“Zoti ynë, këta janë ata që ne i devijuam!
I devijuam, siç devijuam edhe vetë…”
20 nëntor 2015
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut,
Krijuesi i vetëm i gjithësisë, Zoti i
botrave, i Cili thotë në Kur’anin
Famëlartë: “All-llahu nuk e shkelë
premtimin e vet!”[1]
Salavatet dhe përshëndetjet më të
përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë
dhe në çditë të jetës tonë, zotërisë së
bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s),
që u dërgua mëshirë për mbarë botrat. I
thanë: O i dërguar i All-llahut,
mallkoji mushrikët! Tha: “Unë nuk jam
dërguar mallkues, por jam dërguar
mëshirë”.[2]
Të dashur besimtarë,
Pak ditë më parë, po dëgjoja me kënaqësi
një bashkëbisedim interesant me
thirrësin e shquar islam të kohës tonë,
damaskenin Dr. Ratib Nabulsi. Gjatë tij,
personi përballë e pyet dhe i thotë:
“Dua ta bëj një pyetje, por dua një
përgjigje shumë të sinqertë: Si je ti në
këto momente, si ndjehesh?” Doktori
buzëqesh dhe menjëherë ia kthen: “Jam
shumë i lumtur, vallahi. Shumë i
lumtur!”
Pas saj, ai nis shpjegimin e kësaj
përgjigjeje, duke thënë: “E dini si? Në
një shtëpi të vogël e përdhese jetonte
një burrë me pesë fëmijë. Kishin vetëm
një dhomë dhe paga mujore që fitonte
duke punuar, nuk i mjaftonte as për të
ngrënë bukë. Një i afërm i tij,
milioner, aksidentohet dhe vdes. E
lajmërojnë zotërinë e varfë dhe i thonë,
ti je trashëgimtari i vetëm. Tërë
pasuria e të afërmit tënd, do të jetë e
jotja. Por, deri në momentin e kalimit
të saj në zotërimin tënd, duhet të
plotësohen disa procedura, që zgjasin
rreth një vit.
Tash, ju pyes, si mendoni se do ta
kalojë ky i varfër në skamje, këtë vit,
pas së cilit i është premtuar në formë
të prerë se do të gëzojë një pasuri të
stërmadhe, trashëgimi e papritur? Do të
jetojë me ankth por, në kulmin e
lumturisë së një pritjeje të madhe!
“A është ai, të cilit i kemi premtuar
një premtim të mirë (për xhennet),
sikurse ai të cilit i kemi dhënë
kënaqësi të kësaj jete, kurse në ditën e
kijametit ai do të jetë prej të
dënuarve?”[3],
thotë Zoti në Kur’an” – përfundon
përgjigjen e tij dijetari i shquar.
Ky bashkëbisedim dhe mesazhet e tij, më
bënë të mendoj rreth premtimeve pa fund,
me të cilat na flet All-llahu në
Kur’anin Famëlartë. Dhe, bëra një kërkim
të shpejtë, prej ku më rezultoi sa më
poshtë:
Termi “premtimi”, përmendet 18 herë në
Kur’an.
Termi “premtimi i”, përmendet 13 herë.
Termi “premtim”, përmendet 1 herë.
Termi “i premtimit”, përmendet 1 herë.
Termi “premtoi”, përmendet 10 herë.
Termi “u premtuan”, përmendet 3 herë.
Termi “premtim (bese)”, përmendet 7
herë.
“Ju premtova”, 1 herë.
“Na premtove”, 1 herë.
“U premtove”, 1 herë.
“Premtimin Tënd”, 1 herë.
“Ju premtoi”, 2 herë.
“Premtuam”, 3 herë.
“Na u premtua”, 2 herë.
“I premtuam”, 1 herë.
“U premtuam”, 1 herë.
“Premtimin e Tij”, 3 herë.
“Premtimi i Tij”, 1 herë.
“I premtimit të Tij”, 1 herë.
“Premtimin e saj”, 2 herë.
“I premtuan”, 1 herë.
Dhe, u ndala të mendoj e të reflektoj
rreth shumësisë së premtimeve, me të
cilat Zoti i gjithësisë na tërheq
vëmendjen në Librin e Tij, drejt afrimit
të mëtejshëm me vlerat e besimit, që na
bëjnë të jetojmë në paqe me Zotin, me
veten e me tjetrin.
Ishin shumë premtime të mrekullueshme!
Janë shumë premtime, për të cilat nuk
duhet të kemi asnjë dyshim se do të
realizohen! Por, pyetja është, sa jemi
ne, në të vërtetë, të përqendruar tek
besimi ynë dhe tek premtimet e Zotit
tonë? Sa jemi të qëndrueshëm në besimin
dhe fenë tonë, edhe përballë furtunave
të shpeshta që shfaqen, për të na
larguar nga boshti i besimit dhe
krenaria legjitime islame?
Dëgjoni me vëmendje vazhdimësinë e
ajetit të lartpërmendur: “(përkujto)
Ditën kur i thërret ata e u thotë: “Ku
janë ata, të cilët ju i pandehnit si
zota?” - E ata, të cilët e merituan
fjalën (dënimin), thonë: “Zoti ynë, këta
janë ata që ne i devijuam! I devijuam,
siç devijuam edhe vetë…” - Dhe u thuhet:
“Thirrni zotat tuaj”! Ata i thërrasin,
por nuk u përgjigjen dot dhe, shohin
dënimin. E atëherë (do të dëshironin)
sikur të kishin qenë në rrugën e drejtë
(e të mos përjetonin dënimin).”[4]
A nuk janë shumë prej realiteteve me të
cilat përballet sot besimtari musliman e
qytetari shqiptar, një tërheqje drejt
afetarizmit të shthurur dhe mosbesimit?
A nuk e shihni sesi denigrohet ditë pas
dite feja islame, gjasme me pretekstet e
përballjes kundër terrorizmit,
ekstremizmit e paditurisë?
A nuk jemi ngopur me propaganda
islamofobe, sidomos në këto 25 vitet e
fundit, pas ndarjes nga periudha e errët
ateiste? A nuk kemi dalë e stërdalë në
deklarata e ballafaqime televizive, kemi
shkruar e kemi përhapur kudo se e
dënojmë dhunën, terrorizmin,
ekstremizmin, injorancën e afetarizmin e
shthurrur, që prodhojnë urrejtje e
intolerancë?
A nuk kemi dalë e stërdalë në takime,
konferenca, seminare, hytbe, derse,
vase, emisione televizive e radiofonike
dhe kemi thënë me të madhe se Islami
është fé e harmonisë ndërfetare,
bashkëjetesës paqësore, ruajtës i paqes
sociale dhe mbrojtës i vlerave më të
larta njerëzore?
Të dashurit e mi,
A nuk jeni dëshmitarë i emisioneve dhe
debateve të shumta televizive, ku
dëgjojmë edhe kësi pyetjesh retorike: “A
nuk është e vërtetë se në Kur’an ka
ajete për luftën?”. Thuani: Po, ka edhe
ajete për luftën! Sikurse ka ajete edhe
për tregtinë, moralin, nderin, martesën,
divorcin, e çdo gjë që i duhet njeriut
në jetë!
Ju, që paskeni tërë këtë hall të madh,
se në Kur’an ka ajete lufte, pse nuk
pyetni se kujt dhe përse i nevojiten
armët e shkatërrimit në masë, ato
bërthamore e atomike, kudo që gjenden
nëpër botë në duart e jomuslimanëve
realë?
Po, ka ajete lufte, që lexohen në
kontekstin e luftës a kanosjes së jetës
pa të drejtë! Sepse Zoti na mëson që
edhe në gjendje lufte të jemi të
njerëzishëm e të drejtë, mos të bëhemi
kriminelë e barbarë, si rasti I ushtrive
kolonizuese të botës islame, që nuk lanë
barbari e krime të papërshkrueshme pa
ushtruar ndër njerëz të pafajshëm, që I
përdorën edhe si kavie për bombat e tyre
dhe perversitetin, me të cilin dogjën,
vranë e shkatërruan pa masë!?
Kur’ani na mëson, që në raste lufte dhe
në mbrojtje të atdheut, jetës, fesë,
pronës a nderit, të mos jemi barbarë e
çnjerëzorë, si rastet e barbarizmave e
bombardimeve të pakuptimta ndaj njerëzve
të pafajshëm në Siri, a ato në Irak,
Gaza e shumë vende të tjera pa fund,
gjatë këtyre viteve!? A nuk jemi
dëshmitarë?!
Prandaj pyes, a nuk ka ardhur koha të
kthejmë kokën nga premtimet e All-llahut
në Kur’an, t’i lexojmë e t’i kuptojmë
dhe të bindemi përherë e më shumë se
besimi dhe Islami janë zgjidhja e vetme
e krejt problemeve, me të cilat
përballet bota sot?
“E ata që besuan dhe bënë vepra të mira,
Ne do t'i vendosim në xhennete, ku
rrjedhin lumenj e ku do jenë
përgjithmonë. Premtimi i saktë i
All-llahut. E kush mund të jetë më i
saktë në fjalë se All-llahu?”[5]
Ky është premtimi!
Por, para se ta lexojmë thjeshtë si një
premtim hyjnor e një triumf besimi, le
të kuptojmë se në xhennet nuk do të ketë
vend për mashtrues, injorantë,
dyfytyrësh, hajdutë, servilë,
terroristë, barbarë, provokues të sëmurë
luftërash të padrejta, dhunues e
përdhunues, pijanecë e imoralë, por jo
vetëm.
Atëherë, do të kuptojmë se përse ne
muslimanët, as kemi, as mund të kemi
lidhje me këtë propagandë të shthurur
kundra vlerave tona, fesë dhe besimit që
kemi përqafuar me zemër dhe ia mësojmë
edhe fëmijëve tanë. Por, njëkohësisht,
nuk kemi lidhje, as mund të kemi, as me
këtë model mashtrues e kriminel, që vret
e shkatërron në emër të fjalës së
shenjtë: “All-llahu ekber”!
Prandaj, mos ua vini veshin teksa ju
mashtrojnë me zërin e tyre mediatik,
shkrimet e gazetave, debateve televizive
etj!
Thjeshtë, jetojeni besimin dhe fenë tuaj
në qetësi e në harmoni me vetë natyrën,
rregullat e fesë, njëri-tjetrin e mbarë
shoqërinë!
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Dy
Vajzave)
Shkodër, më 20 nëntor 2015
[1] Kur’ani,
Ali Imran: 9.
[2] Transmetuar
nga Muslimi, nga Ebu Hurejra (r.a).
[3] Kur’ani,
El-Kasas: 61
[4] Kur’ani,
El-Kasas: 62-64.
[5] Kur’ani,
Nisa: 122.