“… e tërë krenaria i takon All-llahut,
të dërguarit të Tij dhe besimtarëve”
13 nëntor 2015
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut të
Madhëruar, Zotit të vetëm të botëve, i
cili urdhëron në Kur’anin Famëlartë:
“Ata që thanë: “All-llahu është Zoti
ynë” dhe qëndruan besnikërisht, për ta
nuk ka frikë dhe ata nuk do të
pikëllohen. Të tillët janë banues të
xhennetit, aty do të jenë përgjithmonë,
atë e kanë shpërblim për veprat që i
bënë.”[1]
Salavatet dhe selamet më të përzemërta,
ia dërgojmë sot në këtë ditë dëshmie dhe
në çdo ditë të jetës tonë, zotërisë së
bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s),
që u dërgua mëshirë dhe udhëzim për
gjithësinë. Transmetohet në një hadith
të gjatë, se pak para se të ndërronte
jetë, Hz. Muhammedi (a.s) i mblodhi
sahabët e tij dhe nga fundi i fjalës, u
tha: “… pastaj jepini vetes tuaj selam
prej meje. Edhe vëllezërve tuaj që
munguan, jepini selam prej meje! Edhe
kujtdo që do të hyjë në fenë tuaj pas
meje, ju dëshmoj se unë i jap selam,
atij dhe kujtdo që do të më ndjekë në
fenë time deri në ditën e kiametit”[2]
Të dashur dhe të nderuar
besimtarë, motra dhe vëllezër,
Sot është një ditë e shënuar për
bashkësinë tonë islame, një ditë prej
atyre, për të cilat në Kur’anin
Famëlartë dëshmohet: “Ne e patëm dërguar
Musain me argumentet tona (dhe i thamë):
“Nxirre popullin tënd prej errësirave në
dritë dhe përkujtoju atyre të mirat e
All-llahut (që u dhuroi), se vërtet në
ato (përkujtime) ka argumente për
secilin që është shumë i durueshëm dhe
shumë falënderues.”[3]
Sot është një ditë, në të cilën
përkujtojmë së bashku madhështinë e
tubimit të papërsëritshëm të 16 nëntorit
1990, në këtë vend, në këtë tokë besimi,
bri kësaj xhamie shekullore, që dëshmon
me heshtjen dhe madhështinë e saj frymën
dhe shpirtin e thirrjes së brendshme të
Islamit tonë, që ky popull e pranoi me
zemër e shpirt dhe nuk u thye asnjëherë,
përballë taborrave të femohimit a
zhveshjes me dhunë nga rroba e krenarisë
së tij legjitime; besimit në Një Zot!
Sot, të dashurit e mi, nga çdo cep i
Shkodrës e mbarë Shqipërisë, kemi ardhur
në këtë vend për të falur namazin e
xhumasë, për të përjetuar së bashku
mirësinë e madhe të All-llahut, atë të
udhëzimit në Dritën e Tij dhe në dyert e
Udhëzimit drejt dashnisë së Tij!
Sot, të gjithë ne qëndrojmë me respekt
dhe mirënjohje, përballë të gjithë atyre
djemve të rinj e burrave të urtë, që 25
vite më parë, në ditët e para të
nëntorit të vitit 1990, ishin këtu, në
hapësirat e xhamisë së Plumbit, duke
punuar e sakrifikuar me të gjitha
mundësitë e tyre, madje edhe përtej të
mundshmes, për të mbërritur te ajo ditë
fatlume e 16 nëntorit 1990, kur Shkodrës
iu hoq frika përfundimisht dhe rrezet e
Diellit të udhëzimit, u rikthyen sërish
në këtë vend, duke larguar retë e zeza
të femohimit të imponuar me ligj e
dhunë, padrejtësisht!
Ata djem e burra, që punonin me vullnet
të pastër e me shpirt të lirë, në të
vërtetë më ngjajnë sot me ensarët, që
shekuj më parë, përgatiteshin me të
gjitha mundësitë e tyre për pritjen e
ditës fatlume, kur i Dashtuni i zemrave
do të ishte në mesin e tyre dhe kur,
energjitë e Thirrjes së bekuar Islame,
do të përhapeshin me tërë madhështinë e
tyre në çdo cep të botës!
Me shumë emocion dhe me zemra
falënderuese ndaj Zotit të gjithësisë,
All-llahut të Madhëruar, sot kujtojmë
ato fjalë zemre, që dilnin nga goja e
Hoxhës tonë të dashur, muxhahidit e të
sprovuarit në fenë e tij, Hafiz Sabri
Koçi, i cili dëshmonte botërisht dhe
ftonte me shpirt: “Vllezën shqiptarë!
Sot kemi gëzimin ma të madh, që mas 23
vjetësh, të dëgjojmë kënaqësinë ma të
madhe të zemrës dhe të shpirtit tonë!
T’u hapen portat zemrave, që të njohin,
të dashurojnë, të respektojnë ma të
afërmin e tyre, i Cili asht ma afër te
njeriu sesa ai te vetvetja e vet, Asht
Zoti! Lavdi i qoftë të Madhit Zot!”[4]
Po, vëllezër e motra, që nga ajo ditë e
bekuar, ajo shprehje begatuese: “Lavdi i
qoftë të Madhit Zot”, u kthye në një
fjalëkalim të mbarë, që do të hapte
portat e zemrave dhe shpirtrave të
shqiptarëve besimtarë, të dhunuar e të
sprovuar padrejtësisht nga xhelatët e
femohimit, nga lakmitarët për vrasjen e
Dritës së Udhëzimit, nga të sëmurët e
kohës!
Ajo shprehje dhe ajo fjali, nisi të
përkthehej me punë dhe angazhim të
sinqertë të krejt muslimanëve të
Shkodrës e të mbarë Shqipërisë, që nisën
çdo gjë nga e para, në rrugën e
rimëkëmbjes dhe ripërtëritjes së
aktivitetit të mohuar për dekada.
Falë hapjes së munguar me botën islame,
nisi ndërtimi i xhamive dhe i medreseve
të reja në çdo cep të vendit tonë, për
t’u dëshmuar Fjala e Zotit dhe Udhëzimi
i Tij, në liri të plotë dhe në kushtet e
denja për njeriun e shekullit XX-XI. Për
t’u dëgjuar me kënaqësi dhe emocion
ezani i munguar për më shumë se 23 vite,
nga minaret tona që ishin përmalluar për
dëshmimin e thirrjes: “All-llahu ekber”!
Vëllezër e motra, besimtarë
të pranishëm,
Sot, më shumë se kurrë, ne jemi të
vetëdijshëm, se edhe pse ky popull doli
nga sprova e vështirë dhe e dhimbshme e
femohimit, vështirësi dhe sprova të
shumta i dolën përballë, deri në këto
momente që flasim, ku duhet të pranojmë
me dhimbje të madhe se ky vend e ky
popull nuk e meriton këtë realitet, me
të cilin përballet sot, pas 25 vitesh
nga rënia e diktaturës dhe largimi i
resë së zezë së femohimit!
Ne si muslimanë, e kemi për detyrë që
këtë mirësi të madhe të lirisë së
besimit, ta shfrytëzojmë maksimalisht
për ta dëshmuar Islamin tonë në çdo
moment të jetës, kudo që të jemi, pa
ndrojtje e pa frikë!
E kemi për detyrë të punojmë
maksimalisht, për forcimin e harmonisë
tonë kombëtare, duke bashkëpunuar me
këdo që i do të mirën këtij vendi të
shtrenjtë, që Zoti i gjithësisë e
zgjodhi të jetë atdheu i ynë, e na bëri
të jemi pjesë e tij, shqiptarë,
besimtarë, të palodhur në rrugëtimin
tonë për të ndezur pishtarë udhëzimi,
harmonie e vëllazërie të sinqertë, për
të mirën e tij dhe të ardhmen plot
begati të fëmijëve tanë dhe brezave që
pasojnë!
Ne si muslimanë jemi të ftuar sot, të
mos lëkundemi në besimin tonë, por të
përvetësojmë mësimet dhe udhëzimet e
All-llahut të Madhëruar, që na fton të
jemi përherë krenarë me besimin dhe
udhëzimin, me të cilët ka zbukuruar
jetën tonë! “… e tërë krenaria i takon
All-llahut, të dërguarit të Tij dhe
besimtarëve”[5],
thuhet në Kur’an!
Sot, pas 25 vitesh liri besimi dhe pas
eksperiencës së hidhur të femohimit dhe
ateizmit të imponuar ligjërisht, duhet
të kuptojmë mirë se kushdo që përpiqet
të mundë natyrën, është i mundur!
Kushdo që përpiqet të largojë njeriun
nga Zoti i tij, është i mundur, sepse të
gjithë ne, krejt shoqëritë e
qytetëruara, besojnë tek liria dhe
elitat! Besojnë tek ajeti kur’anor: “Nuk
ka dhunë në fé”[6],
që do të thotë, se Islami e vlerëson
lirinë dhe përzgjedhjen e lirë të
njeriut, edhe pasi ai është përballur me
argumentet e të mirës dhe të keqes!
“Secili njeri është peng i veprës së
vet.”[7], thotë
All-llahu në Kur’anin Famëlartë!
“… e Zoti yt nuk i bën padrejtësi,
askujt.”[8], thotë
në një vend tjetër.
Sot, në këtë atmosferë të lirë të
besimit, në këtë përvjetor jubilar të
25-të të rihapjes së xhamive dhe
medreseve tona, e kemi për detyrë ta
dëshmojmë veten si thirrës të sinqertë e
të vendosur drejt përhapjes së mësimeve
të Kur’anit dhe traditave të Hz.
Muhammedit (a.s).
Sidomos, ato që lidhen me harmoninë
kombëtare, me jomuslimanët, me
respektimin e ligjit dhe me distancimin
nga dhuna, terrori, ekstremizmi dhe çdo
shfaqje joislame, që e njollos fenë dhe
bashkësinë tonë të qytetëruar islame!
Sepse ektremizmi dhe terrori nuk kanë
fé, ato janë sëmundje që përhapen kudo,
ndërkohë që ne, jemi të vendosur në
rrugën e paqes, dialogut, harmonisë dhe
bashkëpunimit me këdo që bashkohet me ne
në këtë nijet të lashtë të besimit dhe
përhapjes së vlerave të tij në shoqëritë
njerëzore!
Vëllezër dhe motra
besimtarë,
Sot, teksa të gjithë jemi të përfshirë
nga emocioni i madh i përkujtimit të
kësaj ngjarjeje të shënuar në historinë
e kombit tonë, më vijnë ndër mend
shënimet e një prej intelektualëve të
shquar damaskenë të shekullit të kaluar,
i cili teksa trajton fenomenin e
Hixhretit, ndër të tjera shkruan: “Feja
e tij është feja e jetës, feja e
lavdisë, feja e triumfit, feja e
madhështisë, udhërrëfimi i krejt
popujve! ISLAMI! Ai që bashkon dhe nuk
përçan, ai që i konsideron krejt
dituritë dhe shkencat obligime! Islami,
që i jep hov shoqërisë në çdo fushë të
jetës; në ekonomi, në politikë, në
ushtri, në mendim, në edukim, në moral…
Dhe sot, në përkujtim të Hixhretit, në
fillim të shekullit 15 hixhri, ku është
hixhreti juaj, o muslimanë? Ja, punët
dhe veprat e Profetit, ku janë punët dhe
veprat tuaja? Ja, sakrificat e tij (a.s)
dhe ato të muhaxhirëve dhe ensarëve, ku
janë sakrificat tuaja? Ja, qëndresa e
brezit të parë, ku është qëndresa juaj?
Ja, historia e tyre, … ku është historia
e juaj bashkëkohore, me të cilën
mburreni?”[9]
Ndoshta, me të drejtë dikush mund të më
pyesë, se ç’lidhje ka Hixhreti si
fenomen me 16 nëntorin e vitit 1990 dhe
me hytben e sotme?!
Në fakt, ka një lidhje të madhe, sepse
ajo punë e papërshkrueshme e të rinjve
dhe burrave që rrethonin Hafiz Sabri
Koçin, fjalimi i tij historik, mesazhet
e fjalimit dhe hytbes së tij, falja e
xhumasë në një xhemat të madh, prania e
panumërt e qytetarëve shkodranë dhe
jehona e asaj ngjarjeje edhe përtej
kufijve të Shqipërisë, janë në të
vërtetë një përpjekje e mrekullueshme
për të dëshmuar Hixhretin e madh
shpirtëror të shqiptarëve, nga errësira
në dritë, nga ateizmi në besim, nga
femohimi në liri, nga dhuna dhe
terrorizmi në hapësirat e dijes dhe
thirrjeve të brendshme shpirtërore,
(secili në fenë e tij), nga shtypja në
krenari legjitime, por jo vetëm!
Por sot, shumë gjëra kanë ndryshuar nga
ajo kohë. Shumë çështje të reja janë
shfaqur në horizontet e qytetarëve të
këtij vendi, muslimanë dhe jo vetëm.
Shumë pikëpyetje dhe dilema sillen në
mendjet e shqiptarëve, sidomos në këto
kohë, kur propaganda e orkestruar
mediatike, por jo vetëm, kundër Islamit
dhe vlerave të tij, shfaqjet flagrante
të islamofobisë dhe osmanofobisë tek ne
e gjetiu, kanë arritur kulme të
pamenduara më parë!?
“Nuk është turp për të paditurin që nuk
e di gjëndjen e tij, por turpi më i madh
për njeriun është kur ai nuk mëson, ose
kur bëhet armik i asaj që injoron, ose
kur nuk e vë në jetë atë që ka mësuar”[10]
Karshi këtij realiteti, secili prej nesh
është i ftuar të pyesë vetveten: Ku jam
unë sot, në përvetësimin e mësimeve
islame dhe prezantimin e tyre në
shoqëri, në komunikim, në marrëdhëniet
me tjetrin, në mirësjellje, në moral, në
ndershmëri, në frenim nga ambicia dhe
egoja e sëmurë, në distancim dhe largim
nga ndalesat kur’anore dhe ato
profetike? Ku jam dhe sa lejoj të
paragjykohet padrejtësisht Islami,
nëpërmjet veprimeve të mia të
paekuilibruara, si “musliman” me emër?
Ku jemi ne sot, muslimanët shqiptarë, me
fjalët e Hz. Muhammedit (a.s), që
thoshte: “Musliman është ai, nga gjuha
dhe dora e të cilit janë të shpëtuar
njerëzit dhe besimtar është ai, prej të
cilit njerëzit janë të sigurtë në
pasurinë dhe jetët e tyre”[11],
ndërkohë që dëgjojmë në vazhdimësi për
shtimin e vrasjeve, korrupsionit,
ligësive, thashethemnajës, smirës,
urrejtjes, cytjeve, vjedhjes,
grabitjeve, mosrespektimit të drejtave
legjitime, zaptimit të pronës,
dyfytyrësisë etj.?!
Ku jemi ne sot, muslimanët shqiptarë, me
ajetet kur’anore: “Ka shpëtuar ai që
është pastruar. Që e përkujton madhërinë
e Zotit të vet dhe falet. Por, ju po i
jepni përparësi jetës së kësaj bote, e
dihet se jeta e botës tjetër është më e
dobishme dhe e përjetshme”[12]
Dhe, mbi të gjitha, ku jemi sot ne,
muslimanët shqiptarë, me ajetin
kur’anor: “… mos e humbni shpresën nga
mëshira e All-llahut, pse vetëm populli
jobesimtar e humb shpresën në
All-llahun”![13]
E, sot, në këtë ditë optimizmi e në këtë
përkujtim të ditës së madhe të dëshmimit
të Mëshirës së All-llahut për këtë
popull; rilejimin me ligj të fesë dhe
lënien e njerëzve të lirë për të besuar
e praktikuar fenë, unë ju ftoj me zemër
të kthemi nga besimi dhe feja dhe t’ia
hapim dyert All-llahut, të kthejmë
zemrat nga Drita e Dashnisë së Tij dhe
të bëhemi dëshmitarë…
Vëllezër dhe motra,
Sihariq për ju dhe të gjithë ata që na
dëgjojnë, se ky shekull është shekulli i
Islamit, jo vetëm në Evropë, por në
mbarë botën. Sepse i dërguari i
All-llahut urdhëron e thotë: “Do të
mbërrijë kjo fé, ku ka mbërritur nata
dhe dita…”[14]
Prandaj, lutuni me zemër që Zoti i
gjithësisë, All-llahu i Madhëruar, të na
japë mbarësi e forcë, bekim e mëshirë,
që ta plotësojmë misionin tonë të
Thirrjes Islame, ku të jemi e sa të
jemi!
Sepse, do të vdesim një ditë dhe do të
pyetemi para duarve të Atij, që na ka
krijuar e na furnizon përditë me rizkun
e Tij, për këtë mirësi të lirisë, për
këto mundësi të mësimit dhe përvetësimit
të moralit islam, për mundësitë e
panumërta në rrugën e përhapjes së
Fjalës së Tij! Për mundësinë e dëshmimit
të harmonisë dhe bashkëpunimit me të
gjithë ata që duan të punojnë kundër të
keqes dhe ligësive në shoqëri!
Sepse: “Ky Kur’an që rregulloi arabët
dhe mbarë njerëzinë, që 14 shekuj, është
i denjë të rregullojë e të zgjidhë
ngërçet e botës dhe njerëzimit, edhe në
shekullin XXI, por jo vetëm, sado që mbi
tokë do të ketë njerëz që ecin dhe
frymojnë! Sepse, Ai që e zbriti këtë
Libër, është Krijuesi i galaktikave dhe
i njerëzisë. Ai që e krijoi njeriun në
formën më të bukur dhe e përsosi atë!”[15]
Prandaj, qëndroni në fenë tuaj,
edukojini fëmijët tuaj me besimin islam,
kujtojuni atyre të shkuarën dhe
vuajtjet, shpesh të pabesueshme,
trashëgiminë e shekujve dhe besën e
baballarëve, moralin dhe ndershmërinë e
nanave me degermitë e bardha, pastërtinë
dhe rregullin, disiplinën dhe namazin,
shëndetin dhe agjërimin, begatinë e
rizkut dhe zekatin, lumturimin e
shpirtrave dhe haxhin.
Mbi të gjitha, dëshminë e teuhidit dhe
shehadetin: Eshhedu en la ilahe
il-lall-llah ve eshhedu enne Muhammeden
abduhu ve resuluhu!
All-llahu ju bekoftë e ju dashtë, ju,
familjet tuaja, fëmijët tuaj!
All-llahu e begatoftë rininë tonë dhe e
ruajtë nga çdo e keqe dhe devijim!
All-llahu e bagatoftë Shkodrën tonë,
Shqipërinë e shtrenjtë, mbarë trojet
shqiptare e shqiptarët, kudo që janë
nëpër botë!
All-llahu e begatoftë ymmetin islam dhe
muslimanët në mbarë globin!
All-llahu mbuloftë me petkun e paqes dhe
mëshirës së Tij krejt ato vende, ku sot
derdhet gjak i pafajshëm fëmijësh,
nënash e baballarësh!
All-llahu i Madhëruar na bëftë
dëshmitarë të paqes, rrugëtues drejt
saj, besimtarë në mirësitë e saj,
sakrifikues të zellshëm për të mirën e
njerëzimit dhe lumturinë e tyre!
Amin, amin, amin!
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Plumbit)
Shkodër, më 13 nëntor 2015
[1] Kur’ani,
El-Ahkaf: 13-14.
[2][2] Hejthemiu
në “Mexhmau-zevaid” dhe Bezzari, nga Ibn
Mes’udi (r.a).
[3] Kur’ani,
Ibrahim: 5.
[4] Dëshmia
autentike, nxjerrë nga filmimi i
fjalimit historik, që Hafiz Sabri Koçi,
mbajti më 16 nëntor 1990, në prani të
një pjesëmarrjeje të panumërt
besimtarësh nga mbarë Shkodra.
[5] Kur’ani,
El-Munafikune: 8.
[6] Kur’ani,
El-Bekare: 256.
[7] Kur’ani,
El-Muddeththir: 38.
[8] Kur’ani,
El-Kehf: 49.
[9] Sheuki Ebu
Khalil, “El-hixhretu, hadethun gajjere
mexhrat-tarikh”, Damask, 1979, f. 126.
[10] Shejkh
Ahmed Keftaro, “Min hedjil-Kur’an”,
përgatitur për botim Zahir Ebu Davud,
Damask, pa vit botimi, f. 66.
[11]
Transmetuar nga Tirmidhiu dhe Nesaiu.
[12] Kur’ani,
El-A’la: 14-17.
[13] Kur’ani,
Jusuf: 87.
[14]
Transmetuar nga Ahmedi, nga Temim
Ed-Dari (r.a).
[15] Shejkh
Ahmed Keftaro, “Min hedjil-Kur’an”,
përgatitur për botim Zahir Ebu Davud,
Damask, pa vit botimi, f. 58.