Shfaqet dokumentari:
"Triumfi i zanit të minareve"
16 nëntor 2015
Mbrëmjen e së hënës,
më 16 nëntorit 2015, Myftinia Shkodër
organizoi në teatrin "Migjeni",
aktivitetin përmbyllës të programit 17
ditor kushtuar përkujtimit të 25
vjetorit të rihapjes së xhamisë së parë
në Shkodër e Shqipëri, pas 23 vitesh
persekutim e dhunë ateiste ndaj fesë.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm
autoritetet më të larta fetare e civile
të vendit, si: H. Skender Bruçaj,
Kryetar i KMSh, z. Ilir Dizdari, Kryetar
i Komitetit Shtetëror për Kultet, Lutfi
ef Ballek, Kryetar i Këshillit të
Bashkësisë Islame të Prizrenit, Mons.
Angelo Massafra, Arqipeshkëv
Shkodër-Pult, znj. Greta Bardeli,
Kryetare e Këshillit të Qarkut Shkodër,
z. Xhemal Bushati, Kryetar i Këshillit
të Bashkisë Shkodër, H. Edmir Smajlaj,
Myfti i Malësisë së Madhe, z. Kujtim
Dervishi, drejtor i Medresesë "Haxhi
Sheh Shamia", deputetë, drejtues të
partive politike, imamë të xhamaive,
kryetarë të shoqatave islame në vendin
tonë etj.
Fillimisht, të pranishmit ndoqën me
vëmendje premierën e dokumentarit me
titull: "Triumfi i zanit të minareve",
ku u shfaqen dëshmi dhe fakte nga koha e
vështirë e vitit 1967 e më pas, kur
besimtarët muslimanë, por jo vetëm, u
përballën me diktaturën komuniste dhe me
ndalimin e fesë ligjërisht.
Njëherazi, u shfaqën edhe momentet
kryesore të dëshmisë historike të
ceremonisë madhështore të datës 16
nëntor 1990 dhe fjalimit historik të
mbajtur nga Hafiz Sabri Koçi dhe dëshmi
të pjesëmarrësve aktivë të atyre ditëve
të rëndësishme.
Aktiviteti vijoi me fjalën e rastit,
mbajtur nga H. Skender Bruçaj, Kryetar i
KMSh, i cili vlerësoi datën 16 nëntor
1990, si një moment kthese në historinë
tonë kombëtare.
Kryetari i KMSh vlerësoi se liria e
besimit është esenciale për jetën e
njeriut, sikurse theksoi se besimi është
i barazvlefshëm me krejt virtytet dhe
bie ndesh me krejt tentativat për të
mbjellë terror dhe urrejtje në botë.
Kryetari i KMSh dënoi ashpër zhvillimet
e fundit në shumë vende të botës, ku po
shfaqen akte terroriste, vrasje të
njerëzve të pafajshme dhe nxitje të
urrejtjes, si akte të papranueshme nga
feja islame dhe ndërgjegjja islame.
Aktiviteti u përshëndet edhe nga znj.
Greta Bardeli, e cila vlerësoi lirinë e
besimit si bekim nga Zoti dhe mirësi për
popujt. Ajo vlerësoi shpirtin e
harmonisë ndërfetare si një begati për
popullin shqiptar dhe historinë e tij.
Në emër të institucionit që drejton,
znj. Bardeli i akordoi Myftiut të
Shkodrës, çertifikatë për dhënien e
titullit: "Nderi i Qarkut Shkodër",
Myftinisë Shkodër.
Aktiviteti u përshëndet edhe nga Imam
Muhamed B. Sytari, Myfti i Zonës
Shkodër, i cili vlerësoi këtë datë dhe
dha mesazhet e tij kushtuar lirisë së
besimit, harmonisë kombëtare e fetare
dhe respektimit të jetës dhe lirisë
individuale në shoqëri.
Myftiu ftoi të pranishmit të ngrihen në
këmbë dhe të këndojnë një "Fatiha" për
ata qindra mijëra të pafajshëm që janë
vrarë anembanë botës në vitet e fundit,
si pasojë e terrorizmit.
Një program i bukur artistik, me pjesë
të përzgjedhura, ilahi e recitime, nga
nxënësit e Medresesë "Haxhi Sheh
Shamia", Shkodër, i dha emocione të
bukura këtij tubimi përmbyllës.