndodh me njerëzit e zakonshëm e jobesimtar, materialistët, që mund të kenë arritje të mëdha dhe të papritura, por edhe rrëzime të papritura, për të cilat Kur’ani thotë: “Meqë lanë pas dore atë me çka u këshilluan (t'i drejtohen Zotit), Ne ua hapëm dyert e çdo gjëje (begatie) derisa kur u gëzuan për atë që ju kishte dhënë, i kapëm befas, e ata mbetën të zhgënjyer.”[8][9]

Prandaj, të shohë secili brenda vetes së tij për të gjetur gabimet dhe të metat që e largojnë nga Zoti dhe udhëzimi i drejtë, të kërkojë falje dhe të nisë një marrëdhënie të re me besimin dhe fenë e tij, i udhëzuar nga këto ajete të mrekullueshme e sihariqdhënëse.
 
Të dashur të pranishëm,
 
Ndoshta, një prej kulmeve të këtij blloku ajetesh, është pikërisht ai me numër 33, ku All-llahu (xh.sh) thotë: [E kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e All-llahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: “Unë jam prej muslimanëve?”][10]
           
Kio është thirrja që pason udhëzimin dhe qëndrueshmërinë në fé: Thirrja në Islam, me dituri, urtësi, bindje e argumente të qarta e ftuese drejt të vërtetës.
           
Prandaj, sot, teksa bota janë të angazhuar me krijimin e prekjeve frikësuese të islamofobisë dhe dhënies së mendve falas, thirrjeve drejtuar ne muslimanëve për të reaguar e për të deklaruar etj, etj, pa fund, ne e kemi për borxh moral e shpirtëror, karshi njerëzimit, fillimisht, vetes dhe shoqërive ku jetojmë, të deklarojmë me të madhe, paqësisht e në harmoni me vetë jetën: “All-llahu është Zoti ynë!” dhe të qëndrojmë të paluhatshëm në këtë besim dhe udhëzim të Zotit!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Parrucës)
Shkodër, më 27 nëntor 2015

[1] Kur’ani, Fussilet: 6.
[2] Transmetohet nga Muslimi, nga Sufjan Thekafiu (r.a).
[3] Kur’ani, Fussilet: 30-35
[4] Imam Et-Tahir ibn Ashur, “Et-Tahrir vet-Tenvir”, botimi i parë, Bejrut, 1990, vëll. i 25-të, f. 49.
[5] Po aty, vëll. i 25-të, f. 50.
[6] www.nabulsi.com/blue/ar/art.php?art=5905&
[7] Kur’ani, Fussilet: 30.
[8] Kur’ani, En’am: 44.
[9] Nga tefsiri i Dr. Ratib Nabulsit, në referencën e lartpërmendur.
[10] Kur’ani, Fussilet: 33.

 


“All-llahu është Zoti ynë”!
“All-llahu është Zoti ynë”!
“All-llahu është Zoti ynë”!